Personalitete nga diaspora dhe atdheu bashkohen në Shqipëri për 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë Kombëtare
SHQIPËRI – 28 Nëntori, dita që bashkon shqiptarët kudo që ndodhen, këtë vit shënohet edhe përmes një rrugëtimi simbolik e atdhetar, që nis nga Kruja historike e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, vazhdon në Kaninën e Ismail Qemalit dhe në Vlorën e Pavarësisë, për të përfunduar në Tiranë. Me rastin e kësaj feste madhështore kombëtare, në Shqipëri janë të ftuar dhe po zhvillojnë vizita e takime të shumta personalitete të njohura nga diaspora shqiptare dhe atdheu, të cilët janë bashkuar për të nderuar historinë, sakrificat dhe vlerat kombëtare shqiptare. Një kontribut të veçantë në këtë rrugëtim simbolik përfaqësojnë personalitetet e ardhura nga Zvicra, të cilët ndër vite kanë dëshmuar përkushtim ndaj çështjes kombëtare, veprimtarisë humanitare dhe ruajtjes së lidhjeve të shqiptarëve në diasporë me vendlindjen. Në mesin e të ftuarve është PhD Dashnim Hebibi, president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, me qendër në Zvicër, si dhe kryetar i Shoqatës Humanitare „Lugina e Preshevës“ në Zvicër. Përmes veprimtarisë së tij shkencore, shoqërore dhe humanitare, ai është angazhuar në promovimin e vlerave shqiptare dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet diasporës dhe trojeve shqiptare.
Pjesë e këtij rrugëtimi është edhe Rafet Ademi, veprimtar i njohur shqiptar, i cili prej vitesh është i angazhuar në aktivitete kombëtare dhe shoqërore, duke mbajtur gjallë frymën e bashkimit dhe të solidaritetit ndërshqiptar. Po ashtu, në këtë përfaqësim të diasporës merr pjesë Dr. Dergut Aliu, themelues i Spitalit „Lindja“, personalitet i njohur për kontributin e tij në periudhat e rënda që ka përjetuar Kosova. Ai kujtohet për angazhimin humanitar dhe përkushtimin ndaj popullit shqiptar në kohë sfidash të mëdha, duke dëshmuar se atdhedashuria shprehet jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra konkrete.
Një rrugëtim që bashkon historinë dhe shqiptarët
Vizitat në Krujë, Kaninë, Vlorë dhe Tiranë kanë një domethënie të veçantë simbolike. Kruja përfaqëson qëndresën dhe epopenë e Skënderbeut, Kanina lidhet me historinë e Ismail Qemalit dhe rrënjët e familjes së tij, ndërsa Vlora mbetet vendi ku më 28 Nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Tirana, si kryeqyteti i shqiptarëve, përbën ndalesën e radhës të këtij rrugëtimi, ku pritet të zhvillohen takime dhe bashkëbisedime me personalitete e përfaqësues të ndryshëm të jetës publike dhe kombëtare. Gjatë kësaj dite festive, të ftuarit nga diaspora dhe atdheu do të zhvillojnë takime të shumta, në të cilat pritet të përcillen mesazhe bashkëpunimi, solidariteti, uniteti dhe angazhimi për ruajtjen e identitetit kombëtar. Ky takim simbolik dëshmon se lidhja me atdheun nuk matet me kilometra dhe se shqiptarët, pavarësisht se jetojnë në shtete të ndryshme, vazhdojnë të ndajnë të njëjtën histori, gjuhë, flamur dhe kujtesë kombëtare.
„Një histori, një gjuhë, një flamur, një komb – nga Kruja në Vlorë, zemra shqiptare nuk njeh kufij!“
Në këtë 28 Nëntor, mesazhi që përcillet nga personalitetet e diasporës dhe të atdheut është i qartë: bashkimi shpirtëror, respekti për historinë dhe puna për të ardhmen e brezave janë vlera që duhet të na bashkojnë çdo ditë.
Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë!
Lavdi dëshmorëve të kombit! Rroftë Shqipëria! Rroftë Kosova! Rroftë shqiptaria! Edhe Lugina e Preshevës në këtë ditë historike kombëtare !
Një flamur, një histori, një zemër shqiptare!









