Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian hapa konkretë për avancimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke bërë thirrje që vendit t’i jepet statusi i kandidatit dhe të hapet rruga drejt negociatave për anëtarësim.
Gjatë pjesëmarrjes në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, Kurti ka theksuar rëndësinë e një qëndrimi të përbashkët të vendeve anëtare të BE-së lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kreu i qeverisë ka bërë të ditur se në samit ka kërkuar që Këshilli Evropian t’i bëjë thirrje Komisionit Evropian që t’ia dërgojë Kosovës pyetësorin dhe të përgatisë opinionin për aplikimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kurti ka rikujtuar se muajin e ardhshëm bëhen katër vjet nga koha kur Kosova dorëzoi zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në BE, duke vlerësuar se rezultatet e arritura gjatë kësaj periudhe përbëjnë argument për avancimin e mëtejshëm të procesit.
Sipas tij, Kosova ka shënuar përparim më të shpejtë se vendet e tjera të rajonit në shumicën e indekseve kryesore ndërkombëtare, me theks të veçantë në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, të drejtat politike dhe liritë civile.
Kryeministri ka nënvizuar se këto rezultate duhet të merren parasysh nga institucionet evropiane, në mënyrë që procesi i integrimit të Kosovës të marrë një përgjigje konkrete.
Kërkesa e Kurtit në Bruksel vjen në një kohë kur Kosova vazhdon të presë një përgjigje institucionale për aplikimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022. Statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave mbeten ndër synimet kryesore të agjendës evropiane të Kosovës./BS









