HomeDiasporaFestivali i librit shqip në New York, letërsi, kulturë e gjuhë shqipe...

Festivali i librit shqip në New York, letërsi, kulturë e gjuhë shqipe te shqiptarët e Amerikës

-

Nga Sokol Paja

New York, 28 Nëntor 2026- Festivali i librit shqip hapi siparin në edicionin e dytë duke bashkuar shkrimtarë, studiues, media, lexues e botues nga Amerika, Shqipëria, Kosova e trojet etnike. Ky festival letraro-kulturor i organizuar nga “Alblibris”, nismë e themeluar nga botuesi Bujar Hudhri dhe Dr. Pashko Camaj, me synimin për ta afruar letërsinë shqipe me lexuesit në Amerikë, vjen me një përfaqësim të gjerë kulturor, duke bashkuar mbi 30 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora, mbi 150 autorë shqiptarë dhe më shumë se 100 autorë ndërkombëtarë, veprat e të cilëve janë përkthyer në shqip. Festivali i këtij viti ofron mijëra libra të zhanreve të ndryshme, përfshirë botime të reja dhe titujt më të fundit të letërsisë shqipe, e bëjnë këtë panair një hapësirë të rëndësishme takimi mes autorëve, botuesve dhe lexuesve. Në organizimin dhe mbështetjen e tij janë përfshirë Friends of Alblibris, ACDA, AANO, Association of Albanian American Student Organizations, Mark Gjonaj, Lahuta dhe shumë organizata e individë dashamirës të kulturës shqiptare.

Në fjalën e mirëseardhjes bashkëthemeluesi i “AlbLibris” Dr. Pashko Camaj ekspozoi para të pranishmëve nismën për të sjellë letërsinë më të mirë shqiptare e shkrimtarët më të shquar botëror pranë mërgatës shqiptare në Amerikë. Dr. Camaj kërkoi më shumë bashkëpunim prej komunitetit dhe vëmendje të shtuar për librin shqip e kulturën shqiptare. Diplomati e shkrimtari i shquar z.Besnik Mustafaj në fjalën e tij u shpreh se kultura është jetike për ta çuar përpara kombin. Shqiptarët e Amerikës dhanë gjithçka për realizimin e aspiratave kombëtare, tha z.Mustafaj. Ai gjithashtu porositi bashkatdhetarët “përcillni dashurinë për librin shqip te fëmijët tuaj”.

Shkrimtarja dhe themeluesja e “Albas” znj.Rita Petro në fjalën e saj theksoi se panairet e librave i bashkojnë shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë e krijojnë. Panairin e librit e cilësoi si një mundësi që afron lexuesit e të gjitha moshave dhe vlerësoi shtëpinë botuese “Onufri” e Dr. Camajn për cilësinë e veprave dhe të letërsisë së botuar. Ajo u bëri thirrje si shkrimtarëve dhe botuesve për të sjellë sa më shumë libra për kulturën shqiptare dhe trashëgiminë kulturore.

Shkrimtari i shquar Visar Zhiti vlerësoi nismën kulturore të promovimit të letërsisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara. “Pa Amerikë sdo të kishte Shqipëri as Kosovë. Nga Amerika erdhi fjala, kuraja, shpresa, informacioni” tha ndër të tjera z.Zhiti. Presidenti i shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikan z.Adnan Mehmeti në fjalën e tij vlerësoi faktin e ardhjes së shkrimtarëve dhe shtëpive botuese nga të gjitha trojet shqiptare.

Veprimtari i çështjes kombëtare, humanisti Harry Bajraktari “Nderi i Kombit” vlerësoi organizimin e shkëlqyer të festivalit si një mundësi kulturore për mbarë komunitetin shqiptar në Amerikë. Presidenti i nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj përgëzoi organizatorët dhe uroi festën kombëtare.

Diplomati, gazetari dhe studiuesi Virgjil Kule në fjalën e tij e cilësoi festivalin një mundësi ku fton lexuesin te libri, kultura, tradita, historia. Z. Kule kërkoi më shumë angazhim për të sjellë letërsinë, gjuhën e kulturën shqiptare në gjuhën angleze. Diplomati Mal Berisha veçoi dhe ekspozoi rëndësinë e letërsisë diplomatike dhe kontributin e tij si diplomat duke u ndalur te vlerat e jashtëzakonshme të shkrimtarit Visar Zhiti.

Aktivistja e çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës znj.Mimoza Ferraj Kule i bëri thirrje rinisë shqiptare që për të ardhmen duhet më shumë komunikim për transformime në politikë, diplomaci e shoqëri. Ish-gazetari i Zërit të Amerikës z.Gjekë Gjonlekaj e cilësoi festivalin si një ngjarje të jashtëzakonshme kulturore për shqiptarët e Amerikës. Ai përmendi veprat e botuara nga Gjonlekaj Publishing dhe ekspozoi vështirësitë për përhapjen e librit shqip në Amerikë dhe bëri thirrje për sa më shumë libra në gjuhën shqipe.

Themeluesi i shtëpisë botuese “Onufri” dhe bibliotekës “AlbLibris” z.Bujar Hudhri në fjalën e tij trajtoi marrëdhënien e re të krijuar mes librit dhe shqiptarëve të mërguar dhe ngriti shqetësimin se problemet kulturore nuk janë në vëmendjen e qeverisë. Sfidë sipas z.Hudhri mbetet ekspozimin i mëtejshëm i letërsisë shqiptare përtej Atlantikut dhe premtoi vitin tjetër më shumë libra për lexuesin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky festival libri përfaqëson një urë lidhëse ndërmjet Shqipërisë, Kosovës, trojeve të tjera shqiptare dhe diasporës, duke e kthyer librin në një instrument të ruajtjes dhe përcjelljes së gjuhës, historisë, kulturës dhe identitetit kombëtar. Krahasuar me edicionin e kaluar, panairi i sivjetshëm dëshmon një zgjerim të ndjeshëm të pjesëmarrjes së botuesve, autorëve dhe partnerëve kulturorë, duke u shndërruar gradualisht nga një nismë e bukur në një platformë të rëndësishme kulturore për mërgatën shqiptare në Amerikë.

Festivali i librit në Amerikë po shndërrohet në një traditë të qëndrueshme vjetore dhe po shtrihet në qytete të tjera ku jeton një numër i madh shqiptarësh, si Boston, Philadelphia, Chicago, Michigan, Florida, Toronto dhe Montreal. Mbi të gjitha, ky festival nuk është thjesht një panair librash, por një mision kulturor e kombëtar: të mbajë gjallë gjuhën shqipe, të forcojë lidhjet e diasporës me atdheun dhe t’ua përcjellë trashëgiminë tonë kulturore brezave që vijnë./GD

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Protesta 28 nëntorit/ Ministria e Shëndetësisë: 61 të lënduar, pesë vijojnë...

0
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar përditësimin paraprak mbi personat që kërkuan ndihmë mjekësore pas protestës së 28 nëntorit 2026, bazuar në...

Nëntori i shqiptarëve…