Vithkuq, Korçë | 17 nëntor 2026 – Federata e Paqes Universale Shqipëri dhe Këshilli Rajonal i Paqes Korçë organizuan në Vithkuq një veprimtari historiko-kulturore, me synim promovimin e historisë, traditave, kulturës dhe vlerave të çmuara të zonës së Vakëfeve. Në këtë veprimtari morën pjesë rreth 50 të ftuar, Ambasadorë për Paqe, drejtues të Federatës së Paqes Universale dhe personalitete të njohura të zonës. Aktivitetin e hapi z. Petrit Zeneli, historian, studiues dhe aktivist i njohur, njëkohësisht nismëtar i kësaj veprimtarie. Në fjalën e tij, ai solli në vëmendje kontributin e jashtëzakonshëm të personaliteteve të zonës së Vakëfeve në historinë dhe zhvillimin e kombit shqiptar.
Veprimtarinë e nderuan me praninë dhe mesazhet e tyre:
Z. Defrim Methasani, Kryetar i Federatës së Paqes Universale Shqipëri;
Dr. Saemira Pino, Nënkryetare e Federatës së Paqes Universale Shqipëri;
Znj. Pranvera Bejleri, Nënkryetare e Këshillit Rajonal të Paqes Korçë;
Z. Ilir Prifti, Administrator i Njësisë Administrative Vithkuq.
Një atmosferë të veçantë krijuan fëmijët e shkollës së Vithkuqit, të cilët prezantuan pasurinë kulturore të zonës përmes valleve tradicionale dhe recitimeve, duke dëshmuar rëndësinë e përcjelljes së trashëgimisë kulturore te brezat e rinj.
Në vijim, pjesëmarrësit u njohën me Federatën e Paqes Universale, misionin, parimet dhe veprimtarinë e saj. 10 personalitete nga Vithkuqi dhe zona e Vakëfeve, disa prej tyre të larguar në qytete të ndryshme si Tiranë apo Korçë, por që mendjen dhe zemrën e kanë në vendlindje, u nderuan me titullin “Ambasador për Paqe”, në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre në ruajtjen, promovimin dhe përcjelljen e vlerave historike e kulturore të zonës.
Kjo veprimtari dëshmoi edhe një herë se ruajtja e historisë, respektimi i traditave dhe promovimi i identitetit kulturor janë vlera që bashkojnë komunitetet dhe kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të mirë e më paqësore.
Historia na jep identitet, tradita na bashkon dhe vlerat tona ndërtojnë ura paqeje mes brezave!









