Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja prezantoi sot në Kuvend projektligjin e ri “Për donacionet dhe sponsorizimet”, i cili synon të krijojë mekanizma të rinj për mobilizimin e kapitalit privat në mbështetje të kulturës, artit, sportit dhe fushave të tjera me interes publik. Gjatë fjalës së tij, Gonxhja theksoi se nisma vjen si përgjigje ndaj zhvillimeve ekonomike dhe sociale të Shqipërisë, si dhe nevojës për instrumente moderne financimi.
“Shqipëria nuk është më ajo e tri dekadave më parë dhe as e një dekade më parë. Vendi ynë ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme në sektorët e turizmit, kulturës dhe sportit, duke e shndërruar këtë hapësirë në një nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik”, u shpreh Gonxhja.
Duke prezantuar mekanizmat kryesorë të projektligjit, ministri u ndal te krijimi i një instrumenti të ri për financimin e kulturës, artit dhe sportit përmes përfshirjes më të madhe të sektorit privat. Sipas tij, në vitin 2024 financimi total në sport ishte rreth 448 milionë lekë, nga të cilat vetëm 50 milionë lekë, ose 11,2%, vinin nga sponsorizimet private.
“Projektligji parashikon një mekanizëm lehtësues për subjektet që sponsorizojnë aktivitete në kulturë, art dhe sport, duke u mundësuar njohjen si zbritje të një vlere deri në 30% të tatimit mbi fitimin të paguar në vitin paraardhës. Kjo lehtësi do të ketë një kufi maksimal prej 30 milionë lekësh në vit për çdo sponsor dhe një tavan kombëtar prej 2 miliardë lekësh në vit”, tha Gonxhja.
Një tjetër risi, sipas ministrit, është mundësia e mbështetjes së drejtpërdrejtë të sportistëve dhe artistëve që përfaqësojnë Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare.
“Përtej efektit të drejtpërdrejtë te përfituesit, ky mekanizëm sjell edhe një përfitim të madh fiskal për shtetin, ai shërben si incentivë e drejtpërdrejtë për formalizimin e ekonomisë”, theksoi Gonxhja.
Gonxhja vuri në dukje se shtylla e dytë e projektligjit lidhet me zgjerimin e fushave që mund të përfitojnë nga donacionet dhe sponsorizimet.
“Për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, thelbi i këtij projektligji lidhet me bindjen se kultura dhe sporti nuk duhen parë më si thjesht një faturë shpenzimesh buxhetore, por si investime strategjike me një vlerë të trefishtë: ekonomike, shëndetësore dhe shoqërore”, tha Gonxhja. Duke u ndalur tek ndikimi i aktiviteteve kulturore dhe sportive në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale, Gonxhja tha se “eventet ndërkombëtare aktivizojnë zinxhirin e shërbimeve, përfshirë strukturat akomoduese, gastronominë, transportin, tregtinë dhe kompanitë vendase”.
Në këtë kontekst, Gonxhja solli si shembuj zhvillimin e tri etapave të Giro d’Italia në Shqipëri në vitin 2025, ku 42% e spektatorëve qëndruan të paktën një natë në vend, si dhe koncertin e YE në Tiranë, që sipas tij mblodhi rreth 60 mijë spektatorë, prej të cilëve 27 mijë vizitorë të huaj nga 88 shtete.
“Përmes këtij projektligji, ne ulim presionin mbi buxhetin e shtetit, e ndajmë koston e organizimit me sektorin privat dhe krijojmë mundësinë që eventet tona të rrisin cilësinë dhe konkurrueshmërinë në tregun ndërkombëtar”, deklaroi Gonxhja./BS









