HomeDiasporaSamiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Von der Leyen: 338 milionë euro shtesë...

Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Von der Leyen: 338 milionë euro shtesë për Shqipërinë, Malin e Zi dhe RMV

-

Liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Bruksel në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor, ku në fokus të diskutimeve ishin perspektiva evropiane e rajonit, procesi i zgjerimit dhe avancimi i negociatave të anëtarësimit në union. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, rikonfirmoi angazhimin e BE-së për afrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët evropian, duke theksuar se qytetarët dhe ekonomitë e rajonit duhet të përfitojnë nga integrimi edhe përpara anëtarësimit zyrtar. Gjatë fjalës së saj, Von der Leyen bëri të ditur se reformat e ndërmarra nga vendet e rajonit mund të mundësojnë zhbllokimin e 338 milionë eurove të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve të ardhshme. Ajo nënvizoi se integrimi gradual do të shoqërohet me përfitime konkrete, duke veçuar përfshirjen e vendeve të rajonit në sistemin evropian të pagesave SEPA dhe avancimin e negociatave për zgjerimin e nismës “Roaming si në shtëpi”.

Sipas saj, katër partnerë të Ballkanit Perëndimor janë bërë tashmë pjesë e SEPA-s, ndërsa negociatat për roaming kanë nisur me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Von der Leyen njoftoi gjithashtu se në fillim të vitit të ardhshëm do të nisin dialogët për integrimin gradual me secilin prej partnerëve, në përputhje me specifikat dhe përparimin e tyre në reforma.

Nga ana tjetër, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, rikonfirmoi perspektivën e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u bërë thirrje qeverive të rajonit të ruajnë ritmin e reformave dhe të shfrytëzojnë mundësinë që ofron procesi i zgjerimit.

Costa theksoi se sfidat aktuale gjeopolitike e bëjnë edhe më të domosdoshëm forcimin e marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit.

Në këtë samit, një kërkesë të veçantë përcolli edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili kërkoi që vendit të tij t’i jepet sa më parë statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Kurti argumentoi se Kosova ka dorëzuar prej kohësh aplikimin për anëtarësim dhe se është i vetmi vend në rajon që ende nuk ka marrë statusin e kandidatit. Ai kërkoi që përparimi i Kosovës në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe luftës kundër korrupsionit të merret në konsideratë, duke e cilësuar këtë status si një çështje urgjente.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama e cilësoi samitin si një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për vendet kandidate, duke theksuar rëndësinë e një diskutimi të hapur mbi arritjet dhe sfidat e integrimit evropian.

Rama përsëriti qëndrimin se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë një hap më të guximshëm, duke i përfshirë të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, pa cenuar parimin e meritës dhe procesin individual të secilit shtet.

Sipas tij, një qasje e tillë do të përcillte një mesazh të fortë për qytetarët e rajonit dhe për komunitetin ndërkombëtar, ndërsa theksoi se Shqipëria vijon të presë vlerësimin dhe miratimin e Komisionit Evropian për hapat e mëtejshëm të procesit.

I pyetur për hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë dhe nëse ato përbëjnë një test për Shqipërinë, Rama u shpreh se lufta kundër korrupsionit në vend është e paprecedentë në rajon.

Kryeministri theksoi se Shqipëria ka kaluar nga një realitet ku korrupsioni dhe pandëshkueshmëria perceptoheshin si pjesë e sistemit, drejt një faze ku institucionet po veprojnë kundër tyre. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të procesit të rregullt ligjor dhe parimit se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

Samiti i Brukselit vjen në një moment të rëndësishëm për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, ndërsa mesazhet e liderëve evropianë dhe përfaqësuesve të rajonit vënë në dukje rëndësinë e reformave, integrimit ekonomik dhe përshpejtimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, transmeton euronewsal.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

“Kosova e Kadaresë” në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë

0
Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë u hap ekspozita “Kosova e Kadaresë”, në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare Shqipëri-Kosovë 2026 dhe me rastin e 90-vjetorit...