Deputetja britanike Alicia Kearns ka akuzuar Serbinë se ka armatosur anëtarët e grupit që kreu sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Gjatë fjalës së saj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Kearns ngriti shqetësime për gjendjen e demokracisë në Serbi dhe për qasjen e autoriteteve serbe ndaj zhvillimeve në rajon. Ajo tha se qytetarët e Serbisë meritojnë zgjedhje të lira, media të pavarura dhe një sistem demokratik të liruar nga korrupsioni dhe kapja e institucioneve.
“Evropa nuk duhet të mbyllë sytë ndërsa liritë demokratike po gërryhen. Mënyra se si një qeveri i trajton fqinjët e saj tregon shumë për mënyrën se si i trajton qytetarët e vet”, deklaroi Kearns.
Sipas saj, në Serbi po vërehen modele të ngjashme me ato që ajo i atribuon Rusisë së presidentit Vladimir Putin, ku tensionet dhe veprimet destabilizuese jashtë vendit shoqërohen me kufizime të lirive demokratike brenda shtetit. Duke iu referuar sulmit të armatosur në Banjskë, deputetja britanike tha se autoritetet serbe jo vetëm që po strehojnë personat e dyshuar si organizatorë të sulmit, por edhe se kanë furnizuar me armë grupin që e kreu atë.
“Po e shohim të njëjtën formë në Serbi, me mbështetjen e individëve që nxisin ndarje në Bosnje, me strehimin e njerëzve që qëndrojnë pas sulmit të Banjskës, dhe jo vetëm kaq, por edhe me armatosjen e sulmuesve. Shikojini numrat serikë të armëve”, deklaroi Kearns.
Sulmi në Banjskë, i ndodhur më 24 shtator 2023, konsiderohet një nga incidentet më të rënda të sigurisë në Kosovë në vitet e fundit. Gjatë përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur serb, u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa disa sulmues mbetën të vrarë. Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar vazhdimisht Serbinë për mbështetje dhe organizim të grupit të armatosur, akuza që Beogradi zyrtar i ka mohuar. Megjithatë, çështja vazhdon të mbetet objekt i hetimeve dhe debatit ndërkombëtar, ndërsa partnerët perëndimorë kanë kërkuar zbardhjen e plotë të përgjegjësive për sulmin. Deklaratat e Kearns pritet të shtojnë presionin ndërkombëtar për hetime të mëtejshme dhe për vendosjen e përgjegjësisë ndaj personave të përfshirë në organizimin dhe realizimin e sulmit terrorist në Banjskë, transmeton rtk.









