Statistikat e reja të Entit Federal të Statistikave (BFS) tregojnë se një familje në Zvicër kishte mesatarisht 7209 franga të ardhura mujore gjatë vitit 2024, transmeton 20min.ch. Megjithatë, rritja e të ardhurave mbetet pothuajse simbolike, ndërsa shpenzimet për konsum, veçanërisht ato për banim dhe energji, kanë shënuar rritje të dukshme. Kostoja e jetesës në Zvicër vazhdon të jetë një sfidë për buxhetin e familjeve. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Enti Federal i Statistikave (BFS) dëshmojnë se, pavarësisht nivelit të lartë të të ardhurave në krahasim me shumë vende të tjera, presioni financiar mbi ekonomitë familjare po vazhdon të rritet. Sipas statistikave, të ardhurat mesatare mujore të një familjeje private në Zvicër arritën në 7209 franga gjatë vitit 2024. Një vit më parë, kjo shumë ishte 7186 franga, që do të thotë se rritja ishte vetëm 23 franga në muaj. Një shifër që tregon se të ardhurat familjare kanë mbetur pothuajse në vend, ndërkohë që shpenzimet kanë ecur me ritëm dukshëm më të shpejtë. Madje, 61 për qind e familjeve kishin të ardhura më të ulëta se mesatarja kombëtare.Një familje mesatare në Zvicër përbëhet nga 2,09 persona. Pas zbritjes së detyrimeve të detyrueshme, të cilat arrijnë mesatarisht në 3240 franga në muaj, familjeve u mbeten 7209 franga si të ardhura të disponueshme. Ndër detyrimet më të mëdha janë tatimet, të cilat arrijnë mesatarisht në 1274 franga në muaj. Pas tyre vijnë kontributet për sigurimet shoqërore, përfshirë AHV-në dhe fondin pensional, si dhe primet e sigurimit shëndetësor.
Familjet me fëmijë kanë të ardhura më të larta, pensionistët përballen me sfida
Dallimet mes kategorive të familjeve janë të konsiderueshme. Çiftet me fëmijë kanë mesatarisht 10 569 franga të ardhura mujore në dispozicion, ndërsa personat mbi 65 vjeç që jetojnë vetëm kanë vetëm 3591 franga. Këto shifra pasqyrojnë dallimet e mëdha në strukturën ekonomike të familjeve zvicerane dhe tregojnë se jo të gjithë qytetarët e përjetojnë njësoj koston e jetesës. Pra, brenda një viti, shpenzimet për banim dhe energji u rritën për 97 franga në muaj, duke dëshmuar se strehimi vazhdon të jetë një prej barrëve kryesore financiare për qytetarët.
Sa para u mbeten familjeve për të kursyer?
Pas të gjitha shpenzimeve, familjeve private në Zvicër u mbeteshin mesatarisht 1578 franga në muaj për kursime. Kjo shumë përfaqëson rreth 15,1 për qind të të ardhurave bruto. Megjithatë, kjo mesatare nuk pasqyron realitetin e të gjitha familjeve. Sipas BFS-së, familjet me të ardhura bruto nën 4993 franga në muaj shpesh shpenzojnë më shumë sesa fitojnë. Kjo situatë vërehet veçanërisht te familjet e pensionistëve, ku një pjesë e shpenzimeve mbulohet duke përdorur kursimet dhe pasurinë e krijuar gjatë viteve të mëparshme.
Një realitet ekonomik që kërkon vëmendje
Statistikat e reja tregojnë një kontrast të qartë: Zvicra mbetet vend me të ardhura të larta, por edhe me kosto të konsiderueshme jetese. Rritja prej vetëm 23 frangash e të ardhurave mesatare mujore, përballë rritjes prej 195 frangash të shpenzimeve për konsum, dëshmon se ekuilibri financiar i shumë familjeve po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Në veçanti, qiratë, energjia, sigurimet shëndetësore dhe detyrimet tatimore vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të qytetarëve. Për mijëra familje, çështja nuk është më vetëm sa fitojnë në fund të muajit, por sa u mbetet pasi të kenë paguar të gjitha detyrimet. Dhe pikërisht këtu qëndron sfida e vërtetë e jetesës në Zvicër. Burimi: Enti Federal i Statistikave i Zvicrës (BFS), statistikat e të ardhurave dhe shpenzimeve të ekonomive familjare për vitin 2024, transmeton 20min.ch, përcjell half24.ch.









