Përgatiti: Dahest LUMA, Vlorë
Kaninë, 28 nëntor, 2026 – Dashnim Hebibi, së bashku me Darling Vlorën, stërnipin e Ismail Qemalit, ngritën flamurin kombëtar në Kaninë, me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Një moment i veçantë historik dhe emocional për Luginën e Preshevës dhe mbarë shqiptarët! 28 Nëntori është ditë që na bashkon rreth historisë, identitetit dhe krenarisë kombëtare. Por, 114-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë solli një emocion të veçantë në Kaninën historike, aty ku i ka rrënjët familjare Ismail Qemali, Ati i Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë ditë të shënuar, në Kaninë ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Lugina e Preshevës: PhD Dashnim Hebibi, Dr. Dërgut Aliu dhe Rafet Ademi. Ata morën pjesë në këtë aktivitet të veçantë së bashku me familjen Vlora, me ftesë të kryetarit të Kaninës.

Momenti më emocionues i kësaj ceremonie ishte ngritja e flamurit kuqezi nga Dashnim Hebibi nga Presheva, së bashku me Darling Vlorën, stërnipin e Ismail Qemalit dhe përfaqësues të familjes Vlora, i cili jeton dhe vepron në Itali. Një preshevar ngriti flamurin kombëtar në Kaninë, në vendin ku i ka rrënjët familjare themeluesi i shtetit shqiptar! Një simbolikë që tejkalon një ceremoni festive dhe që përçon mesazhin e bashkimit kombëtar, të kujtesës historike dhe të lidhjes së pandashme mes shqiptarëve, kudo që jetojnë. Pas ngritjes së flamurit, u vendosën kurora me lule pranë bustit të Ismail Qemalit. Vetëm pak metra larg këtij vendi, historia kujton edhe periudhën kur trupi i tij prehej në Kaninë për më shumë se dhjetë vjet.

Dashnim Hebibi përshëndeti në emër të shoqatave dhe bashkëkombësve nga Lugina
Pas ceremonisë së ngritjes së flamurit, u organizua një takim i veçantë me mysafirët nga Lugina e Preshevës. Kryetari i Kaninës z. Bareq Sadiraj, një personalitet i njohur dhe i respektuar jo vetëm në Kaninë, por edhe më gjerë në Shqipëri dhe në hapësirën shqiptare, mbajti një fjalë përshëndetëse për të pranishmit. Në këtë takim, PhD Dashnim Hebibi i përshëndeti të pranishmit në emër të Shoqatës “Lugina e Preshevës”, Shoqatës “Medvegja”, Ansamblit “Trojet”, si dhe në emër të të gjithë bashkëkombësve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Ai përcolli përshëndetjet, respektin dhe mirënjohjen e bashkëkombësve luginas, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve kombëtare, të kujtesës historike dhe të bashkëpunimit mes shqiptarëve, pavarësisht kufijve që i ndajnë.

Ky takim ishte një tjetër dëshmi se lidhjet mes shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe atyre në Shqipëri janë të forta dhe të mbështetura në histori, gjuhë, kulturë dhe identitet të përbashkët.
Një emocion që nuk përshkruhet me fjalë!
Për Dashnim Hebibin, ky ishte një moment që do të mbetet përgjithmonë në kujtesë. Ngritja e flamurit së bashku me një pasardhës të familjes së Ismail Qemalit ishte një privilegj dhe emocion i jashtëzakonshëm.
Vetë Hebibi, duke kujtuar këtë çast, shprehet:
“Ka momente në jetë kur fjalët bëhen të vogla përballë emocioneve që përjeton shpirti. Ky është njëri prej tyre!
Në Kaninë, me duart e mia dhe me duart e Darling Vlorës, stërnipit të Ismail Qemalit, ngritëm së bashku flamurin kuqezi, simbolin e lirisë, të sakrificës dhe të krenarisë sonë kombëtare.
Sa shumë histori, sa shumë sakrificë dhe sa shumë emocione në atë flamur! Ta ngresh atë së bashku me një pasardhës të familjes së njeriut që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, është një privilegj që nuk përshkruhet, por që do të mbetet përgjithmonë i gdhendur në zemër.
Në atë çast, ndjeva sikur duart tona nuk po ngrinin vetëm një flamur, por po preknin amanetin e brezave, gjakun e dëshmorëve dhe ëndrrën e një kombi të tërë.
Nuk foli goja, foli shpirti! Nuk u mbushën vetëm sytë me lot, por edhe zemra me krenari shqiptare.
Ky është një nga ata çaste që nuk fotografohen vetëm për t’u kujtuar, por jetohen për t’u mbajtur përgjithmonë në shpirt!”
Kanina, vend i historisë dhe mikpritjes shqiptare
Kanina, një vendbanim me rreth 2 mijë banorë, njihet për mikpritjen, bujarinë dhe personalitetet që ka nxjerrë ndër breza. Mbi të ngrihet edhe Kalaja e Kaninës, prej nga hapet një pamje madhështore drejt Vlorës.
Mysafirët nga Lugina e Preshevës u pritën me ngrohtësi dhe respekt nga kaninasit, duke përjetuar momente të veçanta që dëshmojnë se historia dhe tradita shqiptare nuk njohin kufij.
Për Luginën e Preshevës, kjo vizitë dhe ky akt simbolik përbëjnë një kujtim të veçantë. Flamuri i ngritur në Kaninë nga një preshevar, përkrah stërnipit të Ismail Qemalit, është një moment që do të mbetet në kujtesën e shumë shqiptarëve.
Një flamur, një histori, një komb! Kanina dhe Presheva u bashkuan në një moment krenarie kombëtare.
SË SHPEJTI
Së shpejti do të publikohet një reportazh i veçantë me më shumë detaje, pamje dhe emocione nga kjo vizitë historike në Kaninë, takimet me familjen Vlora, pritja nga kaninasit dhe momenti i paharruar i ngritjes së flamurit nga Dashnim Hebibi dhe Darling Vlora.
Rroftë Shqipëria! Rroftë flamuri ynë kuqezi!









