Përgatiti: Dashnim HEBIBI
Atmosfera festive e 28 Nëntorit ka mbërritur edhe në shkollat shqipe në Zvicër, ku fëmijët po përgatiten të kremtojnë Ditën e Pavarësisë përmes aktiviteteve edukative dhe artistike, duke dëshmuar dashurinë dhe lidhjen me atdheun dhe traditat shqiptare. Një nga këto aktivitete është zhvilluar në Shkollën Plotësuese Shqipe “Naim Frashëri”, në Dintikon dhe Wohlen, ku nxënësit, nën kujdesin e mësueses Elfete Hysenaj Gashi, kanë zhvilluar një orë mësimore kushtuar festës sonë kombëtare. Përmes një mësimi të ndërthurur me histori, art dhe krijimtari, fëmijët kanë mësuar më shumë për Shqipërinë, historinë e saj dhe rëndësinë e 28 Nëntorit. Vizatimet, këngët dhe poezitë kushtuar kësaj date të shënuar u kthyen në mënyrën më të bukur për të shprehur krenarinë për gjuhën, kulturën dhe origjinën shqiptare.

Mësuesja Elfete Hysenaj Gashi, duke përshkruar këtë aktivitet, thekson entuziazmin me të cilin nxënësit po presin festën kombëtare, duke vënë në pah rëndësinë e edukimit të brezave të rinj me dashurinë për atdheun.
Përtej një ore të zakonshme mësimi, këto aktivitete kanë një rëndësi të veçantë për fëmijët shqiptarë që rriten larg vendlindjes. Ato ndihmojnë në ruajtjen e gjuhës amtare, njohjen e historisë kombëtare dhe përcjelljen e traditave shqiptare nga një brez te tjetri.

Në prag të 28 Nëntorit, mesazhi që përcjell kjo shkollë është i qartë: dashuria për Shqipërinë dhe rrënjët shqiptare kultivohet që në fëmijëri, pavarësisht se ku jetojmë. /HALF24.ch









