Venecia – Ministrat e Mbrojtjes të gjashtë vendeve të hapësirës Adriatiko-Joniane – Shqipërisë, Italisë, Greqisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë – u mblodhën sot në Venecia, ku diskutuan për thellimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Takimi u zhvillua në një kohë kur mjedisi strategjik evropian po përballet me sfida të reja të sigurisë, duke e bërë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit një prej çështjeve të rëndësishme të agjendës së tyre. Gjatë takimit, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Nufi, theksoi rëndësinë e forcimit të Nismës Adriatiko-Joniane (ADRION), duke e cilësuar atë si një mekanizëm të rëndësishëm për rritjen e koordinimit, ndërveprueshmërisë dhe zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta. Sipas tij, bashkëpunimi më i ngushtë mes vendeve të rajonit është i nevojshëm për t’iu përgjigjur në mënyrë më efektive sfidave të reja të sigurisë.
Shqipëria mbështet bashkëpunimin evropian në mbrojtje
Në fjalën e tij, ministri Nufi shprehu gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për vijimin e diskutimeve mbi Nismën Kontinentale Evropiane për Mbrojtjen (CEDI), e cila synon që Evropa të marrë përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e saj, në mënyrë plotësuese me NATO-n dhe duke ruajtur lidhjet transatlantike.
“ADRION dhe CEDI janë dy drejtime plotësuese: njëri përmes thellimit të bashkëpunimit praktik në Adriatik dhe Jon; ndërsa tjetri përmes forcimit të koordinimit politik e strategjik në Evropë”, u shpreh Nufi.
Ministri shqiptar konfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar aktivisht në realizimin e objektivave të përbashkëta, duke synuar që angazhimet politike të shndërrohen në kapacitete konkrete dhe rezultate në funksion të sigurisë së Evropës dhe më gjerë.
ADRION, mekanizëm për bashkëpunim rajonal
Nisma Adriatiko-Joniane (ADRION) bashkon Shqipërinë, Italinë, Greqinë, Kroacinë, Malin e Zi dhe Slloveninë në një mekanizëm bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë detare. Nisma synon forcimin e bashkëpunimit praktik, koordinimin operacional, rritjen e ndërveprueshmërisë së forcave të armatosura dhe zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta mbrojtëse. Takimi në Venecia shërbeu si një mundësi për ministrat e Mbrojtjes të gjashtë vendeve për të diskutuar hapat e ardhshëm të bashkëpunimit dhe mënyrat se si kjo nismë mund të përshtatet me sfidat e reja të sigurisë në rajon dhe në Evropë. Për Shqipërinë, forcimi i bashkëpunimit Adriatiko-Jonian mbetet një prej drejtimeve përmes të cilave vendi synon të kontribuojë në sigurinë rajonale dhe në përpjekjet më të gjera evropiane për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, transmeton rtsh.









