HomeAtdheuShqipëria siguron 4.3 milionë euro grante për arsimin profesional, përfitojnë 10 projekte...

Shqipëria siguron 4.3 milionë euro grante për arsimin profesional, përfitojnë 10 projekte në të gjithë vendin

-

Dhjetë projekte shqiptare janë përzgjedhur për të përfituar rreth 4.3 milionë euro financim nga Regional Challenge Fund (RCF), me mbështetjen e Gjermanisë dhe Zvicrës. Investimet synojnë modernizimin e arsimit dhe formimit profesional, krijimin e aftësive të reja dhe përgatitjen e mbi 1 700 të rinjve për tregun e punës. Një tjetër hap drejt zhvillimit të arsimit profesional dhe rritjes së mundësive për punësim është shënuar në Shqipëri, ku dhjetë projekte kanë fituar grante me vlerë rreth 4.3 milionë euro nga Regional Challenge Fund. Letrat e angazhimit për investim iu dorëzuan përfaqësuesve të projekteve fituese gjatë një ceremonie të organizuar në Tiranë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare, ambasadave të Gjermanisë dhe Zvicrës, si dhe organizatave partnere që mbështesin zhvillimin e arsimit profesional në rajon. Financimi do të përdoret për investime në pajisje bashkëkohore, përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e programeve të trajnimit profesional. Përmes këtyre projekteve synohet që të rinjtë të pajisen me aftësi konkrete dhe të kërkuara nga ekonomia moderne. Fushat ku do të përqendrohen investimet përfshijnë sigurinë kibernetike, mobilitetin elektrik, energjinë diellore, turizmin e qëndrueshëm, industrinë e modës dhe kuzhinën e gjelbër.

Sipas të dhënave të publikuara nga RCF, dhjetë konsorciumet fituese shqiptare përfaqësojnë tetë shkolla profesionale, një universitet dhe një qendër trajnimi, në bashkëpunim me 42 kompani. Nga këto investime pritet të përfitojnë rreth 1 740 nxënës dhe të rinj.

14.6 milionë euro investime për Shqipërinë në katër raunde

Koordinatori Rajonal i Regional Challenge Fund, Renato Vasili, bëri të ditur se pas katër thirrjeve për aplikime, në Shqipëri janë përzgjedhur gjithsej 31 projekte fituese, me një vlerë investimi prej rreth 14.6 milionë eurosh. Sipas tij, këto projekte përfshijnë 170 kompani partnere dhe 61 programe të trajnimit bashkëpunues, të cilat synojnë të përgatisin më shumë se 5 100 të rinj për profesionet e së ardhmes. Një element i rëndësishëm është edhe kontributi financiar i vetë institucioneve dhe partnerëve, të cilët kanë shtuar 4.8 milionë euro nga burimet e tyre. Vasili theksoi se ndikimi i fondit shtrihet edhe përtej kryeqytetit. Projektet janë duke u zbatuar në nëntë qytete dhe në tetë nga 12 qarqet e Shqipërisë, ndërsa 46 për qind e granteve, me vlerë rreth 6.7 milionë euro, janë orientuar drejt 13 projekteve jashtë Tiranës.

Gjermania dhe Zvicra shtojnë mbështetjen për formimin profesional

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karlfried Bergner, vlerësoi rëndësinë e investimeve në arsimin dhe formimin profesional, duke i cilësuar ato si një domosdoshmëri strategjike për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e vendit. Ai theksoi se programet e formimit profesional duhet të jenë sa më pranë nevojave reale të bizneseve, ndërsa bashkëpunimi ndërmjet institucioneve arsimore dhe sektorit privat është thelbësor për përgatitjen e fuqisë punëtore të kualifikuar. Një lajm i rëndësishëm i bërë publik gjatë ceremonisë ishte edhe vendimi i Qeverisë Gjermane për të alokuar 12 milionë euro shtesë për dritaren e dedikuar të Regional Challenge Fund për Shqipërinë, në kuadër të negociatave ndërqeveritare të këtij viti. Edhe drejtoresha për Evropën dhe Kaukazin në KfW Development Bank, Veronica Garcia del Arco, vuri në pah rëndësinë e krijimit të partneriteteve afatgjata ndërmjet institucioneve të formimit profesional dhe kompanive private. Ndërkohë, zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës së Zvicrës, Philipp Arnold, theksoi se zhvillimi i aftësive profesionale është një faktor kyç për konkurrueshmërinë dhe rritjen ekonomike. Ai solli si shembull modelin zviceran, ku bizneset kanë rol të rëndësishëm në përgatitjen praktike të të rinjve për tregun e punës.

Qeveria Zvicerane kontribuon në financimin e Regional Challenge Fund me rreth 10 milionë euro përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Investime që synojnë profesionet e së ardhmes

Regional Challenge Fund mbështetet nga Gjermania dhe Zvicra, përmes institucioneve të tyre përkatëse të bashkëpunimit dhe zhvillimit, me synimin për të afruar arsimin profesional me kërkesat e tregut të punës në Ballkanin Perëndimor.

Raundi i katërt i aplikimeve dëshmoi interesimin e madh të institucioneve dhe bizneseve në rajon, duke tërhequr 187 shprehje interesi. Pas procesit të përzgjedhjes, 86 konsorciume u ftuan të paraqisnin aplikime të plota, prej të cilave 18 ishin nga Shqipëria. Përtej shumës së financimit, rëndësia e këtyre projekteve qëndron te mundësia për të krijuar një lidhje më të fortë ndërmjet shkollimit dhe punësimit, duke u dhënë të rinjve njohuri praktike dhe aftësi që kërkohen nga sektorët në zhvillim.

Investimi në arsimin profesional mbetet një nga instrumentet e rëndësishme për përgatitjen e brezit të ri, rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe krijimin e mundësive të reja për punësim në vend, transmeton euronewsal.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

SPAK dhe Prokuroria Speciale e Kosovës forcojnë bashkëpunimin në luftën kundër...

0
Kreu i SPAK-ut, Klodjan Braho, priti në takim kryeprokurorin në detyrë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Dren Paca. Në fokus të diskutimeve ishte intensifikimi...