Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri, ka zhvilluar një vizitë në Parlamentin e Kantonit të Bernës, së bashku me ambasadorin e Shqipërisë, Ermal Dredha, dhe ambasadorin e Kosovës, Mentor Latifi, ku janë pritur nga deputetja Shasime Osmani.

Në një postim lidhur me këtë vizitë, siç mëson HALF24.ch ambasadori Demiri e ka cilësuar takimin si një mundësi të çmuar për bashkëbisedim të përzemërt dhe shkëmbim mendimesh, në frymën e respektit të ndërsjellë, miqësisë dhe bashkëpunimit me institucionet zvicerane. Demiri ka shprehur mirënjohje për deputeten Shasime Osmani për pritjen e ngrohtë dhe fjalët vlerësuese, duke theksuar kënaqësinë për përfaqësimin dhe kontributin e bashkatdhetarëve në jetën institucionale dhe demokratike të Zvicrës. Ai gjithashtu ka shprehur falënderime të veçanta për nënkryetarin e Parlamentit të Kantonit të Bernës për mikpritjen e treguar gjatë vizitës. Sipas ambasadorit Demiri, takime të tilla kanë rëndësi të veçantë për forcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve dhe Zvicrës, si dhe për ndërtimin e urave të miqësisë, dialogut dhe bashkëpunimit institucional. /HALF24.ch









