Nga Prof. Dr. Xhavit LIPAJ
Sa herë që vjen në Kosovë, nuk mund të largohet pa u ndalur te varri i nënës së tij. Aty, mes kujtimeve dhe mallit të pashuar, gjen qetësi dhe përpiqet të bashkëbisedojë me të, sikur ajo të ishte ende pranë tij.Edhe kësaj here, gjatë qëndrimit në Kosovë, shkencëtari i njohur, atdhetari dhe bamirësi, Prof. Dr. Xhavit Lipaj, është ndalur te varri i nënës, ku ka shprehur mallin dhe ndjenjat e tij përmes një poezie prekëse, të cilën po e publikojmë më poshtë.

Librat janë lagur, nënë.
Nuk ka dert.
Ndoshta fjalët i ke marrë ti,
ndoshta i ke mbledhur një nga një,
siç mblidhje dikur shqetësimet tona,
për të na e bërë më të lehtë jetën.
Ndoshta faqet janë zbrazur nga kuptimi
se kuptimi ka gjetur strehë tek ti.
Dhe unë, përballë këtij guri,
dua të besoj se ajo që është shkruar me shpirt
mund ta kapërcejë heshtjen e vdekjes.
Por fletët kanë mbetur këtu:
të lagura, të zverdhura, të kalbura,
të prekshme si dëshmi
e brishtësisë së gjithçkaje
që ia besojmë kohës
pa ia kushtuar kujdesin tonë.

Përtej dhimbjes personale,
ato shtrojnë një pyetje etike:
çfarë vlere ka nderimi që shpallim,
nëse nuk shndërrohet në përkujdesje?
Sa e qëndrueshme është kujtesa jonë,
nëse jeton vetëm në fjalë,
në përvjetorë,
në çaste mallëngjimi,
dhe pastaj mbetet e pambrojtur
përballë shiut dhe harresës?
Kujtesa ka nevojë për praninë tonë.
Ajo kërkon vazhdimësi,
një vetëdije që e lidh dashurinë me veprimin
dhe respektin me përgjegjësinë.
Se çdo gjurmë që ruajmë nga të dashurit
bëhet pjesë e marrëdhënies sonë me të shkuarën, e mënyrës se si e kuptojmë veten
dhe e asaj që zgjedhim t’u lëmë atyre që vijnë.
Një libër pranë varrit të nënës
mbart më shumë se tekstin e faqeve të tij.
Ai është përpjekja e një biri
për ta vazhduar bisedën aty ku zëri është ndalur;
është mirënjohje që kërkon një formë të prekshme, mall që kërkon një vend ku të pushojë, dashuri që ende dëshiron t’i tregojë nënës çfarë ka menduar, çfarë ka shkruar,
çfarë është bërë.
Prandaj, përballë këtyre fletëve,
edhe unë jam brenda pyetjes që shtroj.
Përgjegjësia e përbashkët fillon
kur secili pranon pjesën e vet.
Përndryshe, fjala «të gjithë»
rrezikon të bëhet një hapësirë pa emër,
ku detyrimi kalon nga njëri tek tjetri
derisa askush nuk e merr përsipër.
Shiu ka rënë mbi letër.
Për kujdesin që i kemi kushtuar kujtesës
duhet të përgjigjemi ne.
Librat janë lagur, nënë.
Për fjalët dua të besoj
se i ke marrë ti,
se i ke lexuar në atë heshtje
ku unë ende të kërkoj.
Por fletët e lagura dhe të kalbura
na mbeten neve:
si dëshmi,
si pyetje,
si detyrim moral.
Le të rëndojë përgjegjësia mbi ndërgjegjen e secilit, aq sa duhet për t’u kthyer në kujdes.
Se kujtesa që u detyrohemi të dashurve
merr dinjitet nga ajo që bëjmë për ta ruajtur.
Vetëm kështu …










































