Këshilli i Qytetit të Nju-Jorkut ka miratuar një rezolutë që e përcakton 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila do të njihet çdo vit në këtë qytet. Nisma vlerëson historinë shqiptare dhe kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan në jetën e qytetit.
Një lajm i rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vjen nga New Yorku, ku Këshilli i Qytetit ka miratuar një rezolutë për njohjen e 28 Nëntorit si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, transmeton albinfo.
Rezoluta me numër 0186-2026 u miratua më 19 nëntor 2026, gjatë mbledhjes së Këshillit të Qytetit të New Yorkut. Përmes saj, 28 Nëntori përcaktohet si datë që do të njihet çdo vit në këtë qytet në nderim të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.
Nisma u propozua nga këshilltarja e qytetit Amanda C. Farías, ndërsa në mbështetje të saj u bashkuan edhe këshilltarë të tjerë, përfshirë Shirley Aldebol, Farah N. Louis dhe Frank Morano.
Në dokumentin e rezolutës theksohet rëndësia e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe kontributi i tij në zhvillimin e jetës kulturore dhe ekonomike të New Yorkut. Sipas të dhënave të përfshira në dokument, në pesë lagjet administrative të qytetit jetojnë mbi 100 mijë banorë me prejardhje shqiptare, me përqendrim të veçantë në Bronx dhe Staten Island.
Dokumenti rikujton gjithashtu historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për pavarësinë dhe shtetësinë e Shqipërisë.
Miratimi i kësaj rezolute përbën një njohje simbolike të rëndësishme për shqiptarët që jetojnë në New York, duke i dhënë 28 Nëntorit një vend të veçantë në kalendarin e njohjeve zyrtare të qytetit.
Duhet theksuar se bëhet fjalë për një rezolutë të Këshillit të Qytetit që njeh këtë datë çdo vit si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, dhe jo për shpalljen e saj si ditë pushimi zyrtar për qytetin, transmeton Demokracia









