Skiatorja shqiptare triumfon në sllallomin e zhvilluar në Gurgl të Austrisë, duke lënë pas dy përfaqësueset suedeze, Sara Hector dhe Anna Swenn Larsson. Një sukses i jashtëzakonshëm që shënon një kapitull të ri për sportin shqiptar.
Lara Colturi ka arritur një sukses historik në karrierën e saj sportive dhe përfaqësimin ndërkombëtar të Shqipërisë, duke fituar për herë të parë një garë të Kupës së Botës në ski. Në moshën vetëm 20-vjeçare, skiatorja që garon nën flamurin shqiptar ka triumfuar në disiplinën e sllallomit në Gurgl të Austrisë, duke lënë pas emra të njohur të skive botërore. Colturi zhvilloi dy zbritje të shkëlqyera, duke dëshmuar përgatitje të lartë fizike, teknikë dhe qetësi në një garë me konkurrencë të fortë. Pas përfundimit të zbritjes së parë, ku ishte pozicionuar menjëherë pas suedezes Anna Swenn Larsson, ajo arriti të përmbysë situatën në zbritjen e dytë, duke siguruar vendin e parë. Në podium, përkrah saj u renditën dy skiatorët suedeze, Sara Hector dhe Anna Swenn Larsson, të cilat plotësuan treshen më të mirë të garës. Ky triumf përbën një moment të veçantë jo vetëm për Lara Colturin, por edhe për Shqipërinë, pasi emri i saj tashmë shkruhet në historinë e Kupës së Botës në ski. Suksesi merr një domethënie edhe më të madhe duke pasur parasysh moshën e saj të re dhe nivelin e lartë të konkurrencës në këtë sport.
Përveç fitores së parë në Kupën e Botës, Lara Colturi ka siguruar edhe kryesimin në renditjen e përgjithshme të këtij kompeticioni, duke e vendosur veten në qendër të vëmendjes së skive ndërkombëtare. Nga shpatet e Austrisë, flamuri shqiptar është ngritur në majën e podiumit të një prej garave më prestigjioze të sportit të skive. Një fitore që tejkalon suksesin individual dhe shndërrohet në një moment krenarie për sportin shqiptar, duke dëshmuar se edhe Shqipëria mund të jetë protagoniste në arenën më të lartë të sportit botëror. Lara Colturi, në moshën 20-vjeçare, ka hapur një kapitull të ri historik për Shqipërinë në sportin e skive!, transmeton rtk.









