Përgatiti: Dashnim Hebibi
BERLIN, 20.11.2026 – Me një program të pasur kulturor dhe edukativ, si dhe me një bashkëbisedim të frytshëm me mërgatën shqiptare, në kryeqytetin gjerman, Berlin, është shënuar Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Aktivitetet, të cilat bashkuan nxënës, mësues, studiues, intelektualë, studentë dhe dashamirës të kulturës shqiptare, u zhvilluan në një atmosferë festive, me mesazhe të rëndësishme për ruajtjen, kultivimin dhe përcjelljen e gjuhës amtare te brezat e rinj. Aktivitetet nisën pasdite në shkollën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Berlin. Kjo shkollë, e hapur një vit më parë me iniciativën dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Gjermani, Prof. Dr. Ylber Sela, si dhe të komunitetit shqiptar të Berlinit, sot numëron dhjetëra nxënës të moshave të ndryshme, të cilët mësojnë, kultivojnë dhe mbajnë gjallë gjuhën e tyre amtare. Me rastin e kësaj feste të rëndësishme kombëtare, mësuesi Samet Ismaili, së bashku me nxënësit e shkollës, kishte përgatitur një program të larmishëm kulturor dhe edukativ, me recitime, lexime dhe pjesë artistike kushtuar shkronjave dhe gjuhës shqipe. Përmes këtij programi, fëmijët përcollën mesazhe të veçanta për rëndësinë e alfabetit, gjuhës dhe identitetit kombëtar, duke dëshmuar se dashuria për shqipen kultivohet që në moshë të hershme. Aktivitetin e nderuan me praninë e tyre edhe mysafirët dhe studiuesit e ardhur nga Maqedonia e Veriut, Prof. Dr. Skender Asani dhe Sevdail Demiri. Në kuadër të vizitës së tyre zyrtare në kryeqytetin gjerman, ata zhvilluan një bashkëbisedim të ngrohtë me nxënësit dhe përgëzuan mësuesin, prindërit dhe të gjithë të angazhuarit për përkushtimin e treguar në ruajtjen e identitetit dhe gjuhës shqipe në mërgatë. Një kontribut të veçantë në funksionimin dhe mbështetjen e kësaj shkolle ka dhënë dhe vazhdon të japë ambasadori Prof. Dr. Ylber Sela, i cili që nga themelimi i saj është angazhuar për të krijuar kushte sa më të mira për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Berlin. Përkushtimi i tij nuk kufizohet vetëm në nismën për hapjen e shkollës, por dëshmohet edhe përmes mbështetjes së vazhdueshme dhe angazhimit konkret për mbarëvajtjen e saj.

Orari i tij i punës nis herët në mëngjes dhe përfundon vonë në mbrëmje. Edhe të shtunave dhe të dielave, pa u ndalur, ambasadori Sela vazhdon angazhimet dhe takimet e tij në shërbim të komunitetit shqiptar. Pikërisht kjo qasje, ky përkushtim dhe kjo gatishmëri për të qenë pranë mërgatës kanë bërë që ambasadori Sela të gëzojë autoritet dhe respekt të madh në mesin e shqiptarëve në Gjermani. Me përvojën e tij profesionale, si profesor, por edhe si drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ambasadori Ylber Sela po e dëshmon edhe një herë se ruajtja e gjuhës dhe identitetit kombëtar nuk mund të mbetet vetëm në nivel deklaratash dhe fjalësh, por kërkon angazhim, përgjegjësi dhe kontribut konkret. Hapja dhe mbështetja e shkollës shqipe në Berlin është një dëshmi e qartë e kësaj qasjeje. Ngjarjet kushtuar Ditës së Alfabetit vijuan në mbrëmje me një debat të organizuar me intelektualë, studentë dhe dashamirës të kulturës shqiptare të Berlinit.
Takimi u mbajt në ambientet e lokalit të piktorit Gafar Vejseli, ku u zhvillua një bashkëbisedim i hapur mbi historinë e alfabetit, rëndësinë e Kongresit të Manastirit dhe sfidat me të cilat përballet mërgata shqiptare në ruajtjen e gjuhës amtare. Në këtë takim, të ftuarit nga Maqedonia e Veriut, Prof. Dr. Skender Asani dhe Sevdail Demiri, folën mbi rolin historik të Kongresit të Manastirit, si dhe mbi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe në diasporë si elementi kryesor i mbrojtjes së identitetit kombëtar.

Debati, i moderuar nga doktoranti në Universitetin e Humboldtit, Mr. Riza Ziberi, nxiti interesim të madh te të pranishmit. Ata parashtruan pyetje të ndryshme dhe zhvilluan një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë e konstruktiv me folësit, duke trajtuar çështje që lidhen me sfidat dhe perspektivat e mërgatës shqiptare, përgjegjësinë ndaj gjuhës amtare dhe nevojën për një angazhim më të madh institucional e shoqëror në këtë drejtim. Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia që gjuha shqipe të mos mbetet vetëm një kujtim i lidhur me vendlindjen, por të jetë pjesë e përditshmërisë së fëmijëve shqiptarë që rriten dhe edukohen jashtë trojeve shqiptare. Shkollat e mësimit plotësues, mësuesit, prindërit dhe institucionet kanë një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces, pasi vetëm përmes bashkëpunimit të tyre mund të sigurohet që brezat e rinj ta njohin, ta flasin, ta shkruajnë dhe ta kultivojnë gjuhën e të parëve. Shënimi i Ditës së Alfabetit në Berlin dëshmoi se mërgata shqiptare vazhdon të ketë potencial të madh intelektual, kulturor dhe organizativ. Njëkohësisht, aktivitetet e tilla rikujtojnë se trashëgimia e Kongresit të Manastirit dhe sakrifica e brezave që punuan për unifikimin e alfabetit shqip duhet të përcillen te fëmijët dhe të rinjtë jo vetëm përmes ceremonive festive, por edhe përmes punës së përditshme. Në këtë kuadër, shembulli i shkollës shqipe në Berlin dhe kontributi i ambasadorit Prof. Dr. Ylber Sela dëshmojnë se rezultatet konkrete arrihen atëherë kur iniciativa shoqërohet me përkushtim dhe përgjegjësi. Sepse gjuha shqipe në mërgatë nuk ruhet vetëm duke e përkujtuar një ditë të vitit, por duke punuar për të çdo ditë, duke krijuar shkolla, duke mbështetur mësuesit dhe duke u dhënë fëmijëve mundësinë që të rriten me gjuhën, kulturën dhe identitetin e tyre kombëtar. Kështu, Berlini e shënoi Ditën e Alfabetit me një ndërthurje të bukur të arsimit, kulturës, historisë dhe debatit intelektual, duke përcjellë mesazhin se shqipja mbetet një nga lidhjet më të forta të shqiptarëve, kudo që jetojnë.









