Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, mori pjesë në edicionin e tretë të Forumit Schuman për Sigurinë dhe Mbrojtjen, ku theksoi rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare, koordinimit NATO–BE dhe forcimit të bashkëpunimit transatlantik.
Shqipëria riafirmon angazhimin e saj për sigurinë kolektive, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe stabilitetin rajonal e euroatlantik. Ky ishte mesazhi kryesor i ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, gjatë pjesëmarrjes në edicionin e tretë të Forumit Schuman për Sigurinë dhe Mbrojtjen. Në një kohë kur zhvillimet gjeopolitike po e bëjnë gjithnjë e më kompleks mjedisin ndërkombëtar të sigurisë, ministri Nufi vuri në dukje se përballimi i sfidave të reja kërkon angazhim të përbashkët, partneritete të qëndrueshme dhe veprime konkrete nga aleatët. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai theksoi se siguria e përbashkët nuk mund të mbështetet vetëm në deklarata dhe angazhime politike, por kërkon partneritete të besueshme, përgjegjësi të përbashkët dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.
KOORDINIMI NATO–BE DHE BASHKËPUNIMI TRANSATLANTIK
Gjatë sesionit plenar me temën “Siguria globale në një mjedis në ndryshim: Partneritete të besueshme për një të ardhme më të sigurt”, ministri shqiptar u ndal te rëndësia e koordinimit strategjik ndërmjet aleatëve dhe institucioneve ndërkombëtare. Ai theksoi nevojën për forcimin e marrëdhënieve transatlantike, thellimin e koordinimit ndërmjet NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe zhvillimin e një mbrojtjeje evropiane që plotëson dhe forcon kapacitetet e Aleancës. Sipas Nufit, sfidat aktuale të sigurisë kërkojnë një qasje të koordinuar, ku përgjegjësia dhe solidariteti ndërmjet vendeve aleate të shndërrohen në masa konkrete për mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit.
UKRAINA DHE BALLKANI PERËNDIMOR, NË QENDËR TË SFIDAVE TË SIGURISË
Duke iu referuar zhvillimeve ndërkombëtare, ministri Nufi theksoi ndërlidhjen e sfidave të sigurisë, nga agresioni rus kundër Ukrainës deri te dinamika e situatës në Ballkanin Perëndimor.
“Siguria e vendeve tona është e pandashme”, ishte mesazhi i tij, duke nënvizuar se zhvillimet në një pjesë të Evropës mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e vendeve të tjera.
Në këtë kontekst, bashkëpunimi rajonal, koordinimi me partnerët strategjikë dhe forcimi i kapaciteteve mbrojtëse mbeten elemente të rëndësishme për përballimin e kërcënimeve dhe ruajtjen e stabilitetit.
SHQIPËRIA, ALEATE E PËRKUSHTUAR E NATO-s
Në përfundim të pjesëmarrjes së tij, ministri Ermal Nufi rikonfirmoi orientimin strategjik të Shqipërisë dhe angazhimin për të kontribuar në sigurinë kolektive. Ai theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një aleate e përkushtuar e NATO-s, një mbështetëse e fortë e bashkëpunimit evropian dhe një kontribuuese aktive për paqen dhe stabilitetin rajonal e euroatlantik.
Pjesëmarrja në Forumin Schuman për Sigurinë dhe Mbrojtjen përbën një tjetër mundësi për Shqipërinë që të jetë pjesë e diskutimeve ndërkombëtare mbi të ardhmen e sigurisë evropiane dhe rolin e partneriteteve strategjike në përballimin e sfidave të reja. Në një realitet ku siguria nuk njeh kufij, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe solidariteti ndërmjet aleatëve mbeten ndër shtyllat kryesore për një të ardhme më të qëndrueshme dhe paqësore, transmeton rtsh.









