Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale momente nga dita e parë e Konferencës së Dytë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, e cila po zhvillohet në Tiranë, duke e cilësuar këtë aktivitet si një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjen e investimeve në rajon. Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, kreu i qeverisë ka publikuar disa pamje nga punimet e konferencës, ku marrin pjesë mbi 600 investitorë nga Europa dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë aktivitet janë të pranishëm gjithashtu figura të rëndësishme të politikës europiane, ekonomistë të njohur dhe përfaqësues të institucioneve e sektorit të biznesit, të cilët po diskutojnë mundësitë e reja të bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik. Sipas kryeministrit Rama, punimet e konferencës vijojnë edhe gjatë ditës së sotme, me pjesëmarrjen e të ftuarve të tjerë, panele diskutimi dhe takime pune, ku në fokus janë krijimi i partneriteteve të reja dhe tërheqja e investimeve të huaja në rajon.
Përmes këtij organizimi, Tirana kthehet në një pikë takimi për investitorët europianë dhe rajonalë, duke synuar promovimin e potencialeve ekonomike të Ballkanit Perëndimor dhe forcimin e lidhjeve me Bashkimin Europian.
Në mesazhin e tij, Rama ka përcjellë edhe një urim për qytetarët, duke shoqëruar pamjet me mbishkrimin:
“MIRËMËNGJES dhe me disa fragmente nga dita e parë e Konferencës së Dytë të Investimeve BE – Ballkani Perëndimor, ku Tirana po mirëpret mbi 600 investitorë nga Europa e rajoni, si edhe figura të shquara të politikës europiane e ekonomistë të mirënjohur, e ku sot konferenca vijon me të tjerë të ftuar, diskutime e takime pune, ju uroj një ditë të mbarë”, transmeton euronewsal.









