Nga: Kosta Nake
“Udhëtimet që kemi bërë e do të bëjmë në tokë e në qiell, të gjitha vazhdojnë dhe brenda nesh si në bisedat tona me ty, me Edën, me mua…” Kjo është një pjesë e preambulës së librit dhe fjala “bir” në trajtën thirrore është më shumë se një apostrofë që e përshkon këtë vëllim nga fillimi në fund; pas goditjes së rëndë që e ka shembur botën e poetit, ky ligjërim poetik vjen si këmbëngulje për një bisedë që kërkon e pret një fjalë, si përpjekje për të kapur një tingull a një shenjë. Pas çdo vargu e pas çdo faqeje Visari sikur hedh mbi vete mantelin e Dantes, kurse Atjoni transformohet në një Virgjil me flatra drite, rrathët danteskë transformohen në paralelet gjeografike të botës tokësore: SHBA, Itali, Rusi, Izrael, Kanada, biseda monolog e atit me birin transformohet në një panel filozofik për jetën dhe vdekjen, për lirinë dhe diktaturën.
Bindja fetare shoqëron kërkimin e gjurmëve të engjëllit në dy qendra simbolike botërore: Vatikan – Jerusalem dhe i jep frymë librit si të ishte një organizëm i vetëm.
Ikja e birit në lulen e moshës jo vetëm që është e pabesueshme, jo vetëm që është e papranueshme, por i ka dhënë jetës një dimension tjetër duke e vënë poetin në pozitat e Sizifit, e ka kthyer në një sfidant të përhershëm që vdekjen e vet e sheh si një mundësi për të vazhduar me birin udhëtimin që u ndërpre në tokë. Po a mjafton vdekja për të qetësuar dhembjet e mëdha e mallkimet që marrim në jetë?
Dhembja është e përmasave të mëdha dhe atë mund ta ndiejë të plotë vetëm ai që fati e vendosi përpara një prove të tillë. Kam lexuar elegjinë në prozë “Biri” të Flutura Açkës dhe ja ku vjen simotra e saj në vargje. Poetit i duhet të bëjë të pamundurën për të lehtësuar shpirtin e Edës si nënë, të lëpijë plagën e vet si baba, pastaj të këqyrë gjithçka në udhëtimin e vet për të përcjellë mesazhe për familjen, për atdheun, për botën.
Ka një cikël të posaçëm për birin të titulluar: “Ku shkon ashtu aq i bukur? Të gdhendësh dritën…” me një enumeracion kërkesash për ta mposhtur dhembjen e madhe: “Bëj zhurmë sikur të ketë rënë trungu i një peme mbi mua,/ngulmi dhëmbët e tigërt në shpatull,/ vetëtima të Zeusit, shqyejeni terrin tim,/ shkëmb i Tantalit, rrokullisu mbi dhimbjen time…”
Te poezia “Te varri i Krishtit” kërkimi për ringjallje vazhdon në Tokën e Shenjtë dhe shpërthen dëshpërimisht: “Si mund të vdesë biri?… Merrmë, s’ka pse të jetë jetim prindi.” Kurse në çaste të tjera pikëllimi zbret shkallareve të Ferrit, drejt pikës më të ulët si vetmohim. Shkalla e parë: “S’e kam më veten, është tretur/nën flatrën prej ajri të engjëllit tonë,/ kam mbetur thjesht një psherëtimë/ashtu siç është dhe e gjithë jeta.”
Shkalla e dytë: “jam gdhendur në një dru dhembjeje/ dhe pres të dal nga trupi i pemës.”
Shkalla e tretë: “Bir, të tilla janë fjalët e mia,/shkrirje e një statuje prej akulli.” Statuja prej akulli do të rishfaqet edhe te poema e fundit “Shkruaj, statujë mes pemëve.”
Interesant është rikonstruksioni i poemës homerike “Odiesa” që pritjen e Penelopës për Uliksin e kthen në pritje të atit Visar për kthimin e birit Atjon si një Uliks me tjetër fat.
Persekutimet, dënimet dhe ekzekutimit në vitet e diktaturës komuniste zbresin herë pas here në faqet e librit si ato netët pa hënë e pa yje, veç terr e tmerr, kur njerëzit nuk vdisnin sepse i vrisnin, kur koha ishte kthyer si shtrat Prokrusti edhe për shpirtrat, kur të dënuarit shtynin vagonat me krom mbi shina të zeza si shirita të gjatë zije të atdheut dhe deklaratat për lirinë dhe lumturinë zhvlerësoheshin nga dhëmbët e telave me gjemba dhe nga dritat e projektorëve në burgje dhe kufi. Poema “Kjo ditë e gjithë për të kujtuar, por dua dhe unë ditën time të harresës” vjen si një kulm i këtij motivi të trishtë që, po të recitohej si poemat e viteve ‘60, do të përbënte një gjëmim deti dhe do të dëshmonte se poezia nuk do të vdesë asnjëherë. Duke kujtuar burgun dhe diktaturën, vargu “Dua dhe unë ditën time të harresës” kthehet në një tjetër refren tronditës.
