HomeKulturaANGELA KOSTA VLERËSOHET ME GRADËN: AKADEMIKE HONORIS CAUSA NË SHKENCAT FILOZOFIKE E...

ANGELA KOSTA VLERËSOHET ME GRADËN: AKADEMIKE HONORIS CAUSA NË SHKENCAT FILOZOFIKE E LETRARE DHE AMBASADORE E KULTURËS NDËRKOMBËTARE 

-

Nga Sabrina Morelli 

Më 14 nëntor 2026, në Castiglion Fiorentino (Itali), në provincën e Arezzos, shkrimtarja, poetja, publicistja, përkthyesja, eseistja dhe promovuesja ndërkombëtare e kulturës Angela Kosta u bë protagoniste e një momenti të veçantë në kuadër të ceremonisë së Çmimit Ndërkombëtar “Oscar Wilde”, ku u nderua me dy vlerësime të rëndësishme: Gradën Akademike Honoris Causa në Shkencat Filozofike dhe Letrare si dhe titullin Ambasadorе e Kulturës. Grada Akademike Honoris Causa iu akordua nga Instituti Evropian për Formimin dhe Orientimin, në bashkëpunim me Universitetin Princeton dhe South Kent College në Angli. Ky vlerësim përfaqëson një njohje të rëndësishme të kontributit të saj në fushën e letërsisë, përkthimit dhe promovimit kulturor, ndërsa titulli Ambasadorе e Kulturës vjen si dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet vendeve dhe traditave të ndryshme. Rrugëtimi i Angela Kostës është ndërtuar ndër vite përmes një veprimtarie të gjerë letrare dhe kulturore, që përfshin krijimtarinë poetike e publicistike, përkthimin, kritikën letrare, drejtimin e revistave ndërkombëtare dhe përgatitjen e antologjive. Përmes këtyre nismave, ajo ka krijuar hapësira bashkëpunimi për shkrimtarë, poetë dhe intelektualë nga vende të ndryshme, duke kontribuar në njohjen dhe përhapjen e letërsisë përtej kufijve gjuhësorë e kombëtarë. Një vend të veçantë në punën e saj zë promovimi i autorëve ndërkombëtarë dhe krijimi i mundësive për të prezantuar vepra e zëra letrarë që meritojnë më shumë vëmendje. Me përkushtim të veçantë ndaj letërsisë së grave dhe shkëmbimit kulturor, Kosta e ka konsideruar gjithmonë fjalën e shkruar si një mjet të fuqishëm komunikimi, njohjeje dhe afrimi ndërmjet popujve.

Gjatë ceremonisë, e emocionuar nga dy vlerësimet, Angela Kosta shprehu mirënjohjen e saj, duke theksuar se ato përbëjnë njëkohësisht nder dhe përgjegjësi të re:

“Dy vlerësime që i pres me mirënjohje të thellë dhe me ndjenjë përgjegjësie, si një nxitje e mëtejshme për të vijuar angazhimin tim në promovimin dhe përhapjen e letërsisë dhe artit, duke ndërtuar ura kulturore ndërmjet vendeve, gjuhëve dhe popujve. Sepse prestigji i vërtetë i kulturës nuk qëndron vetëm te titujt dhe dekoratat, por te aftësia për të lënë gjurmë, për të krijuar mundësi dhe për të hapur rrugë të reja për këdo që beson në forcën universale të fjalës.” Për të, këto vlerësime nuk përfaqësojnë një pikëmbërritje, por një motivim për të vijuar punën me të njëjtin përkushtim, duke mbështetur krijuesit, nxitur shkëmbimin e ideve dhe zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve letrare e artistike. Eventi u shndërrua gjithashtu në një rast të rëndësishëm takimi me personalitete të njohura të jetës kulturore dhe institucionale. Ndër të pranishmit dhe përfaqësuesit e përfshirë në këtë nismë ishin Prof. Luca Filipponi, President i Spoleto Art Festival, Dr. Umberto Giammaria, Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve, Dr. Sabrina Morelli, Dr. Maria Concetta Borgese dhe Dr. Paola Biadetti, Drejtoreshë e Spoleto Meeting Art. Takimet dhe shkëmbimet e zhvilluara gjatë ceremonisë krijuan mundësi të reja për bashkëpunime dhe projekte të përbashkëta në fushën e kulturës.

