HomeAtdheuA PO I ÇORIENTON PUSHTETI PROTESTAT E STUDENTËVE?

A PO I ÇORIENTON PUSHTETI PROTESTAT E STUDENTËVE?

-

Nga Shefqet Cakolli

Jemi të gjithë dëshmitarë të protestave në Shqipëri, që nga java e fundit e majit, me të ashtuquajturin “Revolucioni i Flamingove”, për të vijuar me protestat për Zvërnecin dhe Sazanin, e deri te zhvillimet e nëntë ditëve të fundit.

Deri para nëntë ditësh, protestat ishin kryesisht paqësore. Megjithatë, përballë kërkesave të protestuesve, në vlerësimin tim, qeveria nuk tregoi seriozitetin e duhur dhe nuk ndërmori hapa që do ta qetësonin situatën. Shpesh, mënyra e reagimit të saj më krijonte përshtypjen se po tallej me ta.

Sikur të kishte marrë shembull nga Serbia, ku protestat vazhdojnë dhe pushteti qëndron i palëkundur, edhe qeveria Rama dukej se po ndiqte të njëjtën logjikë: një ditë protestuesit do të lodhen dhe do të kthehen në shtëpi. Ndërkohë, ajo do të vazhdonte me reformat e veta, pavarësisht akuzave për korrupsion dhe procedimeve ndaj zyrtarëve të lartë.

Gjatë këtyre nëntë ditëve, personalisht kam qenë i lidhur pothuajse pa ndërprerje me mediat tona. Kam ndjekur transmetime të drejtpërdrejta, analiza e komente, si dhe kam biseduar me miqtë e mi në Shqipëri, në Tiranë e gjetiu.

Dhe çfarë përfundimi nxora nga e gjithë kjo?

Në ditët e para, kur protestat u përshkallëzuan, mendoja se në djegien e institucioneve mund të kishin dorë edhe shërbime të huaja. Kjo ishte përshtypja edhe me mënyrën si i kuptoja deklaratat e kryeministrit Edi Rama.

Thënë të drejtën, nuk më pëlqente aspak dhuna: as ajo e protestuesve dhe as dhuna e policisë ndaj të rinjve protestues, e cila në shumë prej pamjeve që ndoqa, më dukej e pajustifikuar.

Ditët kalonin dhe dhuna shtohej. Për gati shtatë ditë, pamjet ishin thuajse të njëjta: djegie institucionesh, gaz lotësjellës, makina ujëhedhëse, plumba gome, dhe gurë që shkuleshin nga trotuaret, thënë shkurt lëndime nga të dy anët. Të nesërmen, pashë edhe largimin e tyre në masë me makineri nga autoritetet bashkiake.

Për mua, këto pamje ishin një shëmtim i qytetit dhe një dëmtim i trashëgimisë sonë. Ndoshta gurët dhe trotuaret do t’i riparojmë, por imazhin para botës nuk do ta riparojmë aq lehtë.

Në ditën e tetë vërejta një ndryshim në mënyrën si zhvillohej protesta. Nga ndjekja e transmetimeve më lindi dyshimi se po përsëritej një skenar provokimesh që pasohej nga ndërhyrja e policisë.

Po paraqes tri rastet që më shtynë drejt këtij dyshimi, ashtu siç i pashë dhe i kuptova nga transmetimet e drejpërdrejta.

Rasti i parë: te Ministria e Arsimit!

Bashkimi i pedagogëve dhe i mësimdhënësve të universiteteve publike me studentët më la përshtypje të mirë. Mendova se prania e tyre do ta forconte protestën dhe do të ndihmonte në ruajtjen e qetësisë.

Protesta vijoi nga Universiteti Politeknik, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë dhe më pas te Ministria e Arsimit. Ishte një protestë që më dukej normale, dinjitoze dhe masive.

Përballë kordonit të policisë kishte studentë, intelektualë, pedagogë, prindër dhe qytetarë. Disa pedagogë përpiqeshin ta menaxhonin situatën, duke mos i lejuar protestuesit të afroheshin te efektivët.

Në atë moment, disa të rinj me maska, të veshur në të zeza dhe të pajisur me gurë në gjepa, filluan të hidhnin drejt Ministrisë së Arsimit dhe policisë. Më pas humbën nga pamja dhe nuk arrita ta kuptoja nga u larguan.

