Nga: Hava Kurti Krasniqi
Edhe në Zvicër, të moshuarit nuk e kanë aspak të lehtë. Me kalimin e viteve vijnë shumë sfida dhe shpesh, për shkak të shikimit të dobët, ata nuk arrijnë as të lexojnë mirë. Këtu ka pafund shoqata humanitare, madje shumë më tepër se në Kosovë. Çdo javë në postë vijnë nga dy apo tri fatura që kërkojnë donacione. Shumë të moshuar, që mezi ia dalin mbanë me pensionet e tyre, i paguajnë këto fatura gabimisht, duke menduar se janë pagesat mujore për rrymën, banesën apo internetin.
Por dhimbja më e madhe është vetmia. Kur një i moshuar është në prag të vdekjes në spital apo në shtëpi të pleqve, familjarët shpesh paguajnë dikë tjetër që t’i rrijë pranë deri në frymën e fundit, sepse vetë “nuk gjejnë kohë”.
Sonte, një shoqe më tregoi një histori të vërtetë nga puna e saj e tillë. Familjarët e dinin se e moshuara do të ndërronte jetë brenda dhjetë ditësh; e merrnin në telefon, por nuk shkonin ta shihnin.
Një ditë, shoqja ime hyn në dhomë dhe ia prek ballin me kujdes. E moshuara hap sytë dhe e pyet me zë të dobët:
– Po ku jam tani, ku?
Shoqja i përgjigjet:
– Je në Schmiedhof (kështu quhet vendi ku ndodhej ajo shtëpi e pleqve).
Por të moshuarës fjala Schmiedhof i tingëllon si Friedhof (varreza) dhe bërtet e frikësuar:
– Kaq herët, a?!
Ndonjëherë, prindërve dhe gjyshërve tanë nuk u duhen paratë apo luksi, por vetëm pak kohë dhe një dorë e ngrohtë pranë vetes.
Si mendoni ju, a po e humbim humanizmin në këtë ritëm të shpejtë të jetës?










































