Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka zhvilluar një takim zyrtar në Japoni me ministrin për Punë të Brendshme dhe Komunikim të këtij shteti, Hisayuki Fujii, ku në fokus ishte thellimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në disa fusha me rëndësi të veçantë.
Gjatë takimit, dy ministrat diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë publike, menaxhimit të emergjencave civile dhe sigurisë kibernetike. Po ashtu, vëmendje e veçantë iu kushtua shkëmbimit të të dhënave dhe identifikimit të mundësive të reja për avancimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.
Përmes një postimi, ministri Sveçla ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë ndaj Kosovës, veçanërisht në zhvillimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve të vendit.
Në kuadër të këtij takimi, Sveçla ka ftuar homologun e tij japonez, Hisayuki Fujii, për një vizitë zyrtare në Kosovë. Sipas tij, kjo vizitë do të shërbente për ta njohur nga afër me zhvillimet në vend, si dhe për të identifikuar fusha të reja ku mund të thellohet bashkëpunimi dypalësh.
Takimi në Japoni vjen në kuadër të përpjekjeve për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, me theks të veçantë në shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë dhe administrimit të emergjencave, transmeton rtk.