Pas kësaj me një here nisi ndërhyrja me ujë dhe gaz lotësjellës, pa paralajmëruar fare.

Nga këndvështrimi im, veprimet e atyre personave u bënë shkas për ndërhyrje ndaj gjithë turmës. Pedagogët përpiqeshin ta qetësonin situatën, duke u kërkuar efektivëve të tërhiqeshin dhe të mos hidhnin gaz e ujë mbi protestuesit.

Këtu më lindi pyetja: kush ishin ata persona dhe përse pasojat e veprimeve të tyre duhej t’i vuanin të gjithë të pranishmit – protestuesit?

Rasti i dytë: përpara Kryeministrisë!

Kur turma u kthye te Kryeministria, protestuesit qëndronin përballë kordonit të policisë. Efektivët ishin të pajisur me mjete mbrojtëse dhe pranë tyre ndodheshin makinat ujëhedhëse.

Kërkohej ruajtja e një distance, për respektimin e së cilës kujdeseshin edhe disa organizatorë vullnetar. Pavarësisht këmbënguljes së disa individëve që afroheshin, situata më dukej përgjithësisht e qetë, pa ndonjë incident të rëndësishëm në pamjet që ndiqja.

Në një moment, në anën e djathtë të Kryeministrisë, pranë zonës ku ndodheshin policët dhe makina ujëhedhëse, vërejta tre apo katër të rinj, po ashtu me maska dhe të veshur në të zeza. Nga afërsia e shkurreve filluan të hidhnin mjete piroteknike drejt policisë.

Pas krismave menjëhere nisin hedhja e gazit, e ujit, e plumbave të gomës dhe shpërndarja e turmës, e cila deri në atë çast më ishte dukur e qetë.

Përsëritja e kësaj radhe veprimesh më shtoi dyshimet te disa persona që nxisnin provokimin, ndërsa pasojat i vuante e gjithë masa, dhe më dukej si një kordinim mes policisë dhe atyre që po gjuanin në ato momente qetësije.

Më pas filluan ndjekjet dhe arrestimet. Në pamjet që ndoqa shiheshin njerëz të lodhur apo të prekur nga gazi, nga plumbat e gomës, të cilët nuk arrinin të largoheshin. Ndërhyrja vazhdonte në rrugët ku shpërndaheshin protestuesit dhe më krijonte përshtypjen e një ndjekjeje pa dallim.

Nuk po kuptoja më, po shpërndahej protesta, po ndiqeshin personat që kishin ushtruar dhunë, apo po frikësoheshin edhe pjesëmarrësit paqësorë?

Gjatë largimit u panë edhe kosha mbeturinash në flakë, që e rëndonin më tej ajrin e mbushur me gaz lotësjellës. Edhe këto veprime janë të dënueshme, por nga transmetimet nuk mund të përcaktoja identitetin dhe përkatësinë e personave që i kryenin.

Rasti i tretë: vajzat përballë makinës ujëhedhëse !

Pas përplasjeve, një pjesë e protestuesve u rigrumbullua në një kryqëzim pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Në rreshtin e parë kishte disa vajza shumë të reja, të cilat, për mua, treguan një qëndresë të jashtëzakonshme për kauzën e tyre.

Ato protestonin përballë policisë dhe në ato momente nuk pashë të ushtronin dhunë apo të hidhnin sende drejt policisë, thjesht ishin lidhur duar me duar dhe po brohorisnin, dorëheqje apo gjëra tjera.

Në një çast, dy të rinj me maska dhe të veshur në të zeza erdhën nga pas dhe hodhën gurë drejt autobotit me ujë dhe efektivëve. Në transmetimin që ndiqja dallova vetëm dy hedhje, gurësh, bile as mjete piroteknike jo.

Menjëherë pas kësaj nisi përdorimi i ujit me presion, kush e di si po përflitet edhe me kemikale në te, dhe i gazit ndaj protestuesve, drejt vajzave në rend të parë.

