HomeDiasporaJEHONA E LIRISË SË KOSOVËS NË ZEMËR TË MILANOS – PROMOVOHET LIBRI...

JEHONA E LIRISË SË KOSOVËS NË ZEMËR TË MILANOS – PROMOVOHET LIBRI I ARSIM MULLIQAJT NË LIBRARINË HISTORIKE “LIBRERIA BOCCA DAL 1775”

-

Përgatiti: Dashnim HEBIBI

Milano, 19 nëntor 2026– Jehona e lirisë së Kosovës u dëgjua në zemër të Milanos. Libri me titull “La mia eco per la libertà del Kosovo” (Jehona ime për lirinë e Kosovës), i autorit dhe veprimtarit të njohur Arsim Mulliqaj, që përmban rrëfime dhe dëshmi për ngjarjet e njëpasnjëshme të përjetuara nga vetë autori, u promovua pasditen e 18 nëntorit 2026 në një prej hapësirave më të veçanta kulturore të Italisë, në librarinë historike “Libreria Bocca dal 1775”, në Milano. Kjo librari konsiderohet më e vjetra në Itali, me një histori prej 251 vjetësh, dhe ndodhet në ambientet e njohura të Galleria Vittorio Emanuele II, në qendër të qytetit të Milanos. Pikërisht në këtë vend me traditë të gjatë kulturore dhe letrare, historia e Kosovës, sakrifica për liri dhe kujtimet e një pjesëmarrësi të drejtpërdrejtë të këtyre ngjarjeve morën një jehonë të veçantë.

Titullari i librarisë, Giorgio Lodetti, me shumë kënaqësi drejtoi promovimin e librit të autorit Arsim Mulliqaj, ku morën pjesë shumë dashamirës të librit, personalitete dhe të interesuar për historinë e Kosovës. Një moment veçanërisht emocionues ishte prania e aktores Giulia Trivero Gomez, e cila mori fjalën dhe interpretoi një poezi të kushëririt të saj, Francesco Bider, italianit që kishte luftuar në Betejën e Koshares, i rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Me praninë dhe fjalën e saj, aktorja Giulia Trivero Gomez i dha promovimit një dimension të veçantë emocional, duke ndarë kujtime për luftëtarin e lirisë së Kosovës, Francesco Bider, i cili u flijua për lirinë e popullit të Kosovës. Kujtimi i tij, përmes poezisë dhe rrëfimeve, riktheu në vëmendje sakrificën e një italiani që u rreshtua përkrah shqiptarëve në luftën për çlirimin e Kosovës.

Në shenjë nderimi të lartë për Francesco Biderin dhe në shenjë respekti për familjen e tij, autori i librit, Arsim Mulliqaj, kishte përgatitur një dhuratë të veçantë për aktoren Giulia: një shqiponjë të gdhendur në ar, të cilën ia vendosi në qafë. Ky gjest simbolik, i lidhur me identitetin shqiptar dhe kujtimin e luftëtarit italian, e bëri edhe më emocionuese atmosferën e promovimit. Vërtet, ishte një ngjarje që preku zemrat e të pranishmëve.

Autori i librit “La mia eco per la libertà del Kosovo”, Arsim Mulliqaj, nuk arriti t’i rrëfente të gjitha ngjarjet dhe dëshmitë e përfshira në veprën e tij, pasi pas secilit rrëfim qëndrojnë dhimbje, kujtime dhe përjetime të rënda personale. Për këtë arsye, fjalën e mori edhe dott.ssa Abela Tota, e cila me shumë përpikëri dhe ndjeshmëri shtjelloi një pjesë të librit, duke ua paraqitur të pranishmëve përmbajtjen dhe rëndësinë e dëshmive të autorit, para drejtuesit të librarisë dhe publikut të pranishëm.

Në këtë promovim mori pjesë edhe prof.ssa Domenica Alessia Cardigliano, e cila shprehu interesim të veçantë për librin dhe për rrëfimet e autorit Arsim Mulliqaj.

