HomeEKSKLUZIVEAlarmante shifrat e OKB-së: 47 mijë gra dhe vajza u vranë nga...

Alarmante shifrat e OKB-së: 47 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët dhe familjarët gjatë vitit 2025

-

Rreth 47 mijë gra dhe vajza në mbarë botën janë vrarë gjatë vitit 2025 nga partnerët intimë ose anëtarët e familjes, duke dëshmuar përmasat shqetësuese të dhunës me bazë gjinore. Këto janë të dhënat e raportit të publikuar më 24 nëntor nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) dhe UN Women.

Raporti është publikuar në prag të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e cila shënohet më 25 nëntor, dhe nxjerr në pah se shtëpia vazhdon të jetë një nga vendet më të rrezikshme për gratë dhe vajzat.

Sipas të dhënave, nga rreth 78 mijë gra dhe vajza të vrara në nivel global gjatë vitit 2025, rreth 60 për qind u vranë nga partnerët ose familjarët e tyre. Kjo nënkupton se mesatarisht 129 gra dhe vajza humbën jetën çdo ditë nga dhuna e ushtruar prej njerëzve të rrethit të tyre më të afërt.

Raporti evidenton se numri i viktimave ishte veçanërisht i lartë në Afrikë, ndërsa Evropa rezulton si rajoni ku gratë dhe vajzat janë relativisht më të sigurta.

Drejtoresha e UNODC-së, Monica Juma, ka paralajmëruar se normat shoqërore dhe dështimet e mekanizmave institucionalë të mbrojtjes krijojnë një mjedis ku vrasja e grave nga bashkëshortët apo anëtarët e familjes rrezikon të normalizohet dhe të tolerohet nga shoqëria.

Ajo ka theksuar se ndryshimi i kësaj gjendjeje kërkon angazhim dhe veprime të vazhdueshme në të gjitha nivelet e shoqërisë.

Ndërkaq, drejtoresha ekzekutive e UN Women, Sima Bahous, ka bërë thirrje për masa urgjente kundër dhunës ndaj grave, duke kërkuar që asnjë shenjë paralajmëruese të mos injorohet, asnjë viktimë të mos mbetet pa mbrojtje dhe asnjë autor të mos i shpëtojë përgjegjësisë ligjore.

Të dhënat e OKB-së tregojnë gjithashtu se, ndonëse vrasjet në nivel global kanë shënuar rënie, femicidi, përkatësisht vrasja e grave dhe vajzave për shkak të gjinisë së tyre, po zvogëlohet me ritme dukshëm më të ngadalta.

Një shembull është Evropa, ku shkalla e përgjithshme e vrasjeve ka rënë për 43 për qind nga viti 2010 deri në vitin 2025, ndërsa shkalla e femicidit ka shënuar rënie prej vetëm 28 për qind.

Këto shifra rikthejnë në vëmendje nevojën për forcimin e mekanizmave të parandalimit, mbrojtjen e viktimave dhe ndëshkimin e autorëve, në mënyrë që dhuna ndaj grave të mos mbetet një realitet i përsëritur brenda familjeve dhe shoqërisë, transmeton euronewsal.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

HALF24.ch – Më shumë se një media, një mision në shërbim...

0
Fjala shqipe në mërgatë meriton më shumë se hapësirë mediale. Ajo meriton një institucion informimi, një platformë komunikimi dhe një qendër mediale që mbron...