Katëra prej vajzave u ulën përballë makinës ujëhedhëse, duke u përpjekur t’ia ndalonin lëvizjen e autobotit. Ato u goditën nga një rrymë uji që, nga pamjet, dukej se dilte nga pjesa e poshtme e mjetit, me presion shumë të lartë. Ishin pamje që më tronditën.

Më pas efektivët i larguan nga rruga me dhunë dhe ndërhyrja e ndjekja e turmës vazhdoi. Në transmetime u shfaqën ndjekje e arrestime edhe në rrugica dhe ambiente lokalesh. Pashë gjithashtu persona të maskuar, të veshur në të zeza, fare pranë disa restoranteve që po vepronin si pararoj e këtyre veprimeve, pa mundur të përcaktoja identitetin apo rolin e tyre.

Kush po e nxit përplasjen?

Pas këtyre tri rasteve, pyetja ime është: kush janë personat që sulmojnë dhe krijojnë shkas për ndërhyrjen e policisë?

A mund të jenë të porositur nga pushteti për ta bërë pis protestën dhe për ta paraqitur si të dhunshme? A po përdoren provokimet e tilla, për ta shpërndarë një lëvizje që për muaj të tërë ishte kryesisht paqësore?

Këto janë dyshimet e mia nga ajo që kam ndjekur. Pamjet, më vete, nuk më japin mundësi të provoj se kush i drejton personat e maskuar. Por përsëritja e këtyre skenave kërkon shpjegim dhe hetim të pavarur.

Nuk më bind që gjithçka të shpjegohet përmes përmendjes së shërbimeve iraniane, arabe, izraelite, serbe apo ruse. Më shqetëson edhe përpjekja për t’i dhënë protestës ngjyrim fetar, politik apo rajonal, duke e larguar vëmendjen nga kërkesat e studentëve.

Dyshimi im kryesor është se pushteti mund ta shfrytëzojë, apo edhe ta nxisë përmes provokatorëve të vet, dhunën për ta konsumuar protestën dhe për ta paraqitur si kërcënim për rendin.

A është i gatshëm Edi Rama ta lërë vendin të përfshihet në këtë përplasje, vetëm që të mbetet në pushtet? Kjo është pyetja politike që shtroj, ndërsa përgjegjësia për menaxhimin e situatës rëndon mbi qeverinë që ai drejton.

Në gjykimin tim, pasi e ka dobësuar rëndë opozitën, pushteti përfiton edhe nga dobësimi i protestës studentore dhe nga zhvendosja e debatit prej kërkesave të saj te dhuna.

Si do të vijojë situata, do ta shohim. Në pamjet e protestës së sotme, edhe pse me një arësye se ishte nën shi, më dukej se kishin rënë pjesëmarrja dhe intensiteti. Kam frikë se protesta mund të shuhet gradualisht nga lodhja, frika dhe përplasjet, qofshin ato të kordinuara nga dikush, pa marrë përgjigje për kërkesat e vet studentëve.

Ndërkohë, duhen sqaruar edhe lajmet për shpërblimet e kryeministrit Edi Rama prej 2.500 eurosh për çdo efektivë, si dhe pretendimet se faturat e dëmeve do t’u ngarkohen prindërve. Nëse këto njoftime qëndrojnë, mbi ç`farë baze janë marrë vendimet dhe si do të përcaktohet përgjegjësia individuale?

Si mërgimtar, më dhemb ajo që shoh. Më dhembin të rinjtë, që sakatohen, shpohen e maltretohen nëper komisariate, më dhembin edhe policët e shkret, më dhemb dhuna dhe më dhemb imazhi i Shqipërisë. Por, pas këtyre ditëve, shqetësimit tim i është shtuar edhe një dyshim i fortë: mos vallë protesta po çorientohet që kërkesat e saj të mbeten pa përgjigje?

Studentëve u duhen përgjigje. Ndërsa publikut i duhet e vërteta për personat që nxisin dhunën dhe për mënyrën si po menaxhohet protesta.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

FLAMURI AMERIKAN NJË SIMBOL I KUJTESËS, SOLIDARITETIT DHE MIRËNJOHJES

0
Nga Agim Rexhepi Ky flamur qëndroi në gjysmë shtizë para shtatores së Shenjtores Nënë Tereza në Prishtinë, më 17 shkurt 2026, gjatë ceremonisë përkujtimore kushtuar...