Nga: Dr. Luan Topçiu
Në përvjetorin e Pavarësisë kujtojmë Aleksandër Stavre Drenovën, njeriun që i dha fjalët himnit të flamurit dhe e mbylli jetën larg atdheut, në vetmi e varfëri.
Historia i ngre disa njerëz në piedestal, por jeta e tyre rrallëherë ka qenë aq e lartë sa vendi që ata zënë në kujtesën kombëtare. I tillë ishte Asdreni. Ai shkroi vargjet e Himnit të Flamurit, por në atdheun për të cilin punoi nuk gjeti kurrë një strehë të sigurt, një jetë të qetë, as mirënjohjen që meritonte.
Nga çiraku i Bukureshtit te veprimtari i Pavarësisë
Aleksandër Stavre Drenova lindi më 11 prill 1872 në Drenovë të Korçës, në një familje të varfër. Pseudonimin letrar, Asdreni, e krijoi nga inicialet e emrit dhe të fshatit të lindjes. Mësimet e para i mori në Korçë dhe në vjeshtën e vitit 1885, në moshën trembëdhjetë vjeçare, mori udhën e mërgimit drejt Bukureshtit. Atje filloi nga puna më e thjeshtë: çirak në kafenenë e një pronari të vogël shqiptar, Eftim Kosta, dhe më pas shitës në një ëmbëltore. Vazhdoi shkollën e mesme dhe u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Bukureshtit, por nuk e përfundoi, sepse për të siguruar jetesën dhe studimet iu desh të bënte punë të rënda.
Në koloninë shqiptare të Bukureshtit, një nga qendrat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, ai u përfshi herët. Më 1892 u bë anëtar i shoqërisë «Drita». Më 1899, bashkë me Kristo Anastas Dakon, themeloi «Rrethin e studentëve shqiptarë», që më 1902 u shndërrua në shoqërinë «Shpresa». Punoi si përkthyes në revistën «Shqiptari» të patriotit Nikolla Naço, ndërsa përveç shqipes zotëronte rumanishten, frëngjishten dhe greqishten. Më 1905 dha mësim në një shkollë për fëmijët shqiptarë në Konstancë, dhe më 1906 u zgjodh kryetar i degës së «Dritës» në Bukuresht. Shkroi artikuj për zhvillimet në Shqipëri dhe bashkëpunoi me shtypin shqiptar. Përshtypjet nga vizita në Korçë më 1899 i botoi në revistën «Albania».
Pika kulmore e veprimtarisë së tij ishte vjeshta e vitit 1912. Kur Ismail Qemali mbërriti në Bukuresht dhe shqiptarët u mblodhën për të diskutuar shpalljen e Pavarësisë, Asdreni ishte sekretar i mbledhjes. Nuk ishte thjesht dëshmitar i historisë, por një nga ata që e kishin përgatitur.
Pas Pavarësisë, rruga e tij vazhdoi mes shpresave dhe zhgënjimeve. Më 1914 erdhi në atdhe për të ndihmuar në forcimin e shtetit të ri, por, i zhgënjyer nga turbullirat e kohës, u kthye në Rumani. E priti me gëzim Kongresin e Lushnjës, i kushtoi vargje Luftës së Vlorës dhe bashkëpunoi me Fan Nolin për shkëputjen e kishës shqiptare nga ajo greke. Nga viti 1922 deri më 1924, dhe përsëri nga 1927, punoi si sekretar i konsullatës shqiptare në Bukuresht.
Poeti që e çoi vargun shqip drejt modernes
Vargjet e para, të shkruara në frymën kushtruese të Rilindjes dhe nën ndikimin e Naim Frashërit, i botoi nga fundi i shekullit XIX. Vëllimi i parë, Rreze dielli (1904), iu kushtua Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Lexuesi e mirëpriti dhe kritika e kohës e quajti Asdrenin pasues të Naimit. Poezitë ndiqnin modelet tradicionale dhe motivet tipike të Rilindjes: mallin për atdheun e largët dhe thirrjen drejtuar popullit që të bashkohej kundër pushtuesve turq.