Pjesëmarrjen e pasuroi gjithashtu mësuesi i shkollës shqipe në Milano, Alban Gjata, së bashku me mikun e tij, Gëzimin. I pranishëm ishte edhe shqiptari Endri Musabelliu, i cili iu bashkua ngjarjes me shumë kënaqësi. Ndërkohë, studentja Greta Porta fotografoi gjatë gjithë kohës ambientet e librarisë madhështore, duke dokumentuar momente nga ky aktivitet kulturor. Një veçori tjetër e këtij promovimi ishte fakti se e gjithë ngjarja u transmetua drejtpërdrejt përmes Diretta Streaming, duke u dhënë mundësi shumë të interesuarve që ta ndiqnin aktivitetin edhe nga distanca. Ndër ata që përcollën ngjarjen ishte edhe dott. Dritan Zoto, i cili kishte shkruar një koment të veçantë. Komenti i tij u lexua nga drejtuesi i librarisë, Giorgio Lodetti, duke e bërë të pranishëm edhe zërin e atyre që e ndoqën promovimin përmes transmetimit të drejtpërdrejtë.

Një libër me 20 kapituj dhe dëshmi të drejtpërdrejta për historinë e Kosovës

Libri i autorit Arsim Mulliqaj, “La mia eco per la libertà del Kosovo”, është botuar gjatë muajit mars të vitit 2026 dhe është i disponueshëm për lexuesit përmes platformës Amazon. Vepra është përgatitur në gjuhën italiane, me synimin që publiku italian të njihet më nga afër me historinë, përjetimet dhe ngjarjet që lidhen me luftën për lirinë e Kosovës. Libri përbëhet nga 20 kapituj dhe sjell dëshmi e rrëfime për ngjarjet që autori i ka përjetuar personalisht. Në faqet e tij, Arsim Mulliqaj paraqitet jo vetëm si rrëfyes i historisë, por edhe si një njeri që ka kaluar nëpër etapa të ndryshme të jetës, duke i përjetuar ngjarjet nga këndvështrimi i një djaloshi, nxënësi, studenti dhe pjesëmarrësi në rrugëtimin drejt lirisë së Kosovës. Ndoshta, kjo vepër është ndër librat e rrallë në Itali, e ndoshta i vetmi në gjuhën italiane me një rrëfim të tillë personal, që përmes dëshmive të drejtpërdrejta sjell për lexuesin italian ngjarje të përjetuara nga një djalosh, një nxënës, një student dhe një pjesëmarrës në luftën për lirinë e Kosovës, që është vetë autori, Arsim Mulliqaj. Ky promovim në Milano dëshmoi se historia e Kosovës vazhdon të zgjojë interesim edhe përtej kufijve shqiptarë. Përmes librit të tij, Arsim Mulliqaj përcjell një pjesë të kujtesës historike dhe personale, duke e sjellë atë në gjuhën italiane dhe duke e bërë të qasshme për një publik më të gjerë. Në përfundim të kësaj ngjarjeje madhështore, pronari i librarisë ofroi pije freskuese për të pranishmit, ndërsa promovimi u shndërrua në një takim të ngrohtë, të shoqëruar edhe me atmosferë festive. Autori, Arsim Mulliqaj, i falënderoi të gjithë të pranishmit, pjesëmarrësit, kontribuuesit dhe ata që e ndoqën aktivitetin përmes transmetimit të drejtpërdrejtë. Nga zemra e Milanos, përmes një libri në gjuhën italiane, jehona e lirisë së Kosovës vazhdon të përcillet te brezat dhe te publiku ndërkombëtar.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Si u prit Shpallja e Pavarësisë në qytetet e Çamërisë në...

0
Nga: Arben Iliazi Para vitit 1912, klubet patriotike të Çamërisë luajtën një rol vendimtar në zgjimin kombëtar, ruajtjen e identitetit shqiptar dhe përgatitjen e terrenit...

Ky është një burrë kombi