Prishtinë – KFOR-i, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar ushtrimin e përbashkët “Golden Sabre”, në zonën stërvitore të Kampit Vrelo, me synim forcimin e gatishmërisë operacionale dhe koordinimit ndërinstitucional për përballimin e situatave të mundshme të krizës.
Në këtë aktivitet stërvitor kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me mandatin e saj fillestar në fushën e mbrojtjes civile. Ushtrimi është realizuar në kuadër të prioritetit të KFOR-it “Ushtrohu dhe Parandalo” (Rehearse and Prevent), duke përfshirë skenarë të ndryshëm të emergjencave komplekse dhe me intensitet të lartë.
Gjatë stërvitjes, pjesëmarrësit kanë praktikuar procedurat e përbashkëta të komandimit, kontrollit dhe komunikimit, si dhe taktikat për menaxhimin e turmave dhe trazirave, me theks të veçantë në shtensionimin e situatave dhe ruajtjen e rendit publik.
Një pjesë e rëndësishme e ushtrimit i është kushtuar edhe evakuimit të shpejtë mjekësor, përmes mbështetjes ajrore të KFOR-it, me qëllim të demonstrimit të kapaciteteve për nxjerrjen dhe transportimin në kohë të personave të simuluar si të lënduar.
Po ashtu, specialistët e KFOR-it dhe FSK-së për asgjësimin e mjeteve shpërthyese dhe trajtimin e materialeve të rrezikshme kanë bashkëpunuar në identifikimin dhe sigurimin e mjeteve shpërthyese të simuluara, si dhe në menaxhimin e rreziqeve kimike dhe mjedisore në një ambient të simuluar si i kontaminuar.
Sipas KFOR-it, ushtrimet e tilla të përbashkëta janë thelbësore për ruajtjen e gatishmërisë operacionale dhe për të garantuar që institucionet dhe njësitë pjesëmarrëse të jenë në gjendje të reagojnë shpejt, në mënyrë profesionale dhe të koordinuar ndaj çdo situate emergjente.
Përmes harmonizimit të taktikave dhe procedurave standarde të veprimit, synohet parandalimi i përshkallëzimit të krizave, mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe garantimi i një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Duke vlerësuar rëndësinë e këtij aktiviteti, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, ka theksuar se siguria e njerëzve mbetet në qendër të misionit të këtij mekanizmi ndërkombëtar.
“Ky është thelbi i misionit tonë. Bëhet fjalë për njerëzit, sigurinë e tyre dhe tonën. Kjo është ajo që jemi këtu për të ofruar, me profesionalizëm, paanshmëri dhe përkushtim”, ka deklaruar gjeneralmajor Vergori.
KFOR-i ka ritheksuar përkushtimin për vazhdimin e aktiviteteve të përbashkëta trajnuese, duke synuar forcimin e bashkëpunimit ndërmjet mekanizmave të sigurisë dhe reagimin sa më efektiv ndaj sfidave të mundshme.
Ushtrimi “Golden Sabre” dëshmon rëndësinë e koordinimit ndërmjet pranisë ndërkombëtare të sigurisë dhe institucioneve vendore, në funksion të ruajtjes së stabilitetit dhe krijimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, transmeton rtk.









