HomeDiaspora“SHQIPËRIA PËRMES SYVE TË BAJRONIT”, TRADITA DHE KULTURA SHQIPTARE NË SKENËN PRESTIGJIOZE...

“SHQIPËRIA PËRMES SYVE TË BAJRONIT”, TRADITA DHE KULTURA SHQIPTARE NË SKENËN PRESTIGJIOZE TË EDINBURGUT

-

Më 23 nëntor 2026, Edinburgu do të bëhet mikpritës i një mbrëmjeje të veçantë kulturore, ku historia, poezia, muzika dhe traditat shqiptare do të bashkohen në spektaklin artistik “Shqipëria përmes syve të Bajronit” (Albania Through Byron’s Eyes).

Ky aktivitet do të zhvillohet në skenën historike të Assembly Rooms, nën organizimin e Empowered Women of Diaspora (EWD), duke shënuar një prezantim të veçantë të kulturës shqiptare në Skoci. Në këtë ngjarje do të interpretojë për herë të parë në Skoci Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore.

Në qendër të këtij spektakli qëndron lidhja historike dhe shpirtërore e poetit të madh britanik Lord Bajron me Shqipërinë. Më shumë se dy shekuj më parë, udhëtimi i tij në trojet shqiptare, takimi me Ali Pashë Tepelenën dhe mbresat nga peizazhet, veshjet tradicionale, karakteri dhe mikpritja e shqiptarëve u shndërruan në një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë letrare evropiane.

Kjo trashëgimi do të rikthehet në skenë përmes interpretimit të veprës së Bajronit nga poeti dhe autori Robert Wilton, duke krijuar një urë kulturore mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, mes historisë dhe realitetit bashkëkohor.

Spektakli do të pasurohet me muzikë dhe valle tradicionale shqiptare. Nën drejtimin artistik të Sokol Marsit, Ansambli Kombëtar do të prezantojë një repertor të përzgjedhur, ku do të spikasin Vallja e Tropojës, Vallja e Kukësit dhe eleganca e Valles së Osman Takës, krahas motiveve të tjera të trashëgimisë sonë folklorike.

Koreografia do të realizohet nga mjeshtri i valleve Genci Kastrati, ndërsa prezantimin do ta drejtojë moderatorja Suela Demiri. Në këtë mbrëmje artistike do të performojnë tenori Aranit Hoxha dhe këngëtarja Denisa Gjeso, si dhe valltarët Mariana Shkreta, Katerina Konini, Flavio Xhaferri, Reji Berisha, Mirjan Llapushi, Kejsi Koxhaj dhe Enkeleda Agolli.

Pjesë e programit do të jenë edhe instrumentistët e Ansamblit: Artan Shabani, Arbin Alimeri, Ermal Sela, Armand Ferra, Flogert Shatraj dhe Neki Kastrati.

Përtej dimensionit artistik, kjo ngjarje bart një rëndësi të veçantë për mërgatën shqiptare, e cila përmes artit, muzikës dhe valleve ruan lidhjen me gjuhën, identitetin dhe vendlindjen. Njëkohësisht, publiku britanik dhe ndërkombëtar do të ketë mundësinë të njohë nga afër pasurinë e kulturës shqiptare dhe traditat e saj shekullore.

Organizimi realizohet nga Empowered Women of Diaspora (EWD), në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Diasporës dhe Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP), me mbështetjen zyrtare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë.

“Shqipëria përmes syve të Bajronit” synon të jetë më shumë sesa një mbrëmje artistike: një prezantim dinjitoz i identitetit shqiptar në një nga qendrat e rëndësishme kulturore të Evropës dhe një dëshmi se arti, letërsia dhe tradita janë ura që lidhin popujt përtej kufijve.

Përmes kësaj nisme, kultura shqiptare do të gjejë një tjetër hapësirë prezantimi në arenën ndërkombëtare, duke dëshmuar se trashëgimia kombëtare mbetet një pasuri që jo vetëm ruhet, por edhe përcillet te brezat e ardhshëm, transmeton euronewal.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Si u prit Shpallja e Pavarësisë në qytetet e Çamërisë në...

0
Nga: Arben Iliazi Para vitit 1912, klubet patriotike të Çamërisë luajtën një rol vendimtar në zgjimin kombëtar, ruajtjen e identitetit shqiptar dhe përgatitjen e terrenit...

Ky është një burrë kombi