HomeKulturaAli Aliu nderohet me Çmimin Ndërkombëtar “Azem Shkreli”, përmbyllet Festivali i Letërsisë...

Ali Aliu nderohet me Çmimin Ndërkombëtar “Azem Shkreli”, përmbyllet Festivali i Letërsisë në Pejë

-

Mbi 150 krijues vendorë dhe ndërkombëtarë u mblodhën për pesë ditë në Pejë, në një festival që promovoi letërsinë, poezinë dhe bashkëpunimin kulturor ndërkombëtar.

Me ndarjen e Çmimit Ndërkombëtar “Azem Shkreli”, në Pejë është përmbyllur Festivali i Letërsisë, i cili për pesë ditë me radhë mblodhi mbi 150 krijues nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme evropiane.

Çmimi i sivjetmë iu nda akademikut dhe kritikut letrar Ali Aliu, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij shumëvjeçar në studimin, kritikën dhe promovimin e letërsisë shqipe.

Duke folur pas marrjes së çmimit, Aliu e cilësoi këtë vlerësim si një moment me rëndësi të veçantë personale dhe profesionale, duke theksuar lidhjen e tij të gjatë me krijimtarinë letrare dhe punën me studentë e krijues.

“ Kjo ngjarje, në moshën që kam unë, ka kuptime jetësore, do të thosha, për punën time në krijimtari, por edhe për jetën time të gjatë, për punën time me studentë, me krijues”, u shpreh Ali Aliu.

Peja, në qendër të jetës letrare dhe kulturore

Gjatë pesë ditëve të festivalit, qyteti i Pejës u shndërrua në një pikëtakim për autorë, studiues dhe dashamirë të letërsisë. Programi përfshiu promovime librash, aktivitete kulturore dhe takime që krijuan mundësi për shkëmbimin e përvojave mes krijuesve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Pejë, Xhenet Syka-Kelmendi, vlerësoi pjesëmarrjen e gjerë dhe rëndësinë e festivalit për jetën kulturore të qytetit.

“Është një javë fantastike, e jashtëzakonshme, në Pejë. Kryeqyteti i javës ishte festivali i letërsisë. Festivali mblodhi më tepër se 150 krijues nga e gjithë rajoni, por edhe mysafirë nga Kroacia, Sllovenia, Italia, Malta”, tha Syka-Kelmendi.

Pjesëmarrja e mysafirëve nga vende të ndryshme evropiane i dha festivalit karakter ndërkombëtar, duke krijuar hapësirë për bashkëpunime të reja në fushën e letërsisë, përkthimit dhe promovimit të kulturave të ndryshme.

Letërsia si urë bashkëpunimi ndërkombëtar

Një nga aspektet e rëndësishme të festivalit ishte edhe shkëmbimi kulturor ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera. Drejtoresha e Përgjithshme e Bibliotekave të Maltës, Cheryl Falzon, shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në festival dhe për bashkëpunimin e krijuar me institucionet kulturore në Kosovë.

Ajo theksoi se bashkëpunimi me Bibliotekën për Fëmijë në Prishtinë ka rezultuar me nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi dhe me përkthimin e librave nga shqipja në gjuhën malteze dhe anasjelltas.

“Jam e lumtur që jam këtu për të kremtuar letërsinë dhe poezinë dhe për të ndarë përvojat tona. […] Kemi përkthyer një libër nga shqipja në gjuhën malteze dhe një libër maltez në shqip. Sigurisht, ky bashkëpunim do të vazhdojë”, deklaroi Falzon.

Ajo vlerësoi potencialin krijues në Kosovë dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e projekteve të përbashkëta kulturore.

Kulturë, ndërgjegjësim dhe trashëgimi

Përveç aktiviteteve letrare, festivali përfshiu edhe veprimtari që synuan promovimin e trashëgimisë kulturore dhe rritjen e ndërgjegjësimit shoqëror. Në kuadër të Tetorit Rozë, u organizuan aktivitete sensibilizuese për kancerin e gjirit, duke ndërthurur artin dhe kulturën me mesazhe për rëndësinë e shëndetit dhe informimit publik.

Përmbyllja e festivalit me ndarjen e Çmimit Ndërkombëtar “Azem Shkreli” shënoi kulmin e një programi që bashkoi krijues nga vende të ndryshme dhe afirmoi rolin e Pejës si një hapësirë e rëndësishme për zhvillimin e jetës letrare dhe kulturore.

Përmes promovimit të autorëve, shkëmbimit të përvojave dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, Festivali i Letërsisë synon të kontribuojë në pasurimin e skenës kulturore dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet krijuesve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Mbi një miliard njerëz në botë jetojnë me obezitet, OBSH dhe...

0
Obeziteti po shndërrohet në një nga sfidat më serioze të shëndetit publik në nivel global. Për herë të parë, në vitin 2025, numri i...