Gjuha shqipe, historia dhe identiteti kombëtar në qendër të një aktiviteti kulturor dhe akademik në Bullgari. Ambasadori Haxhi Bajraktari vlerësoi studentët bullgarë që studiojnë shqipen, ndërsa Katedra e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Sofjes u pasurua me një fond librash letrarë dhe akademikë.
SOFJE – Me rastin e shënimit të 118-vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Ambasada e Republikës së Kosovës në Sofje ka organizuar një aktivitet kulturor dhe akademik, kushtuar gjuhës shqipe, historisë dhe identitetit kombëtar. Në këtë aktivitet morën pjesë studentë të Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Sofjes, përfaqësues të institucioneve akademike dhe personalitete të tjera, të cilët përmes diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave nderuan një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare. Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori i Republikës së Kosovës në Sofje, Haxhi Bajraktari, shprehu mirënjohje të veçantë për studentët bullgarë që kanë zgjedhur të studiojnë gjuhën shqipe, duke theksuar rëndësinë e saj historike dhe kombëtare për popullin shqiptar, veçanërisht për Kosovën.
Ai rikujtoi sakrificat dhe përpjekjet e brezave të tërë për të drejtën e përdorimit, mësimit dhe shkrimit të gjuhës amtare, duke theksuar se për shqiptarët e Kosovës gjuha shqipe nuk përfaqëson vetëm një trashëgimi kulturore, por edhe një histori të mbushur me sakrifica dhe qëndresë.
„Askund më shumë sesa në Kosovë nuk ndihet rëndësia e gjuhës shqipe. Ajo nuk është thjesht një leksion historik, por një sakrificë e jetuar nga secili shqiptar i Kosovës”, theksoi ambasadori Bajraktari.
Me këtë rast, ai bëri të ditur se Ambasada i dhuroi Katedrës së Gjuhës Shqipe një numër librash letrarë dhe akademikë, me synimin që të kontribuojë në pasurimin e fondit të saj dhe në forcimin e interesimit të studentëve për gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Vëmendje të veçantë ambasadori i kushtoi edhe veprës „Kujtesa e Kosovës”, e cila përmbledh rrëfime mbi vuajtjet e popullit të Kosovës dhe përbën një dëshmi të rëndësishme të kujtesës kolektive.
Ai theksoi se njohja e gjuhës shqipe ndihmon studentët të kuptojnë më thellë jo vetëm kulturën dhe letërsinë shqiptare, por edhe historinë, dhimbjen dhe sakrificat që kanë shoqëruar rrugëtimin e popullit shqiptar.
Në emër të Katedrës së Gjuhës Shqipe, profesoresha Rusana Bejleri falënderoi Ambasadën e Kosovës për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj studimeve albanologjike në Bullgari. Ajo vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit akademik dhe të vizitave studimore të studentëve në Kosovë, të cilat u mundësojnë atyre njohje më të drejtpërdrejtë me gjuhën, kulturën dhe realitetin shqiptar.
Ndërkaq, studentët e Katedrës së Gjuhës Shqipe ndanë përvojat, kujtimet dhe përshtypjet e tyre nga vizitat studimore dhe kulturore në Kosovë, duke dëshmuar interesimin e tyre për gjuhën dhe trashëgiminë shqiptare.
Në përmbyllje të aktivitetit, Ambasada e Republikës së Kosovës shprehu mirënjohje të veçantë për zëvendësdekanen Ekaterina Tarpomanova, shefen e Departamentit të Ballkanistikës, Fotini Hristakudi, si dhe pedagogen Anna Kapitanova, për kontributin dhe përkushtimin e tyre në zhvillimin dhe promovimin e studimeve albanologjike në Bullgari.
Dhurimi i librave u vlerësua si një gjest konkret në mbështetje të veprimtarisë akademike dhe si dëshmi e përkushtimit për promovimin e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare përtej kufijve.
Aktiviteti në Sofje dëshmoi edhe një herë se gjuha shqipe mbetet një urë e rëndësishme komunikimi, bashkëpunimi dhe afrimi kulturor ndërmjet popujve. Njëkohësisht, mbështetja e studentëve dhe studiuesve të huaj që merren me shqipen është një kontribut i çmuar për njohjen dhe promovimin e identitetit shqiptar në arenën ndërkombëtare, transmeton Ambasada e Republikës së Kosovës në Bullgari, përcjell HALF24.ch