Çmimi Ndërkombëtar “Oscar Wilde” mbështetet nga institucione dhe organizata të rëndësishme kulturore ndërkombëtare, ndër të cilat Parlamenti Evropian, Bashkimi Evropian, Shoqata Italiane e Kritikëve Letrarë, Fondacioni T.A.U., Spoleto Art Festival International dhe Fondacioni A.U.G.E. Ky bashkëpunim i jep veprimtarisë një dimension të gjerë ndërkombëtar, duke vënë në qendër vlerësimin e krijimtarisë dhe të ekselencës letrare e artistike. Dy titujt e rinj i shtohen një liste të pasur çmimesh, dekoratash, pllakash, certifikatash dhe vlerësimesh që Angela Kosta ka marrë ndër vite në Itali dhe në vende të tjera. Veprimtaria e saj shtrihet në disa fusha të krijimtarisë dhe komunikimit kulturor, ndërsa përkthimi mbetet një nga mjetet kryesore përmes të cilave ajo ka kontribuar në afrimin e letërsive dhe kulturave të ndryshme. Përvoja e saj dëshmon se letërsia nuk njeh kufij dhe se çdo gjuhë përfaqëson një botë më vete, me historinë, kujtesën dhe ndjeshmërinë e saj. Në këtë kuptim, përkthimi nuk është thjesht kalimi i një teksti nga një gjuhë në tjetrën, por një proces që krijon ura komunikimi dhe u jep mundësi veprave të takojnë lexues të rinj. Ky vizion ka udhëhequr një pjesë të rëndësishme të angazhimit të saj në promovimin e autorëve dhe në organizimin e nismave letrare ndërkombëtare. Vlerësimi me Gradën Akademike Honoris Causa në Shkencat Filozofike dhe Letrare dhe titulli Ambasadorе e Kulturës shënojnë kështu një etapë të re në rrugëtimin e Angela Kostës, duke i dhënë një dimension tjetër përgjegjësisë së saj në jetën kulturore ndërkombëtare. Nga Castiglion Fiorentino, ajo vijon rrugën e saj me të njëjtin përkushtim ndaj letërsisë, artit dhe promovimit të kulturës, e bindur se vlera e vërtetë e një veprimtarie kulturore matet jo vetëm me arritjet personale, por edhe me mundësitë që krijon për të tjerët. Sepse kultura merr kuptimin e saj më të plotë kur ndahet, kur bashkon njerëzit dhe kur bëhet një gjuhë e përbashkët mirëkuptimi ndërmjet popujve. Eventi “OSCAR WILDE” e dëshmon më së miri këtë; vazhdon të jetë një festë e madhe e letërsisë dhe artit mes ekselencës bashkëkohore, çmimeve për karrierën dhe homazheve në kujtim të figurave të shquara.

Një grup i spikatur autorësh, artistësh dhe personalitetesh të jetës kulturore i dhanë gjallëri kësaj veprimtarie, të drejtuar nga Presidenti, profesori Luca Filipponi, ku u ndanë çmimet letrare, vlerësimet për karrierën, pllakat dhe gradat akademike Honoris Causa.

Ka ide që shndërrohen në pasuri të përbashkët dhe talente që lënë gjurmë të pashlyeshme në shoqëri. Pikërisht në shenjë të kësaj trashëgimie kulturore, të frymëzuar simbolikisht nga universi krijues i Oscar Wilde, kisha antike dhe mbresëlënëse e Shën Augustinit në Castiglion Fiorentino, shërbeu si mjedis për ceremoninë përmbyllëse të eventit. Një veprimtari kushtuar letërsisë së botuar dhe asaj të pabotuar, e pasuruar me ndarjen e çmimeve të rëndësishme për karrierën, e cila vuri në pah fuqinë e shkrimit, vlerën e krijimtarisë dhe rolin e pazëvendësueshëm të kulturës si instrument dialogu dhe zhvillimi. Rëndësia institucionale e kësaj veprimtarie u dëshmua edhe nga prania e Kryetarit të Bashkisë Mario Agnelli si dhe këshilltarit për Kulturën, Massimiliano Lachi. Bashkia aprovoi patronazhin e saj për këtë nismë, duke shprehur vlerësimin për një manifestim që promovon autorët, intelektualët dhe personalitetet e botës artistike e letrare.

Profesor Luca Filipponi ka qenë gjatë viteve të fundit nismëtari i një procesi të rëndësishëm rinovimi të çmimit. Ky transformim ka përfshirë formulën, bashkëpunimet, partnerët, identitetin dhe perspektivat e tij, deri në riformulimin e emrit dhe të logos, me synimin për t’i dhënë një dimension kulturor gjithnjë e më të gjerë dhe bashkëkohor. Autoritetin dhe vazhdimësinë e projektit e garanton Komisioni i Çmimit, i cili përbëhet nga Maria Concetta Borgese, (presidente); Sabrina Morelli, (zv. presidente); Paola Biadetti, drejtoreshë e komunikimit; Sandro Costanzi, historian dhe kritik letrar; si dhe Francesco Petrillo, përfaqësues i Komisionit të Universiteteve dhe Akademikëve.

Një rëndësi të veçantë pati pjesëmarrja e profesorit Mauro Capitani, president i Fondacionit të Artit dhe Kulturës që mban emrin e tij, i cili u nderua me çmimin “L’Aquila Kryeqyteti i Kulturës, 2026”.

