HomeKultura„Ti je djali im, por nuk e di emrin tënd“

„Ti je djali im, por nuk e di emrin tënd“

-

Nga: Prof. Dr.Xhavit LIPAJ

Gjatë punës sime takova një nënë dhe të birin. Ajo i bëri vend pranë dritares dhe e pyeti nëse kishte ngrënë. Ishte një pyetje e zakonshme, nga ato që shumë prej nesh i kanë dëgjuar aq shpesh prej nënës, sa rrallë ndalemi të mendojmë çfarë ka brenda tyre.

Pak më vonë, ajo e pyeti si e kishte emrin.

Ai ia tha.

Kur ajo e pyeti përsëri, të birit iu mbushën sytë me lot. Nëna e vuri re.

Pse qan?

Jo, jo, asgjë, i tha ai.

Pastaj ajo i tha:

Po ti je djali im, por nuk e di emrin tënd.

Që prej atij takimi, më kthehet shpesh në mendje përgjigjja e tij: „Jo, jo, asgjë“.

Nuk e di çfarë do të kishte thënë po të kishte mundur t’i gjente fjalët. Ndoshta as ai vetë, në atë çast, nuk do të dinte ta shpjegonte pse dhemb kaq shumë kur nëna të pyet për emrin.

Emrin tonë e dinë shumë njerëz. Por secili prej nesh e ka dëgjuar ndryshe në gojën e nënës. Në mënyrën si na thërriste për të ngrënë, si na qortonte apo si na përgjigjej në telefon, ka mbetur diçka nga fëmijëria jonë. Sa herë dëgjonim atë zë, dikush na njihte që prej fillimit.

Në takime të tilla mund të vijë edhe një pyetje tjetër:

Kush je ti? Çka bën në dhomën time?

Po ta dëgjosh nga vendi i të birit, ajo pyetje të lëndon. Ke ardhur të vizitosh nënën tënde dhe befas të duhet t’i shpjegosh përse je aty.

Por po ta dëgjosh nga vendi i nënës, pyetja merr një kuptim tjetër. Një burrë ndodhet në dhomën tënde. Ai sillet me afërsinë e dikujt që të njeh, ndërsa ti përpiqesh të kuptosh kush është. Edhe dy fjalët «dhomën time» meritojnë vëmendje. Ajo ende e ndien atë hapësirë si të vetën. Ka të drejtë të pyesë kush ka hyrë dhe të marrë një përgjigje që e ndihmon të ndihet e sigurt.

Këtu, për mua, fillon çështja etike.

Pyetja që të vjen vetvetiu si bir është:

A më njeh, moj nanë?

Brenda saj ka mall, dhimbje dhe ndoshta shpresën se këtë herë ajo do ta thotë emrin tënd. Por për nënën, e njëjta pyetje mund të bëhet një provë pikërisht atëherë kur ajo ka nevojë për një përgjigje.

Sa delikate është zgjedhja mes dy fjalive kaq të afërta:

A më njeh?

dhe: Jam djali yt, nanë. Kam ardhur të të shoh.

E para i kërkon asaj të të gjejë në kujtesë. E dyta i tregon kush je dhe pse je aty.

Ai takim më bëri të mendoj edhe për vetë kuptimin e fjalës „njohje“.

Çfarë duam të themi kur themi se e njohim dikë?

Mund t’ia dimë emrin, ditëlindjen dhe historinë. Por mund edhe ta vërejmë, nga një ndryshim i vogël në fytyrë, se diçka e mundon.

Atë ditë, nëna pati vështirësi me emrin e të birit. Lotët, megjithatë, ia vuri re menjëherë.

Nuk mund ta di sa nga e kaluara e tyre ishte e pranishme për të në atë çast. Di vetëm se dhimbja e tij kishte rëndësi për të.

Pse qan?

Pyetja erdhi prej saj.

Pikërisht aty e shoh domethënien e dinjitetit në përditshmërinë e kujdesit. Kur një njeri ka nevojë për ndihmën tonë, është e lehtë ta shohim marrëdhënien vetëm nga njëra anë: ne e shoqërojmë, i përgjigjemi, e ndihmojmë, përpiqemi ta qetësojmë.

Por a dimë ende ta pranojmë përkujdesjen që vjen prej tij?

Atë ditë, nëna i bëri vend të birit. E pyeti nëse kishte ngrënë. Kur i pa lotët, e pyeti pse qante.

Po ta tregoja këtë ngjarje vetëm si historinë e një nëne që harroi emrin e të birit, do t’i hiqja asaj një pjesë të asaj që bëri vetë në atë takim.

Më ka mbetur në mendje një fjalë e vogël:

„im“.

Ti je djali im, por nuk e di emrin tënd.

Ajo nuk mundi ta thoshte emrin e tij, por mundi t’i tregonte çfarë ishte ai për të.

Kjo nuk ia bënte më të lehtë dhimbjen të birit. As lotët e tij nuk ia hiqnin të ëmës peshën e asaj që sapo kishte thënë. Në atë dhomë kishte vend për të dy.

Nuk e di se cilat fjalë të atij takimi i mori i biri me vete kur doli nga dhoma.

Unë mbaj mend dy pyetjet e nënës.

Në fillim donte të dinte nëse kishte ngrënë.

Pak më vonë donte të dinte pse po qante.

Midis atyre dy pyetjeve, ajo ia harroi emrin.

Dhe po aty, në të dyja, unë e pashë duke u kujdesur për të birin.

„Edhe kur një njeri ka nevojë që ne t’ia kujtojmë të djeshmen, atij ende i përket fjala për të sotmen“.

Vetëm kështu …

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Duka zbulon prapaskenat e tentativave për Brajan Grudën

0
Presidenti i FSHF-së konfirmon se Shqipëria ka bërë disa përpjekje për të afruar sulmuesin me origjinë shqiptare në Kombëtare. Megjithatë, dëshira e futbollistit ka...