Këpuca në këtë vëllim, është një tjetër detaj që, e paraprirë nga çizmet, duket si përftesë poetike e ardhur nga romani “Këpuca e aktorit” i vetë Visarit.
“Çizme të mëdha diktature/ kanë bllokuar horizontet, njëra si e hitlertë, e zezë/ tjetra si e stalintë, e kuqe…/ mijëra këpucë – gojë ulërimash të vrara i mbush me elegji/ këpucët e nxira të netëve dhe këpucët e zbardhura të ditës/ këpucët – qeli të këmbëve… ecje kockëthyera.”
Një kthinë më vete te kjo temë u është sajuar spiunëve, të vjetër dhe të rrezikshëm, pasardhës injorantë apo sharlatanë të Judës, për të cilët shumëkush mund të sjellë parasysh një fytyrë “…një që e ka njohur vetë/bashkëpunëtor a shef/ dëshmitar në mbledhje a gjyq,/mbase shkruan dhe poezi të sukseshme/dhe kritika edhe më të sukesshme se letrat/ që i dërgonte Ponc Pilatit apo Enverit të tij.”
Visar Zhiti, hedhur e goditur pa mëshirë rrugëve të hidhëta të fatit, bashkë me gurin e Sizifit ka mbartur dhe mbart një shpirt të madh që bën apel për paqen duke kundërshtuar luftën, qëndrim i çdo intelektuali që i trembet asaj lloj paqeje që përgatitet për luftën. Te poezia “Tel Aviv, rrethinë…” poeti shkruan: “Mësona, o Biri i Zotit,/ si t’i kthejmë tanket në dele” – një paralele me thënien e njohur të profetit biblik Isaia “le t’i kthejmë shpatat në parmenda.”
Vargje me peshë të rëndë për pasojat e luftës ka poezia “Të shkruash për Ukrainën poezi” me detaje si ato që mund të gjesh te “Mëhallat e botës” të Janis Ricosit; le të veçojmë ftoin e kafshuar vetëm një herë që e mban një dorë e këputur, detaj që rimerret pjesërisht edhe dy herë në poezitë që vijnë më pas:
“…përjetoj një lamtumirë që s’mbaron,/ që lëkundet si dorë e këputur.” (f.136) “Postblloku afër/ si dorë e këputur.” (f. 207)
*
Udhëtimi në kërkim të birit ka përftuar një regjistër tjetër poetik brenda strukturës së veprës.
Premtimi: “Dua të shkoj njëherësh në disa vende, s’e di a mundem,/në të gjitha rrugët të kërkoj gjurmët e tua.” (f. 274)
Vlerësimi: “Udhëtimet ujëvara janë,/brenda nesh rrjedhin,/shkumë ngjarjesh, miqësi/Ujëvarë e jetës së tij është çdo njeri.” (f. 260)
Nga udhëtimi në Rusi vlen të veçohet Eseni, një dhëndër tragjik ëndrrash
që ishte kudo te takimet e dashurisë me yjet që digjen në buzë, një poet i mrekullueshëm, i adhuruar në botë, që me vërshëllimën e vet e dehte hënën dhe shkundte qershinë e qiellit.
Nga udhëtimi në Izrael vlen të veçohet antiteza paqe – luftë: “Në njërën anë të pllajës/ shoh kopetë e deleve të kullosin diellin e paradites/në anën tjetër një kope me tanke/ në hijen e pasdites.” (f. 200)
Nga udhëtimi në Kanada shohim rikthimin te lajtmotivi me atë mëdyshjen të shkonte atje apo jo te ujëvarat e Niagarës. “Shkova për ty, (bir). I pashë me sytë e tu.” (f. 268) Poezitë “Psalm tjetër imi” dhe poezia “Plagë drite” përmbajnë vargun që i ka dhënë titullin krejt librit: “Dritë që ecën zbathur me këmbët e tim biri…” “këmbët e zbathura të dritës kanë plagë” – shprehje e asaj gjendjeje të poetit që barin kurativ të shpirtit e ka gjetur te besimi në Zot.
(Vëllimi poetik “Dritë që ecën zbathur” i Visar Zhitit, Onufri 2025)/GDielli