Në vëllimin Ëndrra e lotë (1912), kushtuar studiueses Edith Durham, ndryshimi është i dukshëm. Poezia humbet karakterin propagandistik e patriotik, ndërsa vëmendja e poetit drejtohet te kulti i së bukurës. Ndikimi i autorëve të Rilindjes po i linte vendin atij të poezisë europiane. Ky vëllim shënon formimin e individualitetit krijues të Asdrenit dhe një hap përpara drejt emancipimit të poezisë shqipe. Në kohën kur jetoi Asdreni në Rumani, Bukureshti ishte një qytet kozmopolit dhe afirmoheshin një numër i konsiderueshëm poetësh të shquar rumunë në frymën e letërsisë perëndimore.
Kulmin e krijimtarisë e arriti me Psallme murgu (Bukuresht, 1930). Kjo poezi dallohet për karakterin meditativ e psikologjik dhe për shqetësime që kapërcejnë kuadrin e ngushtë kombëtar. Heroi i saj është njeriu i tronditur nga luftërat botërore e ballkanike dhe nga traumat e shekullit XX. Poeti nuk u drejtohet lexuesve nga pozita e përkatësisë etnike, por i drejtohet njerëzimit. Studiuesi kanadez Robert Elsie e vlerëson si pikë kthese në letërsinë shqipe, së bashku me vëllimet e Lasgush Poradecit dhe «Vargjet e lira» të Migjenit. Sipas tij, në terrenin shkëmbor të letërsisë shqipe po zinte rrënjë «shpirti i modernizmit». Poezia e Asdrenit përgatiti shfaqjen e Lasgushit dhe të Mitrush Kutelit dhe ndihmon për ta kuptuar më drejt poezinë e tyre. Studiuesit kanë vënë në dukje edhe afrinë e saj me poetët e mëdhenj rumunë, si Eminescu, Coșbuc, Alexandri, Arghezi e Macedonski.
Përmbledhja e fundit, Këmbanat e Krujës, u shkrua në vitet e fundit të jetës dhe u botua më 1971, nën kujdesin e profesor Rexhep Qosjes. Studiuesit flasin për rënie të nivelit artistik: poezia humbet lirizmin, kthehet në rrëfim dhe ringjall tonin patetik të vëllimit të parë. Vargjet e mëvonshme mbetën në dorëshkrim.
Poezia e tij më e njohur është «Betimi mbi flamur» (1907), që pas vitit 1912 u bë teksti i Himnit të Flamurit dhe më pas himni kombëtar. Melodia, megjithatë, nuk është krijuar për shqiptarët. Ajo i përket kompozitorit rumun Ciprian Porumbescu (1853–1883), që e shkroi për një këngë patriotike rumune, «Pe-al nostru steag e scris Unire» («Mbi flamurin tonë është shkruar Bashkim»), me vargje të Andrei Bârseanut të vitit 1880. Porumbescu kishte vdekur shumë kohë përpara se Asdreni të shkruante vargjet e tij, kështu që ai nuk e njohu kurrë himnin shqiptar. Poeti shqiptar e mori një melodi tashmë të njohur në Rumani dhe i vuri fjalët e veta, sipas modelit të vargjeve rumune. Kështu himni shqiptar lidh simbolikisht dy vende: Shqipërinë, të cilës poeti i përkiste me gjak e me shpirt, dhe Rumaninë, që i dha strehë e hapësirë veprimtarie. Është një nga ato rastësi të bukura të historisë: himni i një kombi mban brenda tij jehonën muzikore të një vendi tjetër.
Një jetë pa vatër dhe një mirënjohje që vonoi
Pas figurës publike të poetit dhe atdhetarit fshihej megjithatë një jetë e vështirë, e shenjuar nga mungesat dhe zhgënjimet. Ai nuk krijoi familje, nuk pati një vatër të qëndrueshme dhe as sigurinë materiale për të jetuar me dinjitet. Shërbimi ndaj çështjes shqiptare nuk u shndërrua në siguri për pleqërinë.
