Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, i ka përcjellë një mesazh urimi akademik Fejzullah Krasniqit, me rastin e zgjedhjes së tij në pozitën e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).
Në mesazhin e urimit, Rektori Ibraimi, në emër të Universitetit të Evropës Juglindore dhe në emrin e tij personal, ka vlerësuar zgjedhjen e akademik Krasniqit si një vlerësim të rëndësishëm për kontributin e tij akademik dhe shkencor, por edhe si një përgjegjësi të veçantë në drejtimin dhe avancimin e një institucioni me rëndësi për zhvillimin e shkencës, dijes dhe kulturës shqiptare. Rektori Ibraimi ka shprehur bindjen se përvoja, përkushtimi dhe vizioni i akademik Krasniqit do të kontribuojnë në forcimin e rolit të Akademisë dhe në thellimin e bashkëpunimit akademik e shkencor, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, transmeton UEJL, përcjell HALF24.ch









