Agroturizmi, menaxhimi i mbetjeve dhe digjitalizimi i pagesave identifikohen si tre sektorët me potencial të madh zhvillimi. Raporti i ri i Grupit të Bankës Botërore evidenton mundësitë për investime, por edhe reformat që nevojiten për të nxitur rritjen ekonomike dhe punësimin.
TIRANË – Shqipëria ka potencial të konsiderueshëm për të tërhequr investime private dhe për të krijuar mundësi të reja punësimi në vitet e ardhshme. Sipas një raporti të ri të Grupit të Bankës Botërore, vendi mund të mobilizojë deri në 929 milionë dollarë investime private dhe të krijojë nga 13 mijë deri në 18 mijë vende të reja pune në periudhën afatmesme. Raporti, i titulluar “Diagnostikimi i Sektorit Privat në Shqipëri”, identifikon tri fusha kryesore ku mundësitë për investime janë veçanërisht të mëdha: agroturizmi, menaxhimi i mbetjeve dhe digjitalizimi i pagesave. Sipas vlerësimit të Bankës Botërore, zhvillimi i këtyre sektorëve mund të kontribuojë në rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, zgjerimin e tregut të punës dhe afrimin e vendit me standardet e Bashkimit Evropian. Menaxheri i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë, Massimiliano Paolucci, theksoi se vendi ka mundësi të shfrytëzojë kërkesën e lartë turistike, kalimin drejt ekonomisë qarkulluese dhe reformat në sistemin e pagesave digjitale për të tërhequr më shumë kapital privat. Megjithatë, sipas tij, realizimi i këtij potenciali kërkon reforma konkrete, të cilat garantojnë rregulla më të qarta, informacion më të besueshëm për tregun dhe siguri më të madhe për investitorët.
Agroturizmi, mundësi për zhvillimin e zonave rurale
Një ndër sektorët me potencial të veçantë është agroturizmi. Raporti vlerëson se investimet në këtë fushë mund të ndihmojnë Shqipërinë të zgjerojë ofertën turistike përtej zonave tradicionale bregdetare dhe sezonit veror. Zhvillimi i agroturizmit do të forconte lidhjet ndërmjet turizmit dhe bujqësisë, duke krijuar burime të reja të ardhurash për fermerët, sipërmarrësit dhe komunitetet rurale. Në këtë mënyrë, fshatrat shqiptare mund të shndërrohen në destinacione më tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj, ndërsa investimet do të kontribuonin në krijimin e vendeve të reja të punës dhe frenimin e largimit të fuqisë punëtore. Megjithatë, Banka Botërore evidenton disa pengesa, përfshirë mangësitë në certifikim, mungesën e informacionit për tregun, vështirësitë në sigurimin e punonjësve të kualifikuar dhe zbatimin jo të njëtrajtshëm të rregullave.
Menaxhimi i mbetjeve, hapësirë për investime të reja
Një tjetër sektor me mundësi të rëndësishme zhvillimi është menaxhimi i mbetjeve. Sipas raportit, ekzistojnë hapësira për përfshirjen e kapitalit privat në grumbullimin, trajtimin, riciklimin dhe rikuperimin e materialeve. Kalimi drejt një ekonomie qarkulluese, ku materialet ripërdoren dhe riciklohen në vend që të përfundojnë si mbetje, mund të krijojë një treg të ri për bizneset dhe të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit. Për të nxitur investimet në këtë fushë, raporti thekson nevojën për qartësi më të madhe mbi rolin e sektorit privat, procedura të parashikueshme për lejet, kontrata të qëndrueshme dhe të dhëna të besueshme mbi sasinë dhe llojet e mbetjeve.
Pagesat digjitale dhe modernizimi i ekonomisë
Digjitalizimi i pagesave përbën sektorin e tretë me potencial të rëndësishëm. Zgjerimi i pagesave elektronike mund të ndihmojë në formalizimin e ekonomisë, rritjen e përfshirjes financiare dhe përmirësimin e produktivitetit.
Ky proces pritet të krijojë mundësi të reja për bankat, kompanitë fintech dhe sipërmarrjet teknologjike, duke lehtësuar transaksionet dhe duke modernizuar shërbimet financiare për qytetarët dhe bizneset.
Sfidat që duhet të adresojë Shqipëria
Pavarësisht përparimit ekonomik të dekadës së fundit, raporti evidenton se ekonomia shqiptare vazhdon të përballet me disa pengesa strukturore. Ndër to përmenden informaliteti, mungesa e aftësive profesionale, qasja e kufizuar në financim, mangësitë infrastrukturore dhe dobësitë në zbatimin e rregullave. Të gjitha këto ndikojnë në klimën e biznesit dhe në gatishmërinë e investitorëve për të angazhuar kapitalin e tyre në projekte afatgjata. Megjithatë, treguesit ekonomikë dëshmojnë edhe për përparimin e arritur. Sipas raportit, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në Shqipëri është rritur nga 24 për qind e mesatares së Bashkimit Evropian në vitin 2008, në 41 për qind në vitin 2025. Ndërkohë, investimet e huaja direkte kanë mbetur në nivele të larta.
Investimet private, çelësi i zhvillimit afatmesëm
Raporti i Grupit të Bankës Botërore nënvizon se mobilizimi i kapitalit privat është thelbësor për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Potenciali për të tërhequr 929 milionë dollarë investime dhe për të krijuar deri në 18 mijë vende të reja pune paraqet një mundësi të rëndësishme për ekonominë shqiptare. Megjithatë, realizimi i këtyre objektivave do të varet nga reformat, përmirësimi i klimës së biznesit dhe krijimi i kushteve të qëndrueshme për investitorët. Sfidë mbetet shndërrimi i potencialit ekonomik në investime konkrete, vende pune cilësore dhe përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët shqiptarë./BS









