
Nga Dashnim HEBIBI
Më 17 gusht nis viti i ri shkollor në Zvicër dhe bashkë me të fillon edhe një vit i ri mësimi në Shkollën Plotësuese Shqipe “Naim Frashëri”. Me përkushtim, dashuri dhe përgjegjësi, stafi i kësaj shkolle i mirëpret fëmijët shqiptarë, duke vazhduar misionin e rëndësishëm të mësimit dhe ruajtjes së gjuhës shqipe në mërgatë. Gardianët e ruajtjes së gjuhës shqipe në Zvicër ishin dhe janë LAPSH “Naim Frashëri”. Për vite me radhë, mësuesit, prindërit dhe drejtuesit e saj kanë mbajtur gjallë një mision që shkon përtej bankave shkollore: kanë ruajtur një pjesë të identitetit tonë kombëtar. Në këtë rrugëtim, një falënderim i veçantë i takon edhe Zvicrës, vendit që ka krijuar mundësi dhe ka dhënë mbështetje që shkolla plotësuese shqipe të jetë funksionale dhe që fëmijët tanë të kenë mundësinë ta mësojnë gjuhën e prindërve dhe gjyshërve të tyre.Por, për fat të keq, edhe ky vit shkollor po nis pa risitë dhe mbështetjen e duhur nga institucionet tona në atdhe. Mendojmë se ka ardhur koha që për mësimin shqip në diasporë të ketë një qasje më të fuqishme, më konkrete dhe më të organizuar. Duhet të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për unifikimin dhe fuqizimin e mësimit plotësues shqip në Zvicër. Duhet të punojmë së bashku që numri i fëmijëve që ndjekin mësimin shqip të rritet dhe që asnjë fëmijë shqiptar në Zvicër të mos e humbë lidhjen me gjuhën e të parëve.
LAPSH “Naim Frashëri” nuk duhet të mbetet vetëm me përgjegjësinë e mësuesve dhe prindërve. Ajo është pasuri e përbashkët e komunitetit shqiptar dhe duhet të përkrahet nga të gjithë: nga bizneset shqiptare, intelektualët, shoqatat, institucionet, mediat dhe çdo shqiptar që e ndien përgjegjësinë për të ardhmen e gjuhës sonë.
Ne do ta përkrahim LAPSH “Naim Frashëri”. Do të jemi pranë saj, do ta mbështesim dhe do të jemi të zëshëm sa herë që kërkohet më shumë vëmendje, më shumë mbështetje dhe më shumë përgjegjësi për mësimin shqip.
Sepse një fëmijë që mëson shqip nuk po mëson vetëm një gjuhë. Ai po mëson historinë, kulturën, traditën dhe identitetin e familjes së tij.Prandaj, në këtë fillim viti shkollor, urimi ynë shkon për të gjithë fëmijët shqiptarë, prindërit, mësuesit dhe stafin e LAPSH “Naim Frashëri”.
Suksese në vitin e ri shkollor!
Ta mbrojmë gjuhën shqipe.
Ta përkrahim mësimin shqip.
Ta përkrahim LAPSH “Naim Frashëri”.
Ta ruajmë shqipen brez pas brezi!









