Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 25-vjetorit të themelimit të Universitetit të Evropës Juglindore, sot u mbajt promovimi i librit “Kosova – Lufta e heshtur: Diplomacia e padukshme që ndryshoi lojën (1991–1999)”, të autorit Zef Mazi, ish-diplomat dhe ambasador i Shqipërisë në OSBE dhe Kombet e Bashkuara. Përmes këtij botimi, autori sjell dëshmi dhe reflektime mbi prapaskenat e diplomacisë ndërkombëtare në një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së Kosovës.

Në promovim morën pjesë studentë, përfaqësues të jetës akademike, ish-diplomatë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, si dhe personalitete të tjera publike. I pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili, para fillimit të promovimit, zhvilloi një takim me Rektorin e UEJL-së, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, dhe mysafirët e promovimit.
Rektori, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e vlerësimit të rolit të Shqipërisë në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, duke marrë parasysh rrethanat e ndërlikuara politike dhe ekonomike të asaj periudhe. Ai vuri në pah rëndësinë e diplomacisë, përfshirë edhe atë që nuk ishte gjithmonë e dukshme për opinionin publik, si dhe nevojën që këto përvoja dhe dëshmi historike të dokumentohen dhe të përcillen te brezat e rinj.

Si promotorë të librit, Akademik Abdylmenaf Bexheti dhe Avni Spahiu, ish-ambasador i Republikës së Kosovës në Uashington, sollën vlerësimet e tyre mbi rëndësinë historike, diplomatike dhe dokumentare të këtij botimi.
Akademik Bexheti u ndal te rëndësia e dokumentimit të përpjekjeve diplomatike për Kosovën, duke theksuar vlerën e dëshmive të drejtpërdrejta për të kuptuar më mirë zhvillimet që i paraprinë dhe e shoqëruan periudhën e luftës. Ndërkaq, Avni Spahiu vuri në pah dimensionin ndërkombëtar të çështjes së Kosovës dhe rëndësinë e angazhimit diplomatik në ndërtimin e mbështetjes ndërkombëtare për të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje.
Gjatë promovimit, autori Zef Mazi ndau me të pranishmit përvojat dhe dëshmitë e tij nga angazhimi diplomatik gjatë viteve 1991–1999, duke u ndalur veçanërisht te përpjekjet për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, sfidat për njohjen e saj në arenën ndërkombëtare, marrëdhëniet me Presidentin Ibrahim Rugova, si dhe roli i Shqipërisë në sensibilizimin e diplomacisë ndërkombëtare.
Për librin dhe autorin foli edhe Bujar Hudhri, në emër të Shtëpisë Botuese “Onufri”, i cili vlerësoi qasjen profesionale të autorit dhe punën e kujdesshme në përzgjedhjen dhe dokumentimin e materialeve. Përmes organizimit të ngjarjeve të tilla, UEJL vazhdon të krijojë hapësira për dialog akademik, shkëmbim përvojash dhe trajtim të temave me rëndësi historike, politike dhe diplomatike, duke kontribuar në ruajtjen e kujtesës historike dhe në përcjelljen e saj te brezat e rinj, transmeton UEJL, përcjell HALF24.ch.









