HomeDiaspora“Travel Off Path”: Nga Saranda në Korfuz në vetëm 30 minuta, dy...

“Travel Off Path”: Nga Saranda në Korfuz në vetëm 30 minuta, dy destinacione në një udhëtim

-

Shqipëria vijon të tërheqë vëmendjen e medieve ndërkombëtare të udhëtimit, jo vetëm për bukuritë natyrore dhe potencialin turistik të Rivierës, por edhe për pozicionin e saj gjeografik, që u mundëson vizitorëve të eksplorojnë lehtësisht destinacione në vendet fqinje, raporton Kosovapress. Në një artikull të publikuar nga media amerikane “Travel Off Path”, Shqipëria përfshihet në mesin e destinacioneve, që ofrojnë mundësinë për të vizituar dy vende evropiane brenda një kohe shumë të shkurtër.

Konkretisht, udhëtimi me traget nga Saranda drejt ishullit grek të Korfuzit, mund të zgjasë vetëm 30 minuta.

Sipas medias, ky itinerar është një mundësi e përshtatshme për turistët, që dëshirojnë të përjetojnë dy destinacione dhe kultura të ndryshme gjatë të njëjtit udhëtim, pa pasur nevojë për fluturime apo udhëtime të gjata. Riviera Shqiptare është një prej destinacioneve turistike më të kërkuara në Evropë aktualisht dhe kjo nuk është e vështirë të kuptohet.

Plazhet me rërë të bardhë dhe ujërat në ngjyrë bruz, që të kujtojnë destinacionet tropikale, së bashku me çmimet relativisht të përballueshme të hoteleve, e bëjnë këtë zonë një zgjedhje tërheqëse për pushimet verore.

Sipas artikullit, çmimet e disa akomodimeve nisin nga vetëm 40 dollarë nata.

Saranda është një qytet bregdetar plot gjallëri, me plazhin e saj me guralecë, bare dhe hotele përgjatë vijës bregdetare, si dhe një numër të madh restorantesh, që ofrojnë gatime me produkte deti.

Në afërsi të qytetit ndodhen edhe plazhet e njohura të Ksamilit, si dhe rrënojat e rëndësishme greko-romake të Butrintit.

Butrinti përshkruhet si një prej siteve arkeologjike më të veçanta që autorja ka vizituar ndonjëherë.

Me një çmim hyrjeje prej rreth 12 dollarësh, dukshëm më të ulët se ai i shumë siteve të njohura arkeologjike në Greqi apo Itali, vizitorët mund të eksplorojnë teatrin antik pjesërisht të zhytur, rrënojat e tempujve dhe të ngjiten drejt kalasë në majë të kodrës.

Sipas autorit, Vinicius Costa, edhe gjatë sezonit veror, zona karakterizohet nga më pak vizitorë dhe më pak radhë pritjeje.

Megjithatë, ajo që shumë turistë nuk e kuptojnë është se, ishulli i gjelbëruar dhe malor që mund të shihet nga dritaret e hoteleve, në qendër të Sarandës nuk është një tjetër pjesë e territorit shqiptar./BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Marta Kos: Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së deri në...

0
Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, ka dhënë një mesazh optimist për integrimin europian të Shqipërisë, duke deklaruar se vendi mund të...