Në tempullin e dijes, Universitetin e Evropës Juglindore, siç mëso HALF24.ch u mblodhën personalitete të shumta akademike, politike dhe institucionale nga të gjitha trevat shqiptare. Në këtë jubile të veçantë u laureua akademik Abdylmenaf Bexheti me titullin e lartë Doctor Honoris Causa. Për rëndësinë e kësaj dite u shpreh edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Jo vetëm Tetova, por e gjithë shqiptaria sot kishte festë. Qyteti i Tetovës ishte i mbushur me personalitete të shumta akademike, politike dhe institucionale, të cilat u bashkuan në tempullin e dijes, Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), për të shënuar një jubile të rëndësishëm: 25-vjetorin e themelimit të këtij institucioni të arsimit të lartë. Një çerek shekulli veprimtari akademike, zhvillim institucional dhe kontribut në arsimimin e gjeneratave të reja u shënua në një atmosferë solemne, ku vëmendje të veçantë mori edhe ceremonia e laureimit të akademik Abdylmenaf Bexhetit me titullin e lartë Doctor Honoris Causa të Universitetit të Evropës Juglindore. Kjo ngjarje mblodhi emra të njohur të jetës akademike dhe publike shqiptare, duke e kthyer Tetovën në qendër të vëmendjes së hapësirës shqiptare.

Ali Ahmeti: UEJL, dëshmi se vizioni dhe investimi në dije krijojnë vlera të qëndrueshme
Për këtë ngjarje të rëndësishme është shprehur edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i cili mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Universitetit të Evropës Juglindore dhe në ndarjen e titullit Doctor Honoris Causa për akademik Abdylmenaf Bexhetin. Ahmeti, përmes një mesazhi publik, ka vlerësuar rëndësinë e këtij jubileu, duke theksuar kontributin e Universitetit në zhvillimin akademik, institucional dhe shoqëror.

„Sot, në ditën e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Universitetit të Evropës Juglindore, me kënaqësi mora pjesë në ndarjen e titullit Doctor Honoris Causa për akademik Abdylmenaf Bexhetin. Një çerek shekulli i UEJL-së përfaqëson një histori të rëndësishme të zhvillimit akademik, institucional dhe shoqëror, si dhe një kontribut të çmuar në avancimin e arsimit të lartë dhe krijimin e gjeneratave të reja të profesionistëve. Universiteti i Evropës Juglindore është dëshmi se vizioni, investimi në dije dhe përkushtimi institucional mund të krijojnë vlera të qëndrueshme për shoqërinë tonë. Akademikut Abdylmenaf Bexheti i shpreh urimet më të përzemërta për titullin e merituar, ndërsa Universitetit të Evropës Juglindore i uroj edhe shumë suksese, arritje të reja akademike dhe dekada të tjera zhvillimi“, ka shkruar Ali Ahmeti.

Një jubile që bashkon dijen dhe gjeneratat
Shënimi i 25-vjetorit të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë ishte më shumë se një ceremoni jubilare. Ishte një takim i personaliteteve nga hapësira e gjerë shqiptare, një rast për të rikujtuar rrugëtimin e një institucioni arsimor dhe për të vlerësuar kontributin e tij në zhvillimin e shkencës dhe arsimit të lartë.Laureimi i akademik Abdylmenaf Bexhetit dhe pjesëmarrja e personaliteteve të shumta i dhanë kësaj feste një dimension të veçantë, duke dëshmuar rëndësinë që ka Universiteti i Evropës Juglindore në jetën akademike dhe shoqërore shqiptare.Sepse kur feston dija, festa nuk i përket vetëm një qyteti, por të gjithë shqiptarisë, transmeton HALF24.ch









