Sistemi i ri TIPS Clone mundëson transferta të menjëhershme ndërmjet bankave të ndryshme, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë. Në fazën e ardhshme pritet të mundësohen edhe pagesat përmes kodeve QR në pikat e shitjes.
Shqipëria po ndërmerr një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit financiar dhe zgjerimit të shërbimeve bankare digjitale. Transfertat e parave ndërmjet bankave të ndryshme tashmë mund të realizohen brenda vetëm 10 sekondash, falë funksionalizimit të sistemit të ri të pagesave të menjëhershme, të njohur si TIPS Clone. Ky zhvillim pritet të sjellë lehtësi të konsiderueshme për qytetarët dhe bizneset, duke shkurtuar kohën e realizimit të transfertave dhe duke rritur efikasitetin e qarkullimit të parasë në ekonomi. Deri më tani, pagesat e menjëhershme ishin të mundshme kryesisht brenda të njëjtit institucion financiar, ndërsa sistemi i ri krijon mundësinë që transfertat të kryhen edhe ndërmjet bankave të ndryshme. Përmes kësaj infrastrukture, Shqipëria synon të jetë pjesë e një sistemi më të avancuar të pagesave, me mundësi bashkëpunimi edhe në nivel rajonal.
Pagesa të shpejta, pa ndërprerje
Një nga përparësitë kryesore të sistemit TIPS Clone është funksionimi i pandërprerë. Transfertat mund të realizohen në çdo kohë, përfshirë fundjavat dhe ditët e festave, pa qenë e nevojshme që klientët të presin orarin zyrtar të punës së bankave. Kjo nënkupton se fondet mund të kreditohen në llogarinë e përfituesit brenda pak sekondash, duke lehtësuar pagesat personale, transaksionet tregtare dhe aktivitetin e përditshëm ekonomik.
Në horizont edhe pagesat përmes QR Code
Krahas sistemit të transfertave të menjëhershme, Banka e Shqipërisë po punon edhe për zhvillimin e një sistemi kombëtar të pagesave përmes QR Code. Ky mekanizëm synon të thjeshtojë mënyrën se si konsumatorët paguajnë për produkte dhe shërbime. Përmes gjenerimit të një kodi QR nga shitësi dhe skanimit të tij me telefonin celular, klientët do të mund të kryejnë pagesa në dyqane, lokale dhe njësi të tjera tregtare. Zbatimi i këtij sistemi në fazën e dytë pritet të reduktojë nevojën për përdorimin e parasë fizike dhe të krijojë alternativa më praktike për pagesat e përditshme.
Një hap drejt ekonomisë moderne
Futja në funksion e pagesave të menjëhershme përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm për infrastrukturën financiare të Shqipërisë. Përfitimet nuk lidhen vetëm me shpejtësinë e transfertave, por edhe me rritjen e transparencës, lehtësimin e aktivitetit të bizneseve dhe nxitjen e përdorimit të shërbimeve financiare digjitale. Në një kohë kur ekonomitë evropiane po orientohen gjithnjë e më shumë drejt pagesave elektronike, Shqipëria synon të përshtatet me standardet e reja teknologjike dhe të krijojë një sistem financiar më të shpejtë, më të qasshëm dhe më efikas. Me këtë reformë, qytetarët dhe bizneset shqiptare hyjnë në një fazë të re të shërbimeve bankare, ku një transfertë parash mund të realizohet brenda 10 sekondash, pa kufizime nga orari tradicional bankar, transmeton euronewsal.









