Nju-Jork – Mbështetja institucionale dhe promovimi ndërkombëtar i kinematografisë së Kosovës kanë qenë në qendër të takimit të ambasadorit të Kosovës në Nju-Jork, Blerim Reka, me Lum Çitakun, drejtor i programeve në Qendrën Kinematografike të Kosovës (QKK). Takimi u zhvillua në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju-Jork, ku u diskutua për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes së krijimtarisë filmike kosovare, me synim rritjen e pranisë së saj në skenën ndërkombëtare. Vëmendje e veçantë iu kushtua filmit “DUA”, me regji të Blerta Bashollit, i cili po shfaqet këto ditë në Nju-Jork. Ky produksion përfaqëson propozimin zyrtar të Kosovës për edicionin e 99-të të çmimeve Oscar, në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.
Në këtë garë ndërkombëtare është edhe filmi “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, i cili është kualifikuar drejtpërdrejt falë fitimit të çmimit kryesor të jurisë, World Cinema Grand Jury Prize, në Festivalin e Filmit Sundance, në janar të këtij viti.
Ambasadori Blerim Reka ka vlerësuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për zhvillimin e industrisë filmike dhe për promovimin e kulturës së Kosovës përtej kufijve të saj. Ai ka theksuar se kinematografia përbën një nga instrumentet më të fuqishme të diplomacisë kulturore, duke i dhënë Kosovës mundësinë të prezantojë identitetin, historinë, vlerat dhe potencialin e saj krijues para publikut ndërkombëtar.
Pjesëmarrja e filmave kosovarë në skena të rëndësishme ndërkombëtare dëshmon për potencialin e krijuesve vendorë dhe për rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të kinematografisë në afirmimin e shtetësisë dhe imazhit të Kosovës në botë./BS









