HomeDiasporaVJENA KREMTARE E LETËRSISË SHQIPE: 15 VJET KRIJIMTARI, PËRKUSHTIMI DHE RUAJTJEJE TË...

VJENA KREMTARE E LETËRSISË SHQIPE: 15 VJET KRIJIMTARI, PËRKUSHTIMI DHE RUAJTJEJE TË GJUHËS AMTARE

-

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” shënon jubileun e 15-vjetorit të themelimit me një mbrëmje të veçantë letrare, kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë dhe Festës së Flamurit Kombëtar.

VJENË, 19 NËNTOR 2026 – Letërsia shqipe, fjala artistike dhe dashuria për gjuhën amtare u bënë bashkë në kryeqytetin austriak, Vjenë, ku Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” organizoi një manifestim të veçantë kulturor, në kuadër të 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Festës së Flamurit Kombëtar, duke shënuar njëkohësisht edhe 15-vjetorin e themelimit të saj. Interesimi i jashtëzakonshëm i dashamirëve të letërsisë shqipe dëshmoi edhe një herë se krijimtaria shqiptare në mërgatë vazhdon të ketë një vend të rëndësishëm në jetën kulturore të komunitetit. Salla koncertale në qendër të Vjenës ishte e pamjaftueshme për të akomoduar të gjithë pjesëmarrësit, të cilët kishin ardhur jo vetëm nga kryeqyteti austriak, por edhe nga Linci, Grazi, Knittelfeldi dhe qytete të tjera të Austrisë. Në mesin e tyre kishte krijues, intelektualë, veprimtarë dhe dashamirë të kulturës shqiptare. Në hapje të manifestimit, të pranishmit i përshëndeti kryetari i Lidhjes, Anton Marku, i cili vuri në pah rrugëtimin 15-vjeçar të organizatës, aktivitetet e realizuara dhe rëndësinë e vazhdimit të kësaj veprimtarie në shërbim të letërsisë dhe gjuhës shqipe.

Ai theksoi se vetëm gjatë këtij viti Lidhja ka organizuar pesë aktivitete të rëndësishme, duke përmendur bashkëpunimin me Ambasadën e Kosovës në Vjenë, prezantimet e autorëve dhe promovimet e librave, si dhe takimet letrare me krijues shqiptarë e austriakë. Ndër aktivitetet e veçanta përmendi takimin me poeten Blerina Rogova-Gaxha dhe krijuesin Emin Z. Emini, promovimin e librit të Gabriela Mujajt “I dashtuni im zdrukthtar”, paraqitjen e krijuesve shqiptarë para Lidhjes së Shkrimtarëve Katolikë në Austri, si dhe bashkëbisedimin me shkrimtaren Mimoza Ahmeti. Marku njoftoi gjithashtu se Lidhja së fundmi ka përmbyllur procesin e rregullt zgjedhor dhe ka përtërirë strukturat udhëheqëse, duke krijuar hapësirë për përfshirjen e krijuesve të rinj. Ai theksoi se një ndër misionet themelore të kësaj organizate mbetet jo vetëm prezantimi i kulturës shqiptare, me theks të veçantë në letërsi, por edhe ruajtja dhe kultivimi i gjuhës shqipe në mërgatë.

Katër libra, katër rrëfime dhe një pasuri e përbashkët letrare

Programi artistik u zhvillua në dy pjesë, duke sjellë para publikut krijimtarinë e autorëve shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Austri.

Në pjesën e parë u prezantuan katër vepra letrare. Fillimisht u trajtua libri “Kthim në kohë”, me autore Kimete Prebreza-Krasniqin, për të cilin referuan dy mysafiret e ardhura enkas nga Kosova, magjistret Selvete Berisha-Krasniqi dhe Sofije Gagica.

Më pas u prezantua libri autobiografik “Udha e jetës”, i autorit Zaim Toska. Për veprën foli redaktorja Violeta Allmuça, ndërsa fjalën e mori edhe vetë autori, duke ndarë me të pranishmit përjetimet dhe rrugëtimin që e kanë frymëzuar këtë botim.

Për jetën dhe krijimtarinë e Fitnete Bashota-Krasniqit foli Fjolla Krasniqi, ndërsa autorja interpretoi poezi nga përmbledhja e saj “Baladë shpirti”.

Në vazhdim, Dëshire Manuka-Shehu paraqiti një vështrim për librin “Guxova”, të autores Hava Elshani. Momente nga kjo vepër u sollën përmes leximeve të Diart Elshanit dhe vetë autores.

Pjesa e dytë e mbrëmjes iu kushtua interpretimit të drejtpërdrejtë artistik. Violeta Allmuça deklamoi poezinë “Kohë për shpirtin”, Angjelina Marku solli një fragment nga romani i saj “Shtyje hënën”, ndërsa Fitnete Bashota-Krasniqi interpretoi poezinë “Kosova ime”.

Atmosferës së kësaj mbrëmjeje i dhanë një dimension të veçantë edhe udhëheqësja e programit, Marinela Stefanc, si dhe interpretimet muzikore në kitarë nga Flamur Ahmeti, të cilat u mirëpritën nga publiku.

15 vjet në shërbim të fjalës shqipe dhe kulturës kombëtare

E themeluar në vitin 2011, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” është shndërruar në një nga adresat kryesore të krijuesve shqiptarë në Austri dhe në një pikë të rëndësishme referimi për letërsinë shqipe në këtë shtet.

Gjatë këtyre 15 viteve, përmes një veprimtarie të vazhdueshme dhe një qasjeje serioze organizative, ajo ka realizuar më shumë se 80 orë letrare dhe promovime librash, duke krijuar ura komunikimi mes autorëve shqiptarë, institucioneve kulturore dhe publikut austriak.

Bashkëpunimi me Ministritë e Kulturës, Arsimit dhe Diasporës, me Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë, si dhe me organizata e individë të ndryshëm, ka ndihmuar në promovimin e vlerave shqiptare përtej kufijve kombëtarë. Një rëndësi të veçantë ka edhe bashkëpunimi me institucionet austriake, veçanërisht me PEN Klubin e Austrisë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.

Jubileu i 15-vjetorit nuk ishte thjesht një përkujtim i themelimit të një organizate, por një dëshmi e përkushtimit të njerëzve që përmes penës, librit dhe fjalës artistike mbajnë gjallë identitetin kulturor shqiptar në mërgatë.

Në një kohë kur brezat e rinj rriten larg vendlindjes, veprimtari të tilla marrin një domethënie edhe më të madhe. Ato dëshmojnë se gjuha shqipe nuk është vetëm një trashëgimi që ruhet, por një pasuri që duhet kultivuar, promovuar dhe përcjellë te brezat që vijnë.

Vjena, kështu, edhe një herë u bë një vatër e kulturës shqiptare, ku fjala shqipe bashkoi njerëz, krijimtari dhe ndjenja kombëtare. Pesëmbëdhjetë vjet veprimtari janë një kapitull i rëndësishëm, por edhe një zotim për të ardhmen: që libri shqip, poezia dhe kultura kombëtare të vazhdojnë të kenë zë, hapësirë dhe dinjitet në Austri dhe më gjerë./BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Si u prit Shpallja e Pavarësisë në qytetet e Çamërisë në...

0
Nga: Arben Iliazi Para vitit 1912, klubet patriotike të Çamërisë luajtën një rol vendimtar në zgjimin kombëtar, ruajtjen e identitetit shqiptar dhe përgatitjen e terrenit...

Ky është një burrë kombi