Ky vlerësim i dha një tjetër dimension veprimtarisë, ku letërsia u ndërthur simbolikisht me artet, kërkimin dhe angazhimin kulturor. Një numër i madh autorësh dhe personalitetesh, të prezantuar nga Barbara Lenti, u nderuan me çmime për letërsinë e botuar dhe për kontributin e tyre gjatë karrierës, duke krijuar një mozaik të pasur përvojash, ndjeshmërish dhe rrugëtimesh artistike.

Përveç Angela Kostës, të vlerësuar të tjerë, ishin:

Teresa Acquaviva, Fabio Bavetta, Aurelio Bettini (Çmimi Special), Giuseppe Bianco, Domenico Bova, Nicolò Giuseppe Brancato, Maria Pia Cappello, Gerardo Colaiuta, Giuseppe Costigliola, Roberto Croce, Maria Teresa de Pierro, Giuseppe di Liddo, Giuliana Donzello, Patrizia Faiello, Annamaria Farricelli, Gispy Fiorucci, Umberto Giammaria, Ernesto Giancotti, Giuseppe Giocaliero, Stefano Gori, Dashnim Hebibi, Gino Iorio, Pasquale Marasco, Franco Nicoli, Cinzia Panuccio, Michele Pecora (Çmimi për Karrierën), Sonia Planamente, Niky Marcelli, Eugenia Serafini, Valentina Spagnolo, Francesco Terrone, Roberta Testaguzza, Maria Grazia Tringale dhe Fiorella Virgilio. Një grup i larmishëm krijuesish ky, të bashkuar nga aftësia për të kontribuar, përmes fjalës dhe shprehjes artistike, në gjallërimin dhe pasurimin e panoramës kulturore bashkëkohore. Një hapësirë e gjerë iu kushtua edhe veprave të pabotuara, duke e shndërruar këtë seksion në një laborator të vërtetë idesh dhe ndjeshmërish letrare.

Në Seksionin B, kushtuar tregimeve të shkurtra të pabotuara, çmimin e parë e fitoi Rita Scelfo, vendin e dytë Arianna Iovino, ndërsa vendin e tretë Patricia Luongo. Në Seksionin A, kushtuar poezisë së pabotuar, çmimi i parë iu dha Floria Bufanos, ndërsa vendi i dytë u nda në mënyrë të barabartë mes Anna Maria Stefaninit dhe Roberto Croces. Vlerësime të tjera u dhanë në fusha të ndryshme të krijimtarisë letrare: Giuseppa Turiano Massimo del Zio për Poezinë Evropiane, Umberto Giammaria në cilësinë e mjekut humanist, Kang Byeong-Cheol për Poezinë Jashtë Evropës dhe Carmine Pirofalo për Letërsinë Akademike. Ndër momentet më domethënëse të veprimtarisë ishte homazhi kushtuar kujtimit të ndjerit profesorit dhe artistit Nicolò Giuseppe Brancatos. Në nderim të figurës së tij, kopertina e numrit special të revistës “Giovani Europei”, botuar pikërisht me rastin e Çmimit, iu kushtua pikërisht atij. Një homazh me domethënie të veçantë simbolike, përmes të cilit kultura riafirmoi aftësinë e saj për të ruajtur dhe përcjellë trashëgiminë njerëzore dhe intelektuale të atyre që kanë lënë gjurmë në botën e artit dhe të dijes. Ceremonia u pasurua gjithashtu me akordimin e disa gradave të tjera akademike Honoris Causa, duke përmbyllur një takim ku vlerësimi i meritës u ndërthur me promovimin e dijes. Eventi i zhvilluar në Castiglion Fiorentino përfaqësoi një tjetër etapë në rrugëtimin e zhvillimit të Çmimit Ndërkombëtar “Oscar Wilde”, duke konfirmuar synimin e tij për të krijuar lidhje ndërmjet brezave, gjuhëve dhe përvojave të ndryshme kulturore. Vlera e fjalës së shkruar rikthehet kështu në qendër të vëmendjes, duke dëshmuar edhe një herë aftësinë e saj për të vënë në pikëpyetje të tashmen dhe për të ndërtuar ura drejt së ardhmes. Sepse, në gjurmët e trashëgimisë së Oscar Wilde, kultura nuk është vetëm ajo që mbetet nga e kaluara, por mbi të gjitha ajo që vazhdon t’i japë vitalitet së ardhmes.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Si u prit Shpallja e Pavarësisë në qytetet e Çamërisë në...

0
Nga: Arben Iliazi Para vitit 1912, klubet patriotike të Çamërisë luajtën një rol vendimtar në zgjimin kombëtar, ruajtjen e identitetit shqiptar dhe përgatitjen e terrenit...

Ky është një burrë kombi