Me një mesazh të mbushur me ndjenjë të thellë atdhetarie, respekt për sakrificën e brezave dhe thirrje për unitet kombëtar, z. Gashi kujton rrugëtimin historik të kombit shqiptar, sakrificat për liri dhe pavarësi, si dhe rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, identitetit dhe lidhjeve shpirtërore mes shqiptarëve kudo që jetojnë. Në këtë urim të veçantë, ai sjell me nderim edhe kujtimin e babait të tij dhe të bashkëveprimtarëve të tij, organizatorë e pjesëmarrës të demonstratave të vitit 1968 në Kosovë, të cilët kërkuan, ndër të tjera, të drejtën për ta valëvitur lirshëm flamurin kombëtar.
Më poshtë, mesazhi i plotë i z. Flamur Gashi, i përcjellë me rastin e kësaj feste të shenjtë kombëtare:
Një komb, një gjuhë, një flamur, një ideal!
GËZUAR 28 NËNTORIN
Sa më shumë kalojnë vitet, aq më tepër bindem se ajo që na bashkon si shqiptarë është shumë më e madhe se gjithçka që mund të na ndajë.
Nga Skënderbeu te Lidhja Shqiptare e Prizrenit, nga Ismail Qemali te Ibrahim Rugova e Adem Jashari, breza shqiptarësh punuan, luftuan dhe u flijuan për lirinë dhe idealin kombëtar.
Në këtë ditë kujtoj me nderim të veçantë babain tim dhe shokët e tij, organizatorë e pjesëmarrës të demonstratave të vitit 1968 në Kosovë, që kërkuan edhe të drejtën për ta valëvitur lirisht flamurin tonë kombëtar.
Sa sakrifica për një të drejtë që sot na duket kaq e natyrshme!
Qëndresa e popullit shqiptar, lufta çlirimtare e UÇK-së, sakrifica e dëshmorëve dhe mbështetja e miqve tanë i hapën rrugën Kosovës së lirë dhe të pavarur.
Sot na takon të ruajmë gjuhën shqipe, të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe ta ndjekim idealin e bashkimit kombëtar me punë, dinjitet e mjete paqësore. Të mos lejojmë që kufijtë shtetërorë të bëhen kufij shpirtërorë ndërmjet nesh.
Flamurin që brezat para nesh e ngritën me aq sakrifica, ta nderojmë duke qëndruar pranë njëri-tjetrit. Jo vetëm më 28 Nëntor!
Gëzuar Festën e Flamurit, motra e vëllezër shqiptarë, kudo që jeni!









