Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar një agjendë të re ekonomike, përmes së cilës synon që brenda katër vjetësh të zëvendësojë një miliard euro importe me produkte të prodhuara në vend. Nisma parasheh mbështetje financiare për bizneset vendore, lehtësim të procedurave administrative dhe krijimin e kushteve më të favorshme për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese. Duke folur në konferencën „The Future of Business: From Opportunity to Investment“, të organizuar nga Data4X në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, Kurti theksoi se Kosova vazhdon të importojë produkte të cilat ka mundësi dhe kapacitete t’i prodhojë vetë.
„Ne ende blejmë jashtë shumë nga ato që mund t’i prodhojmë vetë. Agjenda Një Miliard Euro ka logjikë të thjeshtë. E identifikojmë atë që e importojmë e që mund ta prodhojmë këtu, dhe pastaj e prodhojmë. Nuk është proteksionizëm një gjë e tillë. Tregjet tona vazhdojnë të mbeten të hapura dhe kompanitë tona do të konkurrojnë me kompanitë që vijnë tek ne“, deklaroi Kurti.
Sipas shifrave të prezantuara nga kryeministri, gjatë vitit 2025 Kosova ka importuar mallra në vlerë prej mbi 7 miliardë eurosh, ndërsa eksportet kanë qenë afër një miliard euro. Rreth katër miliardë euro të importeve, sipas tij, përbëhen nga produkte që mund të prodhohen brenda vendit.
Për realizimin e kësaj agjende, Qeveria planifikon të mbështesë prodhuesit vendorë përmes garancive shtetërore për kredi investive, duke synuar rritjen e prodhimit, zgjerimin e bizneseve dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Rritje e qarkullimit të bizneseve dhe eksporteve
Gjatë konferencës, Kurti prezantoi edhe disa tregues ekonomikë për vitin 2026. Sipas të dhënave të paraqitura prej tij, qarkullimi i bizneseve në nëntë muajt e parë të këtij viti ka arritur në 18.6 miliardë euro, që paraqet rritje prej 10 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Ai bëri të ditur se në muajin shtator ishin regjistruar 426 mijë vende pune, apo 12 mijë e 200 më shumë se në shtatorin e vitit 2025.
Ndërkohë, eksporti i mallrave gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026 ka arritur në 960 milionë euro, me një rritje prej 24 për qind.
Dhjetë kërkesa konkrete nga bizneset
Kurti njoftoi gjithashtu se pas takimeve me përfaqësues të komunitetit të biznesit është hartuar një plan veprimi me dhjetë kërkesa konkrete. Për secilën prej tyre, sipas tij, janë përcaktuar institucionet përgjegjëse dhe afatet për zbatimin e tyre.
Ndër masat e paralajmëruara është hyrja në fuqi, deri në fund të vitit, e ligjit për vonesat në pagesa. Sipas këtij ligji, për pagesat që vonohen më shumë se 30 ditë do të aplikohet kamatë.
Një tjetër masë është ridizajnimi i skemës së granteve, në mënyrë që mbështetja financiare për bizneset të kombinohet me kredi dhe garanci, duke u mundësuar ndërmarrjeve më shumë hapësirë për investime dhe zhvillim.
Në planin qeveritar përfshihen edhe lehtësimi i procedurave për marrjen e lejeve ujore, pajisjen me certifikata të eksportit, si dhe harmonizimi i trajtimit të humbjeve nga Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës.
Kryeministri bëri të ditur se efektet e këtyre masave do të vlerësohen në pranverën e vitit 2027, përmes analizimit të të dhënave doganore dhe tatimore.
Agjenda „Një Miliard Euro“ synon të rrisë prodhimin vendor dhe të zvogëlojë varësinë e Kosovës nga importet. Megjithatë, realizimi i këtij objektivi do të varet nga zbatimi konkret i masave, kapacitetet e prodhuesve dhe aftësia e bizneseve vendore për të konkurruar në tregun e hapur./BS









