Shoqata Zvicerane e Punonjësve të Bankave (SBPV) ka paralajmëruar se më shumë se 10 mijë vende pune në Zvicër mund të rrezikohen në rast se banka e madhe UBS vendos ta zhvendosë selinë e saj jashtë vendit, si pasojë e kërkesave më të ashpra për kapital, transmeton 20min.ch. Debati është nxitur nga propozimi për forcimin e rregullave bankare në kuadër të të ashtuquajturës “Lex UBS”, me qëllim mbrojtjen e taksapaguesve zviceranë nga pasojat e mundshme të një krize të re bankare. Komisioni i Ekonomisë i Këshillit Kombëtar kërkon që UBS të mbulojë me kapital bazë të cilësisë më të lartë 90 për qind të pjesëmarrjeve të saj në filialet jashtë Zvicrës. Ndërkaq, Qeveria Federale kishte propozuar që kjo mbulim të arrinte në 100 për qind. Në një apel drejtuar Parlamentit dhe Qeverisë zvicerane, i cili është publikuar nga gazeta “20 Minuten”, Shoqata e Punonjësve të Bankave kërkon që këto kërkesa të rishikohen dhe të mos rrezikojnë selinë qendrore të UBS-së në Zvicër, si dhe mijëra vende pune që lidhen me aktivitetin e saj. Sipas sindikatës, forcimi i kapitalit është i rëndësishëm për stabilitetin e sistemit financiar, por rregullat nuk duhet të tejkalojnë ndjeshëm standardet ndërkombëtare. Përndryshe, ekziston rreziku që UBS të zhvendosë selinë e saj ose të përfundojë nën pronësinë e një banke të madhe ndërkombëtare. Një skenar i tillë, sipas organizatës, mund të çojë në zhvendosjen e më shumë se 10 mijë vendeve të punës, ndërsa pasojat do të ndiheshin edhe nga kompanitë furnizuese, bankat e tjera dhe ofruesit e shërbimeve.
Sindikata kërkon trajtim të barabartë për punonjësit e bankave
Në apelin e saj, organizata ka kritikuar edhe atë që e konsideron trajtim të pabarabartë të sektorit bankar në raport me industrinë. Ajo rikujton se kur fabrikat zvicerane të çelikut u përballën me vështirësi, Parlamenti miratoi brenda një kohe të shkurtër masa të gjera mbështetëse për industrinë. Sipas sindikatës, për mbrojtjen e vendeve të punës në sektorin bankar nuk po tregohet i njëjti angazhim. Përveç rishikimit të kërkesave për kapital, SBPV kërkon edhe plane sociale të detyrueshme dhe afatgjata për bankat me rëndësi sistemike. Këto plane, sipas saj, duhet të negociohen me përfaqësuesit e punonjësve dhe të financohen nga vetë bankat.
Zvicra synon të shmangë një krizë të ngjashme me Credit Suisse
Nga ana tjetër, autoritetet zvicerane synojnë të forcojnë legjislacionin bankar për të parandaluar përsëritjen e një krize të ngjashme me atë të vitit 2023, kur falimentimi i Credit Suisse shkaktoi tronditje të mëdha në sistemin financiar zviceran. Përmes rregullave të reja synohet që, në rast se një filial i një banke zvicerane jashtë vendit përballet me probleme financiare, selia qendrore në Zvicër të ketë rezerva të mjaftueshme kapitali për të përballuar pasojat, pa e ngarkuar shtetin dhe taksapaguesit.
Ministrja zvicerane e Financave, Karin Keller-Sutter, ndërkohë e konsideron të vogël rrezikun që UBS të largohet nga Zvicra. Një studim i departamentit të saj ka vlerësuar se zhvendosja e bankës në Shtetet e Bashkuara do të ishte e ndërlikuar dhe se përparësitë e mundshme të një lëvizjeje të tillë mund të neutralizoheshin shpejt nga kërkesat rregullatore. Debati tashmë pritet të vazhdojë në Parlamentin zviceran, ku duhet të gjendet një balancë mes forcimit të sigurisë financiare, mbrojtjes së taksapaguesve dhe ruajtjes së mijëra vendeve të punës në sektorin bankar, transmeton 20min.ch, përcjell HALF24.ch.









