Prishtinë – Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka pranuar 12 kamionë ushtarakë të tipit UNIMOG – Mercedes-Benz 5T, 4×4, të blerë për nevojat e saj, me qëllim të forcimit të kapaciteteve transportuese dhe logjistike. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka theksuar se këto automjete përbëjnë një tjetër investim në modernizimin dhe zhvillimin e kapaciteteve operacionale të FSK-së. Në ceremoninë e pranimit të kamionëve morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, si dhe Daniel Zittel, përfaqësues i Daimler Truck Defence dhe Mercedes-Benz Special Trucks. Sipas ministrit Maqedonci, kamionët UNIMOG karakterizohen nga lëvizshmëria e lartë dhe aftësia për të operuar në terrene të vështira. Ata do të përdoren për transportimin e personelit, pajisjeve dhe materialeve, si dhe për furnizimin e njësive të FSK-së në kushte të ndryshme operacionale.
Dhjetëra kamionë të tjerë pritet të arrijnë gjatë vitit 2027
Ministri i Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë vitit 2027 pritet të mbërrijnë edhe dhjetëra kamionë të tjerë të blerë, krahas automjeteve që do të pranohen si donacion nga Gjermania.
Ai ka rikujtuar se gjatë vitit 2024, Kosova kishte pranuar pesë kamionë të tipit Rheinmetall KX 8×8 si donacion nga shteti gjerman.
Ndërkaq, për vitin 2027 parashihet pranimi edhe i dy kamionëve të tjerë të këtij tipi, si dhe i katër kamionëve zjarrfikës UNIMOG – Mercedes-Benz, të cilët gjithashtu do të dhurohen nga Gjermania.
Maqedonci ka njoftuar se, me 12 kamionët UNIMOG dhe tetë kamionët Rheinmetall të pranuar gjatë kësaj jave, numri i automjeteve të pranuara nga këto dy kategori ka arritur në 35.

Logjistika, pjesë thelbësore e gatishmërisë operacionale
Duke vlerësuar rëndësinë e pajisjes së FSK-së me mjete të reja transportuese, ministri Maqedonci ka theksuar se këto automjete do të ndikojnë në përmirësimin e mbështetjes logjistike dhe në rritjen e efikasitetit të njësive gjatë kryerjes së detyrave të tyre.
“Logjistika është pjesë thelbësore e gatishmërisë operacionale”, ka deklaruar Maqedonci, duke nënvizuar se zhvillimi i kapaciteteve të FSK-së kërkon investime të vazhdueshme në pajisje, infrastrukturë dhe burime njerëzore.

Në fund, ministri ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti, komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari, ambasadorin gjerman Rainer Rudolph dhe përfaqësuesin e kompanive gjermane për bashkëpunimin dhe mbështetjen në zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Pranimi i kamionëve të rinj dhe furnizimet e planifikuara për vitin 2027 janë pjesë e përpjekjeve për të rritur kapacitetet transportuese e logjistike të FSK-së dhe për të përmirësuar gatishmërinë e saj për përmbushjen e detyrave operacionale./BS









