Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot do të udhëtojë drejt Brukselit, ku më 17 dhe 18 nëntor do të marrë pjesë në Konferencën Botërore për e-Parlamentin (World e-Parliament Conference), e cila do të mbahet në ambientet e Parlamentit Evropian.
Konferenca organizohet nga Unioni Ndërparlamentar dhe Parlamenti Evropian dhe mbledh deputetë, sekretarë të përgjithshëm dhe zyrtarë të lartë të parlamenteve nga vende të ndryshme të botës. Tema qendrore e këtij edicioni është forcimi i demokracisë dhe i institucioneve parlamentare përmes transformimit digjital, me fokus të veçantë në zhvillimet teknologjike dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në proceset parlamentare. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin belg, Haxhiu pritet të zhvillojë takime me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, kryetarin e Senatit të Belgjikës, Vincent Blondel, si dhe me deputetë të Parlamentit Evropian dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Në këto takime pritet të diskutohen mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, perspektiva evropiane e Kosovës dhe procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, përfshirë kërkesën e Kosovës për anëtarësim.
Pjesëmarrja e kryetares së Kuvendit në këtë konferencë paraqet një mundësi për shkëmbimin e përvojave me parlamentet e vendeve të ndryshme, veçanërisht në fushën e modernizimit institucional, digjitalizimit dhe përdorimit të teknologjive të reja në funksion të transparencës dhe forcimit të demokracisë parlamentare, transmeton rtk.