Në vitin 1937, kur u kthye në Shqipëri për 25-vjetorin e Pavarësisë, ai ushqente një shpresë: pas aq vitesh shërbimi, shteti shqiptar do t’ia njihte kontributin dhe do t’i jepte një pension. Shpresa nuk u bë realitet. Përfaqësuesit e regjimit e pritën ftohtë dhe ai u kthye në Bukuresht. Lasgush Poradeci, që e njihte dhe e çmonte, do ta kujtonte më vonë këtë padrejtësi me fjalë të hidhura, duke theksuar se poetit iu mohua ajo që i takonte pas një jete të tërë përkushtimi.
Fati i tij nuk ishte pa kontradikta, as në planin politik. Më 1939 ai përshëndeti pushtimin italian të Shqipërisë dhe shkroi vargje që lidheshin me parullën fashiste «Credere, obbedire, combattere» («Beso, bindu, lufto»). Në këtë hap ndikoi edhe klima politike e vendit ku jetoi. Është një faqe që nuk e zbeh vlerën e veprës, por që e kthen portretin e tij në atë të një njeriu real, me brishtësitë e kohës.
Vitet e fundit Asdreni i kaloi në Bukuresht, në kushte të vështira materiale. Fati i tij ngjan me atë të mërgimtarit që nuk pati kurrë plotësisht një vend të vetin: larg vendlindjes, pa familje, pa një adresë të përhershme ku të ndiente sigurinë e përkatësisë, por gjithmonë me Shqipërinë në mendje dhe në vargje. Vdiq në Bukuresht më 11 dhjetor 1947, në moshën 75-vjeçare, i shpërfillur nga shteti komunist shqiptar. Eshtrat e tij u sollën në atdhe vetëm në vitin 1972 dhe u rivarrosën në Drenovë.
Ironia e fatit është se sot portreti i Asdrenit është vendosur në kartëmonedhën 10 000 lekëshe të Bankës së Shqipërisë, e cila qarkullon që nga 30 qershori 2021. Në pamjen e përparme e shoqëron emri me vitet 1872–1947, ndërsa në anën e prapme janë flamuri kombëtar dhe vargu i himnit që ai shkroi: «Rreth flamurit të përbashkuar me një dëshir’ e një qëllim». Njeriu që jetoi pa shtëpi të vetën, pa adresë të përhershme, pa familje e pa mbështetje për pleqërinë, qarkullon sot në duart e shqiptarëve, me vargun e tij pas shpinës. Mirënjohja erdhi, por e vonuar dhe vetëm si imazh.
Në ditët e Pavarësisë, kur kujtojmë ata që kontribuuan në themelimin e shtetit, Asdreni meriton të përmendet jo vetëm si autori i Himnit të Flamurit, por edhe si një intelektual që e jetoi atdhetarizmin si detyrim të përditshëm. Ai i dha Shqipërisë një nga simbolet e saj më të dashura, por nuk mori prej saj atë që një njeri me një jetë të tërë përkushtimi kishte të drejtë të priste: mirënjohjen dhe kujdesin.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron arsyeja më e thellë për ta kujtuar sot. Pavarësia nuk është vetëm akti historik i shpalljes së një shteti; është edhe përgjegjësia për të mos harruar ata që e përgatitën, e ëndërruan dhe i shërbyen. Emri i Asdrenit jeton në çdo kremtim të himnit, por kujtimi i tij duhet të shkojë përtej ceremonive: të bëhet thirrje për t’i vlerësuar krijuesit, për t’i nderuar mërgimtarët dhe për ta bërë mirënjohjen kombëtare të vijë, një herë, në kohë. Foto: https://commons.wikimedia.org /GD









