Shoqata „Arbëria” në Göteborg të Suedisë ka shënuar trevjetorin e themelimit, në një atmosferë festive, me përkushtim ndaj kulturës, traditës dhe gjuhës shqipe. Në këtë përvjetor të veçantë, vëmendje iu kushtua edhe krijimtarisë letrare të shkrimtarit Ilmi Tahiri, i cili ishte i pranishëm në mesin e anëtarëve dhe të dashamirëve të kulturës shqiptare. Shoqata shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e sinqertë për shkrimtarin Ilmi Tahiri, për praninë e tij, promovimin e krijimtarisë letrare dhe momentet e bukura që ndau me pjesëmarrësit e këtij aktiviteti. Ishte kënaqësi e veçantë për organizatorët të kishin në mesin e tyre një autor me nëntë libra kushtuar atdheut, kulturës dhe vlerave tona kombëtare. Krijimtaria e tij letrare përbën një kontribut në ruajtjen dhe promovimin e identitetit shqiptar, përmes fjalës së shkruar. Një falënderim i veçantë iu drejtua të gjithë anëtarëve dhe të pranishmëve që iu bashkuan këtij aktiviteti, duke i dhënë më shumë ngrohtësi dhe rëndësi festimit të trevjetorit të Shoqatës „Arbëria”.
Me këtë rast, Shoqata shprehu mirënjohje të veçantë edhe për znj. Antigone Hyseni Alija dhe z. Blerim Alija, për mbështetjen dhe kontributin e tyre të çmuar në rrugëtimin e saj. Tre vite punë, bashkëpunim dhe përkushtim ndaj kulturës, traditës dhe gjuhës shqipe janë dëshmi se edhe larg atdheut mund të ndërtohen ura të forta bashkimi përmes aktiviteteve kulturore dhe vlerave kombëtare.
Shoqata „Arbëria” falënderoi të gjithë ata që janë pjesë e këtij rrugëtimi, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar edhe në të ardhmen me projekte dhe aktivitete në shërbim të komunitetit shqiptar në Suedi, njofton Shoqata „Arbëria” – Göteborg, përcjell HALF24.ch









