HomeEKSKLUZIVEZvicër-BE, Parlamenti Evropian miraton me shumicë dërrmuese marrëveshjet e reja dypalëshe

Zvicër-BE, Parlamenti Evropian miraton me shumicë dërrmuese marrëveshjet e reja dypalëshe

-

Parlamenti Evropian ka miratuar me shumicë të madhe paketën e re të marrëveshjeve dypalëshe mes Zvicrës dhe Bashkimit Evropian, të njohura si “Bilaterale III”. Votimi u zhvillua të mërkurën në Strasburg, ku 584 eurodeputetë votuan pro, 13 kundër, ndërsa 60 abstenuan, transmeton 20min.ch. Vendimi konsiderohet një hap i rëndësishëm në afrimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Bernës dhe Brukselit, pas vitesh pasigurie dhe negociatash për të ardhmen e bashkëpunimit dypalësh. Eurodeputeti francez Christophe Grudler, përgjegjës për marrëdhëniet me Zvicrën në Parlamentin Evropian, e cilësoi këtë zhvillim si një “ditë historike”, duke shprehur kënaqësinë për miratimin e marrëveshjeve. Sipas tij, ky vendim hap një perspektivë të re për stabilitet, besim dhe bashkëpunim më të ngushtë mes palëve, veçanërisht në një kohë kur situata ndërkombëtare po bëhet gjithnjë e më sfiduese.

“Topi tani është në fushën e Zvicrës”, deklaroi Grudler, duke nënvizuar se tashmë përgjegjësia për hapin e ardhshëm i takon palës zvicerane.

Megjithatë, procesi nuk ka përfunduar. Marrëveshjet duhet të marrin ende miratimin formal të Këshillit të Bashkimit Evropian, ndërsa kjo pritet të ndodhë pasi edhe Zvicra të përfundojë procedurat e ratifikimit.

Në Zvicër, vendimi përfundimtar pritet të merret përmes votimit popullor, i cili mund të zhvillohet jo më herët se viti 2028.

Ndërkohë, marrëveshjet kanë ngjallur reagime të kundërta në politikën zvicerane. Partia Popullore Zvicerane (SVP) e ka kritikuar ashpër miratimin nga Parlamenti Evropian, duke e cilësuar paketën si një “marrëveshje nënshtrimi”.

Sipas SVP-së, Bashkimi Evropian përfiton nga marrëveshjet, ndërsa Zvicra rrezikon të humbasë një pjesë të vetëvendosjes së saj.

Nga ana tjetër, kryenegociatori i BE-së, Maroš Šefčovič, ka theksuar se Brukseli ka bërë lëshime të konsiderueshme gjatë negociatave për të arritur një marrëveshje me Bernën. Miratimi në Parlamentin Evropian shënon kështu një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet Zvicër-BE, por vendimi përfundimtar mbetet në duart e institucioneve zvicerane dhe, mbi të gjitha, të qytetarëve që do të shprehen në votën popullore, transmeton 20min.ch.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Zvicra pritet të zbardhet sërish nga bora

0
Reshjet e borës që kanë përfshirë pjesë të mëdha të Zvicrës gjatë ditëve të fundit pritet të vazhdojnë edhe në orët dhe ditët në...