Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur anëtarët e sapozgjedhur të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) të Kosovës Lindore (Lugina e Preshevës) dhe ka formalizuar me ta marrëveshjen për drejtimin e përbashkët të këtij institucioni.
Takimi u mbajt mbrëmjen e 28 nëntorit, në Ditën e Flamurit Kombëtar dhe në 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, marrëveshja për drejtimin e përbashkët të KKSH-së bashkon 24 nga 29 anëtarët e zgjedhur dhe përcakton që në mandatin e ardhshëm ky institucion të drejtohet nga Enkel Rexhepi.
Marrëveshja vjen pas zgjedhjeve të 8 nëntorit dhe përsëritjes së votimit më 22 nëntor në Breznicë dhe Samolicë. Sipas rezultateve përfundimtare të konfirmuara më 26 nëntor nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi, lista PVD–AL, me Enkel Rexhepin, ka fituar 4.752 vota dhe 10 mandate.
Ndërkaq, LPD–PDSH, me Shqiprim Musliun, ka marrë 4.267 vota dhe nëntë mandate, APN, me Levent Qazimin, 2.843 vota dhe pesë mandate, ndërsa PD–LR, me Sali Salihin, ka siguruar 2.410 vota dhe pesë mandate.
Marrëveshja mbështetet në parimet e gjithëpërfshirjes, respektimit të fituesit të zgjedhjeve, peshës së secilës listë sipas votës së qytetarëve dhe ndarjes së përgjegjësive institucionale.
Gjatë takimit, Kurti dhe anëtarët e sapozgjedhur theksuan se në Këshillin Kombëtar Shqiptar, si institucion për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve, nuk duhet të ketë ndarje në pozitë dhe opozitë, por bashkëpunim dhe bashkëpërgjegjësi institucionale. Ata mirëpritën edhe mundësinë që marrëveshjes t’i bashkohen pesë anëtarët e Lëvizjes së Progresit Demokratik, duke bërë të mundur përfshirjen e të gjithë 29 anëtarëve në drejtimin e përbashkët të institucionit.
Kjo marrëveshje vjen pas asaj të 29 shtatorit në Prishtinë, e cila mundësoi pjesëmarrjen e përbashkët të subjekteve politike shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi. Sipas Qeverisë, formalizimi i marrëveshjes së re është një hap i mëtejmë në konsolidimin e bashkëpunimit politik dhe institucional të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Kurti theksoi se bashkëpunimi i dëshmuar në zgjedhjet parlamentare dhe tash në Këshillin Kombëtar Shqiptar duhet të vazhdojë edhe në institucionet e tjera përfaqësuese, duke respektuar vullnetin demokratik të qytetarëve.
Në takim u theksua gjithashtu se uniteti nuk nënkupton njëtrajtshmëri politike, por respektim të dallimeve, bashkërendim të veprimeve dhe marrje të përbashkët të përgjegjësive për çështjet me interes qytetar e kombëtar.
Qeveria e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për mbështetjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, avancimin e të drejtave të tyre individuale e kolektive, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fuqizimin e institucioneve përfaqësuese./BS









