Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me aktgjykimin e fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke shprehur shqetësime për disa prej konkludimeve dhe dënimeve të shqiptuara.
Pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kurti veçoi tri elemente të aktgjykimit, për të cilat tha se duhet të theksohen edhe në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, pika e parë lidhet me pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpi të Verdhë” dhe trafikimin e organeve, për të cilat deklaroi se nuk kanë qenë pjesë e aktakuzës.
“Pretendimet për të ashtuquajturën «Shtëpi të Verdhë» dhe për trafikimin e organeve as nuk bëjnë pjesë e aktakuzës”, tha Kurti.
Si pikë të dytë, kryeministri përmendi akuzat për krime kundër njerëzimit dhe për sulme të gjera e sistematike ndaj popullsisë civile, duke deklaruar se ato janë rrëzuar.
“Akuzat për krime kundër njerëzimit dhe për sulme të gjera e sistematike kundër popullsisë civile u rrëzuan”, u shpreh ai.
Elementi i tretë, sipas Kurtit, lidhet me vetë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kryeministri theksoi se, sipas qëndrimit të Dhomave të Specializuara, UÇK-ja nuk është subjekt i gjykimit.
“Dhomat e Specializuara theksuan qartë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është në gjyq”, deklaroi Kurti.
Kurti: Presim korrigjimin e gabimeve në apel
Krahas pikave që veçoi, Kurti shprehu edhe shqetësime për konkludime të tjera të aktgjykimit dhe për dënimet e shqiptuara.
Ai deklaroi se Qeveria e Kosovës vlerëson se disa prej këtyre përfundimeve përmbajnë, sipas tij, gabime faktike, historike dhe juridike dhe se pret që ato të trajtohen në procedurën e apelit.
“Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike, dhe presim që këto të korrigjohen në apel”, tha kryeministri.
Kurti theksoi gjithashtu rëndësinë e paanshmërisë së drejtësisë, duke nënvizuar se ajo duhet të jetë dhe të perceptohet si e tillë.
“Kosova kërkon drejtësi për çdo viktimë”
Në deklarimin e tij, kryeministri u ndal edhe te viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Ai tha se rreth 20 mijë persona janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës dhe se një numër i kryerësve, sipas tij, ende nuk janë përballur me drejtësinë.
“Kosova kërkon drejtësi për çdo viktimë, për çdo krim dhe për çdo kryerës”, deklaroi Kurti.
Ai kundërshtoi gjithashtu atë që e cilësoi si përpjekje për të krijuar narrativa që barazojnë përgjegjësinë për krimet e kryera gjatë luftës.
Kurti: Kosova është gati për hapin e radhës drejt BE-së
Në fund të deklarimit, Kurti falënderoi presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për vizitën në Kosovë dhe foli për perspektivën evropiane të vendit. Ai tha se Kosova ka përmbushur pjesën e saj të përgjegjësive dhe se është e gatshme për të vazhduar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Kosova e ka bërë pjesën e saj dhe ne jemi gati për hapin e radhës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, përfundoi Kurti./BS










































